LAJMI

MASR: javën që vjen pritet të fillojë praktika profesionale për 1500 mësues të sapo diplomuar

Nga zyra e shtypit e MASR kemi marrë informacionin se brenda javës tjetër pritet që të fillojë praktika profesionale, sipas numrit të praktikantëve që do të shpërndahet në çdo Zyrë Vendore Arsimore.

Plotë 1500 të diplomuar do të ushtrojnë profesionin e mësuesisë me kontratë të përkohshme këtë vit.  Sipas një informacioni të marrë nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, një lajm i mirë vjen për kandidatët: stazhi për ta pritet të fillojë brenda javës tjetër, sipas numrit të praktikantëve që do të shpërndahet në çdo Zyrë Vendore Arsimore. 

Në lidhje me praktikat profesionale të mësuesve ju bëjmë me dije se me VKM nr. 686, datë 23.10.2019 është miratuar numri prej 1500 praktikantësh për kryerjen e praktikës profesionale. Në zbatim të kësaj VKM, MASR po përgatit urdhrin për shpërndarjen e këtyre 1500 praktikantëve në çdo Zyrë Vendore Arsimore. Brenda javës tjetër pritet që të fillojë praktika profesionale sipas numrit që do të shpërndahet në çdo ZVA”- thuhet në përgjigjen që "Portali Shkollor" ka marrë nga zyra e shtypit e MASR. 

Këshilli i Ministrave ka miratuar pak ditë më parë kryerjen e praktikës profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit. 




VKM nr. 686, datë 23.10.2019


"Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, i paguan praktikantit, çdo muaj, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi”, sqarohet në vendim. 

Shpërndarja e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale, me kontratë të përkohshme, për të gjitha institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, për secilin vit shkollor, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, bazuar në kërkesat e institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. 

Ndërkaq, efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2019 mbulohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në buxhetin e vitit 2019, sipas numrit të praktikantëve të pranuar nga institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. 



Synimi i praktikës profesionale


Praktika profesionale synon :

1. Sigurimin e cilësisë së mësimdhënies nga mësuesit e rinj dhe performancë të lartë të profesionit të mësuesit;

2. Përvetësimin e mëtejshëm të njohurive teoriko-profesionale, të aftësive e shprehive praktike dhe normave të etikës e të sjelljes së mësuesit;

3. Zhvillimin e kapaciteteve të mësuesve të ardhshëm për një përshtatje më të mirë ndaj ndryshimeve të kurrikulës, mësimdhënies si dhe komunikimit me fëmijët dhe të

rinjtë.


(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

5,271 Lexime
1 javë më parë