të rinjtë dhe letërsia

Letërsia e të rinjve pas vitit 1990. Vendi që zë në letërsinë bashkëkohore

Para 90-ës, metoda e realizmit socialist, pati krijimin e mitit të njeriut të ri. Ky tentim e largoi shumë letërsinë prej njeriut si individ, prej subjektit; duke çuar në një ikonografizëm sundues dhe në një kodifikim tërësor të karaktereve.

Koha është treguesi më i saktë i jetimit të shkrimtarit, ajo të pluhuros, të ringjall, ose në të paktën e herës të mban në krye të listës. Tentimi më i rëndësishëm i letërsisë është të krijojë. Para 90-ës, metoda e realizmit socialist, pati krijimin e mitit të njeriut të ri. Ky tentim e largoi shumë letërsinë prej njeriut si individ, prej subjektit; duke çuar në një ikonografizëm sundues dhe në një kodifikim tërësor të karaktereve. “Njeriu i ri socialist”, ishte projekti më kontradiktor që njohu historia politike e njerëzimit në modelimin, përshtatjen, kontrollin, kodifikimin dhe programimin e subjektit, si dhe progresin e shoqërisë në funksion të interesave të paracaktuara.


Pas 1990 – ës, njeriu i tranzicionit, udhëtonte mes së vjetrës dhe së resë, etja për liri tematike, lirinë e të shprehurit, lirinë e përqafimit të së ndaluarës, sollën letërsinë e një brezi të ri si pjesë e një gjedheje të panjohur paradigmatike, si: “ideologji e re”, “rend i ri”, “familje e re”, “art i lirë”, “realitet politik në tranzicion”, “shoqëri në liri”, “moral të ri”. 


Historia politike e totalitarizmit njohu dhe njeh heroin e bindur në epërsinë e vet misionare. “Njeriu i ri”, edhe për aq sa u shfaq në letërsinë shqipe të asaj periudhe, ishte si një outsider, i ardhur në realitetin e dytë prej një mjedisi krejt tjetër, si një “banor” i propagandës dhe mbeti një shembullzim i saj. Njeriu i programuar që duhej të bashkonte në një arketip gjithë heronjtë e letërsisë së realizmit socialist, rezultoi një projekt i pakryer, ashtu siç mbeti dhe në jetën e shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. 

Po në letërsinë e shekullit të 21-të, ka gjithfarë tentimesh të reja, që duken sikur kanë lidhje me traditën të mëparshme apo me ndonjë manifest zhvillimesh të tjera letrare brenda dhe jashtë vendit . Të rinjtë e pas 90-ës, edhe mund të bëheshin rrëfyes identitarë te realitetit të ri me të cilën u përballën, duke përzgjedhur tema të mëdha, por në poezitë e pafundme të tyre ke heroin e realizmit shqiptar që mbahet peng i së shkuarës edhe pse i kushtohet së ardhmes, përballë kantierit të djeshëm ke emigrimin, reparti ka përballë shkatërrimin, kolektivizimi ka individualizmin, kazma e pushka ka përballë etjen e shformimin, mali e kështjellës  ka përballë urat, piramida e kufirit ka lirinë, pranvera e dielli kanë zymtësinë e kotësinë. Dje shumica e veprave të I. Kadaresë, por edhe të disa shkrimtarëve të tjerë, ishin të mbrujtura me mite , sot po sundon një mit i ri, miti i urbanizimit të letërsisë. Letërsia e një kombi pasqyron psiken e tij, ajo mbetet një domen real i fizionomisë së një kombi, ajo kuptohet e vlerësohet si shkalla më universale e identifikimit të një kombi, ku ndërthuret shpirti e identiteti nacional. Njëkohësisht ajo ndërthur kohë, ideale, kontradikta, perceptime për botën në trajtën e shkrimit fiksional. Si e tillë, letërsia jo gjithherë është kuptuar drejt, në shoqëri tranzicionale ka qenë e mbetet arena më përshtatshme për tu  manipuluar. 


Një tekst duhet kuptuar si një veprimtari, si një përpjekje e marrësit (receptuesit), larg së qeni nga subjekti pasiv, dhe që luan rol të dorës së parë në ecurinë e komunikimit. Është receptuesi ai që i jep kuptim një teksti.


Kështu çdo vepër i nënshtrohet horizontit të pritjes , në të cilin ndërhyn niveli i veprës, kuptuar si tërësi e tipareve që e bëjnë atë të lexueshme dhe ai i publikut që duhet kuptuar si tërësi kriteresh, të përvetësuara nga lexuesi e që parashihen prej tij të gjenden në një vepër të re.


