Vendimi

Kryeministri Rama: Shkollat do të hapen. 87% e komunitetit shkollor kanë votuar pro hapjes së shkollave

Vendimi i shumëpritur që ka të bëjë me fillimit e vitit të ri shkollor për vitin 2020-2021, tashmë është marrë. Shkollat do të hapen më 14 shtator. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i vendit, Edi Rama. Shahini dhe Manastirliu: Po bashkëpunojmë për detajimin e protokollit të sigurisë.

Vendimi i shumëpritur që ka të bëjë me fillimit e vitit të ri shkollor për vitin 2020-2021 tashmë është marrë: shkollat do të hapen. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i vendit, Edi Rama. 


Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, ai ka shkruajtur se: “Shkollat do të hapen. Ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një komunikim për situatën, arsyetimin tonë dhe masat paraprake që po merren për hapjen shkollave, në kushtet kur të gjitha vendet e botës po diskutojnë këtë çështje delikate dhe kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për hapjen e shkollave apo jo pak vende nuk kanë vendosur ende, nëse do t'i hapin. Çdo hap drejt hapjes së shkollave dhe mbrojtjen e shëndetit nga ky vendim i vështirë, po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet, për garantimin e masave të distancimit social dhe protokolleve të sigurisë, si edhe vlerësimin dinamik të situatës epidemiologjike në vend”.



Nisja e vitit të ri shkollor më 14 shtator  

Shahini dhe Manastirliu: Po bashkëpunojmë për detajimin e protokollit të sigurisë


Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë zhvilluar një komunikim në lidhje me masat që po ndërmerren për hapjen e shkollave më 14 shtator, ku në fokus kryesor është ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve dhe duke iu referuar modeleve më të mira të vendeve të zhvilluara. 


Fillimisht, Ministrja Shahini njoftoi mbi pyetësorin e zhvilluar pak kohë më parë në lidhje me nevojën e hapjes së shkollave. Sipas saj, nga 135 mijë respondentë – nxënës, prindër dhe mësues – 87% e tyre mendojnë se nxënësit duhet të kthehemi në shkollë. 


Shahini nënvizoi gjithashtu se “Që në muajin korrik kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në fillimin e vitit të ri shkollor në varësi të numrit të nxënësve për shkollë, gjendjes në shkollë dhe nevojës së komunitetit për të qenë fizikisht në klasa”. 

Ndër të tjera, ajo shtoi se tashmë është bërë një pilotim i rikthimit të nxënësve nëpër shkolla, teksa kujton rihapjen e tyre për maturantët në muajin maj. “Funksionon si proces, pra ne mund të ruajmë shëndetin duke i rihapur shkollat me shumë kujdes”, cilësoi ajo duke u shprehur gjithashtu se: 

“Ne duam t’i hapim të gjitha shkollat për nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat individuale, gjithmonë duke e kombinuar edhe me mësimin që mund të zhvillohet në kushte shtëpie, duke ndjekur RTSH Shkollën, mësimin online etj.”.


Në fund, Ministrja Shahini nënvizoi se bashkitë do të duhet të fillojnë procesin e pastrimit të shkollave dhe përgatitjes për shtator, teksa shprehet se partnerët zhvillimorë kanë premtuar se do të ndihmojnë prapë me furnizimin me të gjithë elementët e nevojshëm që kemi nevojë për të ruajtur nxënësit dhe mësuesit tanë.


Ndërkohë, gjatë komunikimit online, Ministrja Ogerta Manastirliu, duke ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për hapjen e shkollave në shtator, theksoi se “Ne si institucione, nuk i kemi ndërprerë për asnjë moment komunikimin dhe përgatitjet për të përcaktuar protokollet e sigurisë për çdo skenar që ka të bëjë me rihapjen e shkollave. Protokollet janë të detajuara tashmë që në muajin maj, por po detajohen akoma më shumë”.



Postimi i plotë (video)

Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,570 Lexime
3 vjet më parë