Reagimi

MAS: Kopshti “Stinët” i palicencuar, kemi kërkuar mbylljen e tij dhe ngritjen e Task-Forcës për shërbimet parashkollore

Ministria e Arsimit ka kërkuar mbylljen e kopshtit ku ndodhi dhunimi i vogëlushes 3-vjeçare: ishte i pa licencuar; kemi ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe policinë e shtetit.

Pas ngjarjes së rëndë të transmetuar mbrëmjen e djeshme në një emision investigativ, ku në një video shihet dhuna që ushtron një edukatore ndaj një vajze 3-vjeç me këmbë të thyer brenda kopshtit "Stinët", ditën e sotme Ministria e Arsimit  ka dal me një reagim. 


Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëhershme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.


Ndërkohë MAS ka njoftuar se bashkë me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Inspektoratet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që  institucionet arsimore, publike apo private, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi.


Ndër të tjera në reagimin e MAS për këtë ngjarje shkruhet: 

“Ministria e Arsimit nuk toleron asnjë formë të dhunës ndaj fëmijëve në ambientet arsimore, publike apo private. MAS ka ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe policinë e shtetit. Ministria e Arsimit dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve. Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e të drejtave themelore të tyre dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Ministria e Arsimit do të jetë e vendosur në luftën kundër dhunës në ambientet arsimore për të siguruar që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur”.



Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,025 Lexime
11 muaj më parë