Ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar

Kumbaro në Kuvend: I japim zgjidhje shqetësimit të pagesës për 6761 mësues të punësuar para vitit 2017

Në Kuvend u prezantuan ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar. Ministrja Kumbaro kërkoi mbështetje për trajtim financiar të barabartë për 6761 mësues të punësuar para vitit 2017. Ajo foli edhe për zgjerimin e programit “Pas Shkolle” dhe shtimin e olimpiadës së gjuhëve të huaja nga viti i ardhshëm.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, ministrja Kumbaro kërkoi mbështetjen e përfaqësuesve të Kuvendit të mbështesin trajtimin financiar të të gjithë mësuesve të punësuar në sistemin tonë arsimor përpara vitit 2017.



“Një nga ndryshimet kryesore, lidhet me standardizimin dhe harmonizimin e normave ligjore për trajtimin financiar të personelit mësimdhënës që janë punësuar përpara datës 01 mars 2017 më kohë të plotë dhe pa afat dhe që zotërojnë diploma që referuar ligjit  “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, diplomat e tyre nuk ekuivalentohen me 8 semestra, për shkak të kohëzgjatjes së programeve të studimit. Janë 6,761 punonjës mësimorë që do të përfitojnë nga kjo nismë, lidhur me trajtimin e barabartë të kësaj kategorie në raport me personelin mësimdhënës,” tha ministrja Kumbaro.


Ministrja theksoi se ky propozim që paraqitet sot vjen në kuadrin e politikave të Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e personelit mësimdhënës, si një element kyç në edukimin e brezit të ri dhe formimin e së ardhmes.


“Ky hendek lindi pas rritjes historike të pagave që Qeveria Shqiptare ndërmori në korrik të vitit 2024, kur për herë të parë pagat e punonjësve arsimorë pësuan një rritje shumë kuptimplotë, duke e çuar pagën mesatare të një mësuesi deri në 950 euro. ka qenë në vullnetin e Ministrisë së Arsimit që nga dita 1 për t’i dhënë rrugëdalje këtij problemi; Por kjo çështje, teksa po gjendej zgjidhja ligjore, u dërgua nga një grup interesi në Gjykatën Kushtetuese, duke sjellë bllokimin e këtij procesi deri në shprehjen e Gjykatës. Me t’u shprehur instanca më e lartë e drejtësisë, sigurisht rimorëm këtë kauzë duke punuar bashkë me ekipin e Ministrisë së Arsimit shumë intensivisht gjatë këtyre javëve”, vijoi ministrja e Arsimit.


Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro kërkoi gjithashtu mbështetjen për një shtrirje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të programit “Pas shkolle”.



“Programi “Pas Shkolle” synon ta shndërrojë shkollën në një mjedis komunitar, social dhe edukativ, ku fëmijët të kenë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre përmes veprimtarive jashtëkurrikulare, të qëndrojnë larg ndikimit të tepruar të ekraneve dhe të ndihen të sigurt e të mbikëqyrur edhe përtej orarit mësimor dhe kërkon një bazë të qartë ligjore dhe rregullatore. 


Bazuar në përvojat dhe shembujt e vendeve anëtare të OECD-së, si dhe në literaturën e disponueshme profesionale dhe shkencore, veprimtaritë pas shkollës synojnë të krijojnë një mjedis të pasur dhe të sigurt për nxënësit.


Ne besojmë se, me mbështetjen tuaj, “Pas Shkolle” mund të shtrihet në mënyrë graduale dhe të strukturuar në të gjithë sistemin parauniversitar, duke u kthyer në një model të qëndrueshëm që i shërben jo vetëm fëmijëve, por edhe familjes dhe komunitetit në tërësi”, tha ministra Kumbaro.


Ministrja Kumbaro njoftoi se nga viti tjetër, pjesë e olimpiadave kombëtare, do të jetë edhe olimpiada e gjuhëve të huaj.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

726 Lexime
3 orë më parë