Bullizmi në shkollë

"Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në shkollë"

Në gjimnazin “Sandër Prosi” u organizua “Dita e dyerve të hapura” në fokus të së cilës ishte bashkëpunimi i të gjithëve për të luftuar bullizmin në shkollë. Nxënësit nëpërmjet forcës së fjalës i ftuan të gjithë t’i thonë “stop bullizmit”.

Gjimnazi “Sandër Prosi” sot hapi dyert e shkollës dhe ju dërgoi një ftesë të gjithëve të bashkohen për t’i thënë “Stop Bullizmit”. Është një plagë e shoqërisë e cila nga dita në ditë është e pranishme në jetën e gjithsecilit, e veçanërisht të gjimnazistëve. Rrjetet sociale duket që i kanë dhënë krahë bullizmit. Por sot, nxënësit nën drejtimin e mësuesve dhanë mesazhe të forta kundër bullizmit duke treguar ngjarje nga jeta e tyre, duke recituar vargje të krijuara nga vetë ata, video të përgatitura si dhe një ekspozitë me piktura.


Ky aktivitet u organizua në kuadër të një projekti të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian i cili synon ndërgjegjësimin e nxënësve dhe luftën kundër bullizimit. Pjesë e këtij projekti janë 21 shkolla në Shqipëri të cilat do të zhvillohen aktivitete në ditët në vijim.

Aktiviteti ishte menduar të zhvillohej në salla të ndryshme. Kështu që sapo përfundonte një performacë, nxitonim për të parë një tjetër, kjo i dha më shumë ngjyra aktivitetit sepse nga salla në sallë kishte mundësi që të diskutohej për atë që panë. Nxënësit ia dolën të fitonin të gjithë vëmendjen e të pranishme dhe t’i rrëmbenin ata në botën e tyre.

Drejtoresha e shkollës Luljeta Basha tregoi para të pranishmëve se për të dhe shkollën që drejton është shumë e rëndësishme që bullizmi të luftohet dhe nxënësit të ndërgjegjësohen, t’i shtrijnë njërit-tjetrit dorën për ta ndihmuar dhe për ta kuptuar. Për të mësuar disa të dhëna se sa i pranishëm është bullizmi në shkollë u realizua një pyetësor nga psikologia e shkollës i cili u plotësua nga 30 nxënës, ndër të cilët 18 vajza dhe 12 djem. Të qenit anonimë bëri që nxënësit të tregonin të vërtetat e tyre.

Të dhënat treguan se bullizimi është i pranishëm në shkollë, vetë nxënësit treguan se janë ndjerë të prekur nga një formë e bullizmit por edhe kanë bulluar dikë tjetër. Vendi ku më shumë ishte i pranishëm ky fenomen është oborri i shkollës. Pikërisht në këtë ambient ku ata janë më të lirë për biseduar me njëri-tjetrin pa praninë e mësuesve apo prindërve, duket sikur nxënësit e kanë të vështirë të gjejnë veten në këtë hapësirë.

Të dhëna


67 % e të anketuarve treguan se kanë parë nxënës që ngacmoheshin.

37 % e të anketuarve treguan se janë ndjerë të përjashtuar.

40 % e të anketuarve treguan se shkak për ngacmimin e të tjerëve është personaliteti.

40 % e të anketuarve treguan se ngacmimet ndodhin në oborrin e shkollës.

57 % e të anketuarve nuk pranuan t’i përgjigjen pyetjes: “Sa herë ju kanë ngacmuar?”

Disa nxënës ndanë me të pranishmit në shenjë solidariteti eksperiencat e tyre, kur ata janë ndier të bulluar dhe se si kanë reaguar. Një vajzë tregoi se pas një debati me shoqen e saj të ngushtë në rrjetet sociale kishte filluar një “luftë” kundër saj. “Shikoja dhe lexoja vargje që shkruhej se i kisha thënë unë, por nuk ishte e vërtetë! Foto me përshkrime të ndryshme fyese! Ajo periudhë e jetës time ishte e tmerrshme! Jam ndier keq dhe kam qarë për ditë të tëra”, - tha ajo.


Ndërsa një tjetër tregoi brengën që e kishte munduar prej vitesh me radhë dhe akoma kishte njerëz që prania e saj i bënte të reagonin ashpër vetëm sepse ajo mban syze! Rrëfimi i radhës na dërgon në sfidat e një familjeje me kushte të vështira që bën gjithçka për arsimimin e vajzës e në vend që kjo vajzë të mbështet tregohet me gisht: “Erdhi varfanjakja”. Problemi i radhës ishte gjatësia! Ai nuk kishte miq e shokë sepse ishte i shkurtër dhe fëminor. Kjo e pengonte të shoqërohej me bashkëmoshatarët, ata nuk e pranonin për shkak të gjatësisë!

Të gjitha këto situata falë mbështetjes të njerëzve të dashur, familjes, tashmë kanë kaluar dhe ata janë të aftë sot të përcjellin para shokëve të tyre mesazhe të forta të cilat është shumë e vështirë të mos dëgjohen.


Sa të fortë e të guximshëm aq edhe realist ishin nxënësit e gjimnazit “Sandër Prosi”. Ata pranuan se ka bullizëm, që e kanë përjetuar, që është një gabim e lëndon të tjerët; por nga ana tjetër ata synonin ta minimizonin, pasi ishin të bindur që bullizmi nuk mund të eliminohet plotësisht.

Koordinatorja e grupi të projektit në shkollën "Sandër Prosi", mësuese Eljana Brahja, tregon se nxënësit kanë qenë shumë të angazhuar gjatë gjithë fazës së përgatitjes për këtë aktivitet. Gjithçka e kanë realizuar vetë. Krijimet, videot, pikturat janë idetë origjinale të këtyre nxënësve.

Interpretimet e nxënësve prekën të gjithë të pranishmit! Nxënësit arritën të depërtojnë tek secili prej tyre duke i bërë që të ndjehen si ata. Zëri u buronte nga shpirti, emocionet i tek-tuk i bënin të dridheshin por ata ishin të vërtetë në gjithçka që realizuan.

Ekspozita me piktura e nxënësve.

(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

15,867 Lexime
6 vjet më parë