MAS : Denonconi të gjitha format e dhunës në shkolla

MAS fton të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit, mediat dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune

Nisur nga një video e datës 07.01.2016 e transmetuar në emisionin investigativ “Stop” në televizionin Klan, ku një mësuese ushtron dhunë fizike mbi një nxënës gjatë orës së mësimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron opinionin si më poshtë vijon, se:

Menjëherë pas transmetimit të kësaj video, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, i është drejtuar personalisht Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë Qytet për nisjen e grupit të inspektimit për verifikimin e ngjarjes që shfaqet në video. Pas verifikimit, ditën e sotme, rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Lumturi Bulku, mësuese me 38 vite pune në profilin Edukim Figurativ.

Ngjarja ka ndodhur në muajin nëntor, 2015, gjatë orës së Edukimit Figurativ, në klasën e VIII -të,  të shkollës 9-vjeçare “Ramazan Jarani”, Tiranë.

Në këto kushte, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë në bashkëpunim me shkollën kanë filluar menjëherë procedurën disiplinore të largimit nga puna të mësueses për shkak të përdorimit të dhunës fizike ndaj nxënësve. 

Ministria e Arsimit informon të gjithë opinion publik, se një nga prioritet e saj në drejtim të sigurimit të cilësisë së dijes, përmirësimit të jetës dhe garantimit të formimit të një personaliteti të shëndoshë të fëmijëve shqiptar në institucionet arsimore parauniversitare për vitin e ri shkollor 2015-2016, mbetet vazhdimësia e zhvillimit të fushatës kombëtare për parandalimin e dhunës në shkolla.

Gjithashtu, duke dënuar ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit, fton të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit, mediat dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës.

MAS përshëndet dhe falenderon gazetarët e emisionit investigativ të televizionit Klan për zbulimin e rastit në fjalë, puna e të cilëve është një ndihmë e paçmuar në nismat dhe hapat e ndërmarra nga Ministria në parandalimin e dhunës në shkolla. 

843 Lexime
4 vjet më parë