PËRGATITJA PËR PROVIM

Kualifikimi i mësuesve, skema e vlerësimit me pikë të portofolit dhe programet orientuese

Ju paraqesim Programet Orientuese të Kualifikimit 2020, sipas profileve përkatëse, të bëra publike nga ASCAP. Ndërkohë më poshtë mund të njiheni edhe me skemën e vlerësimit të portofolit, pikët e të cilit shpallen më datë 25 shkurt nga secila ZVAP.

Për t’u ardhur në ndihmë mësuesve, ASCAP ka hartuar Programet Orientuese të Kualifikimit 2020, sipas profileve përkatëse. Këto programe ju mund t’i gjeni duke klikuar në këtë link:  https://www.ascap.edu.al/programet-e-kualifikimit-2020/.


Para provimit 


Tashmë është bërë e ditur se provimi i kualifikimit do të zhvillohet më 4 prill. Mësuesit kanë plotësuar kërkesat për marrjen pjesë në këtë provim si dhe kanë dorëzuar portofolin profesional pranë ZVAP-ve. Sipas afateve të përcaktuara në shkresën që MASR u ka dërguar ZVAP-ve në vend, bëhet e ditur se këto të fundit do të shpallin në datën 25 shkurt listat e mësuesve që janë regjistruar për të marrë pjesë në kategoritë e kualifikimit, ku secilit prej tyre do t’u bëhen të ditura edhe pikët e fituara nga dorëzimi i portofolit profesional. Deri në mbyllje të muajit shkurt, mësuesit që kanë pakënaqësi me pikët e siguruara mund të bëjnë ankesat përkatëse. Më pas Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar hartojnë listat përfundimtare për të gjitha njësitë vendore që ndodhen nën juridiksionin e saj, lista të cilat i dërgon më pas në ASCAP brenda datës 5 mars 2020. Pas kësaj date nuk mund të bëhen më ndryshime sa i takon pikëve që mësuesit kanë fituar nga portofoli. 



Skema e vlerësimit me pikë të portofolit 


Komisioni i vlerësimit të Portofolit të ngritur nga titullari i Drejtorisë Rajonale të Arsimit vlerëson me 1 deri në 3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional.


Kandidati që nuk fiton të paktën 5 pikë nga portofoli profesional, ose që nuk dorëzon të paktën një përbërës të tij, përjashtohet nga e drejta e pjesëmarrjes në provim. 


Kandidati fiton 5 pikë bonus kur: Ka diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite, apo doktoraturë) e fituar në fushën e mësuesi. Këto pikë bonus do të shkojnë vetëm për ata kandidatë që janë diplomuara para janarit të 2011-s. Nëse diploma master është fituar pas janarit të 2011-s duhet të jetë e njohur nëpërmjet provimit të shtetit.


Gjuha e huaj e mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës do të shoqërohet me pikë plus për të gjithë mësuesit që janë diplomuar para janarit të 2010-s. Nëse mësuesi ka siguruar të paktën shtatë kredite për çdo vit të kualifikimit nga lista e programeve të akredituara.



(Portali Shkollor) 

5,095 Lexime
1 muaj më parë