Prodhimtaria krijuese e të rinjve të pas 90-ës vërteton se letërsia është zanat dhe zanati mësohet po t’i dedikosh shpirtin, kohën dhe vëmendjen e duhur. E tanishmja e kulturës është pasqyrë e kohës, prandaj është i nevojshëm dallimi dhe vlerësimi i asaj që çdo epokë, jo vetëm prodhon, riaktualizon dhe importon, por edhe përjashton. E gjitha kjo ndodh duke e vëzhguar në brendi krijimet e tërthorta (transversale), që ngjiten, zbresin, apo shfaqen të qëndrueshme, pa të cilat çdo kulturë do humbiste pjellorinë.


“Letërsia” ekziston, por është e vështirë ta përcaktosh; që “Letërsia” mund të hidhet poshtë nga një teori e cila më pas do të zëvendësojë problemet aktuale dhe në të ardhmen do të thjeshtonin lundrimin në studimet letrare, dhe kjo është vetëm një pyetje e gjetjes së një teorie të saktë, në fiksimin e kritereve të përcaktuara. Gjithsesi kjo nuk është se si teoria funksionon. Nuk është çështja se teoria njeh një objekt ose koncept para - ekzistues dhe vazhdon të formulojë saktë (ose, të paktën, në koherencë) përshkrimin e atij objekti. Përkundrazi, objekti ose koncepti në kuptimin e vërtetë është i ndërtuar nga Teoria. Pra, “Letërsia” është një entitet i ndryshëm i varur në atë se si teoria ndërton konceptin, pavarësisht se “ajo” është teorizuar nga Roman Jakobson, nga Northrop Frye, apo Wolfgang Iser, dhe kështu me radhë”.


Ne nuk përpiqemi të shpjegojmë se ku i ka pikat e dobëta kjo letërsi nxitëse dhe e prodhuar nga poetë a shkrimtarë që gjenerojnë transmodelim të letërsisë bashkëkohore, duke riaktivizuar  krijuesin e vërtetë. Kjo jo për natyrën abstrakte të krijuesve të rinj, por më tepër për mungesën e së vërtetës, për mungesën e një komunikimi të lirë. Letërsia e krijuesve të rinj më së tepërmi vazhdon të vuajë nga klanet dhe oportunismi i botuesve si dhe mosleximi, të cilët sot realisht janë pengesa më e rrezikshme e letërsisë shqipe. Ata i shërbejnë klaneve, i shërbejnë antikulturës, jo vlerave, i shërbejnë fragmentimit, izolimit të saj. Një letërsia e klanizuar në emra të përzgjedhur nga e djeshmja dhe botuesit  është e njëjtë me letërsia dhe jo vlerat. 


Është pikërisht kjo gjendje e mjerë, që e pengon letërsinë e ditëve të sotme të ketë një vend të vetin në letërsinë shqipe, si një sistem vlerash universale, atë e pengon komunikimi i natyrshëm, i mungon shija për të kultivuar art. Klanizimi në të gjitha fushat e jetës e bën letërsinë të jetë e fragmentare, jashtkomunikuese dhe e diktuar politikisht nga vetë shkrimtarët, (Ben Blushi, Blendi Fejvziu etj.) Autori bëhet i “madh” nëse struket pas një banke favorizuesish në portale, pas  klaneve dhe grupeve të caktuara, duke harruar se arti e vlera universale e tij, nuk ka nevoje për mburoja. Ndërsa autori i vërtetë  si R. Dibra, V. Graci, F. Kongoli, L. Lleshanaku, Ag Apolloni, Ledia Dushi, B. Mustafaraj, E. Dones, shkrimtarë që vërtet përfaqësojnë vlera të njëmenda, e kanë të vështirë t’i ofrohen lexuesit shqiptar, të molepsur nga imazhi i reklamës, nuk arrijnë as ti afrohen nivelit mesatar te shkrimtarit perëndimor.


I shoqëruar nga kriza e leximit dhe kriza e vlerave, shkrimtari i vërtetë përballet me krizën letrare dhe çorientimin e vlerave, lexueshmëria e librit sot është një tregues i frikshëm. Letërsia e krijuesve të rinj është në krizë, ashtu sikurse e gjithë shoqëria, letërsia, në shumë tregues qëndron në majën e deformimeve, ku shija artistike është kapluar dhe shkrimtari s’është asgjë tjetër veçse një kopje e shëmtuar  e shkrimtarit real, ajo vetëkënaqet pafundësisht me një promovim me 70 miq, është e pa orientuar, mbetet brenda një rrethi vicioz, nuk i tejkalon kufijtë letrar të kryeqendrave, dhe aty me atë promovim në të shumtën e herës vdes. Ndërsa në krye të kësaj letërsie vazhdon të qëndrojnë të vjetërit si: D. Agolli, Xh. Spahija e I. Kadareja që mundën të krijojnë kryevepra letrare si brenda realizmit socialist ashtu dhe jashtë saj. Suksesi i tyre është guximi krijues, për të kërkuar rrugë të reja në paraqitjen e botës shqiptare.

(Dr. Ermira Ymeraj, Portali Shkollor)

3,510 Lexime
6 vjet më parë