MASR

Librat falas, Ministrja Shahini: Këtë vit zgjeruam më tej skemën mbështetëse për libra falas

Për vitin e ri shkollor përfitojnë libra falas nxënësit e klasave 1-7-të dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të. Kjo skemë mbështetëse nga buxheti i shtetit prej 800 milion lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ka publikuar një prej punëve të realizuara gjatë vitit 2020, konkretisht e cila lidhet me zgjerimin e skemës mbështetëse për shpërndarjen e librave falas për nxënësit e vitit të shkollor 2020-2021.


Përkundër presionit financiar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia e COVID-19, Ministrja Shahini nënvizon se “këtë vit kemi zgjeruar skemën mbështetëse të librave falas, me përfitues direkt nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të”. 


Në njoftimin e shpërndarë nga MASR thuhet se kjo skemë mbështetëse nga buxheti i shtetit prej 800 milion lekësh u vjen në ndihmë direkt mbi 250 mijë nxënësve përfitues në të gjithë vendin, duke ulur koston financiare të familjeve shqiptare dhe përmirësuar gjithashtu qasjen e nxënësve në arsim, veçanërisht nxënësve romë dhe egjiptianë, të cilët kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.



LIBRA FALAS PËR VITIN E RI SHKOLLOR 2020-2021

  • Libra falas për të gjithë nxënësit nga klasa parë deri në të shtatën.
  • Libra falas për nxënësit e kategorive të veçanta sociale deri në klasë të 12-të.
  • Mbi 250 mijë nxënës përfitues.

Kaltra Tafani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,398 Lexime
3 vjet më parë