MASAT KUNDËR COVID

KTE: Vaksinimi i detyrueshëm për arsimtarët dhe studentët deri më 30 shtator

"Nisur nga situata e krijuar për shkak të variantit Delta, jo vetëm në vendin tonë por edhe në botë, do të zbatohet plani i detyrimit të vaksinimit për disa kategori, përfshirë arsimtarët dhe studentët”, ky është vendimi i marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Komiteti Teknik vendosi vaksinim të detyruar për arsimtarët dhe studentët deri më 30 shtator.


“Vaksinim i detyruar për grupet e rrezikuara, si studentët arsimtarët dhe punonjësit shëndetësorë, deri në datën 30 shtator. Pas kësaj date do të kërkohet paraqitje periodike e testit PCR, përjashtohen ata që nuk mund të bëjnë vaksinën nën këshillën e mjekut”, u shpreh zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në një konferencë të sotme për shtyp. Ajo theksoi vazhdimin e masave të mëparshme si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura dhe ndalimi i familjarëve në spitale dhe institucionet e kujdesit shëndetësor.


Por a do të rrezikojnë vendin e punës mësuesit që nuk kanë marrë asnjë dozë?


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se nisur nga situata e krijuar për shkak të variantit Delta, jo vetëm në vendin tonë por edhe në botë, do të zbatohet plani i detyrimit të vaksinimit për disa kategori. Por e pyetur nëse do të ketë penalitete dhe rrezik për humbjen e vendit të punës për personat që nuk janë vaksinuar dhe nuk kanë mundësi të bëjnë testin PCR periodik, ministrja tha se nuk është ky qëllimi i fushatës së vaksinimit të detyruar.


“Sa i përket vendimit të marrë nga komiteti teknik i ekspertëve por me rekomandim të komitetit të vaksinimit, pas një vlerësimi të thelluar të situatës së vaksinimit, vijnë si obligime për të rritur mbulesën vaksinale të grupeve të rriskuar që kanë edhe rriskun që lidhet me transmetueshmërinë në ambientet ku ushtrojnë detyrën e tyre. Nuk është qëllim në vetvete vendosja e pezullimeve apo vendosja e masave në raport me punonjësit, është një nxitje më shumë drejt vaksinimit, e në fund të ditës përpjekje për të shpëtuar jetët, jetën e atyre që shërbejnë dhe atyre që marrin shërbime, ndaj ky është qëllimi parësor, shtatori do jetë muaj i hapur ku puna nuk do ndalet për të rritur mbulesën vaksinale”, u shpreh ministrja Manastirliu.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,597 Lexime
1 muaj më parë