MASHTI

MASHTI planifikon ndërtimin e çerdheve në disa komuna të Kosovës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbnore Nagavci, mbajti sot konferencë për media, në të cilën foli për ndërtimin e çerdheve në disa komuna.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbnore Nagavci, mbajti sot konferencë për media, në të cilën foli për ndërtimin e çerdheve në disa komuna.  


Nagavci njoftoi se Ministria e Arsimit ka siguruar fondet e nevojshme për ndërtimin e çerdheve në disa komuna të Kosovës dhe se puna për ndërtimin e tyre do të fillojë sa më parë.


“Kemi ndarë buxhetin e nevojshëm dhe kemi siguruar fondet për ndërtimin e institucioneve parashkollore. Prandaj, është e rëndësishme që komunat ta marrin me prioritet sigurimin e lokacioneve të përshtatshme për leje të ndërtimit, në mënyrë që ndërtimi i çerdheve të fillojë sa më parë”, tha ajo.


Ajo tha se është kompetencë dhe përgjegjësi e komunave që të sigurojnë legjislacionin dhe të dërgojnë kërkesat formale për inicimin e procesit për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve.


Nagavci, gjithashtu, tha se ndërtimi i çerdheve dhe kopshteve, si dhe rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, është prioritet i tyre.


“Gjatë kësaj periudhe, kemi punuar me shumë përkushtim dhe jemi angazhuar që të krijojmë kushte për përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, rritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe mbi të gjitha përmirësimin e qasjeve në edukimin e femijërisë së hershme. Ne jemi të bindur se çdo fëmijë meriton kujdes institucional për një zhvillim të shëndetshëm në fëmijërinë e hershme dhe për zhvillimin e tyre tërë jetësor”,  përfundoi Nagavci.



Sipas Nagavcit, Ministria e Arsimit, vitin e kaluar ka përfunduar një analizë vlerësimi për nevojat e ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve në nivel të Republikës së Kosovës. 

Ndërsa, këtë vit pas bashkëpunimit me kryetarët e komunave të Kosovës dhe gjetjen e lokacioneve të duhura, çerdhet do të fillojnë të ndërtohen.



Linku i plotë: Kliko këtu



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

612 Lexime
4 muaj më parë