MATURA 2019

“Matura 2019”, si duhen plotësuar formularët A1 dhe A1Z

Plotësimi i formularëve A1 dhe A1Z nga maturantët që do të garojnë për studimet e larta ka nisur. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara rregullat e plota në lidhje me plotësimin e secilit formular, si dhe listën e lëndëve për provimin me zgjedhje.

Ndryshe nga vitet e shkuara, për 2019-n plotësimi i formularëve A1 dhe A1Z nga maturantët që do të garojnë për studimet e larta gjatë vitit të ri akademik tashmë ka nisur. Dikasteri i Arsimit, si dhe Qendra e Shërbimeve të Arsimit kanë zbardhur udhëzimet përkatëse se si duhet të veprojnë maturantët e këtij viti shkollor, si dhe ata të maturave të shkuara, për të plotësuar dy formularët për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje që do të japin në maturën e 2019. Rezultatet kaluese të këtyre provimeve janë vendimtare për të hyrë në garë për studimet e larta në një nga institucionet e arsimit të lartë publik, apo privat. Zyrtarisht, lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga listat e miratuara për secilin profil shkollor. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara rregullat e plota në lidhje me plotësimin e secilit formular, si dhe listën e lëndëve për provimin me zgjedhje.


Plotësimi i formularit A1

Formulari A1 plotësohet online. Të drejtën e plotësimit të këtij formulari e kanë vetëm maturantët e vitit shkollor 2018-2019. Plotësimi i Formularit A1 fillon në Portalin Qeveritar e-albania, dhe përfundon në shkollë në portalin e Maturës. Procesi i plotësimit të formularit A1 në shkollë ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Ky i fundit pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi vendos kodin në sistem, maturanti mund të përfundojë plotësimin e formularit A1 në shkollë. Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, formulari i plotësuar duhet të printohet, si dhe të nënshkruhet nga maturanti dhe mbikëqyrësi, si dhe të vuloset nga drejtori i shkollës ku plotësohet formulari A1. Po sipas udhëzimit, shkolla është e detyruar që të ruajë një kopje të formularëve të printuar deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2019. Numri i lëndëve që do të zgjidhet nga maturantët e këtij viti është vetëm një, dhe jo dy, sikundër ka qenë në maturat e viteve të shkuara. Kandidati përzgjedh nga lista e detajuar në vijim, vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Përzgjedhja e kësaj lënde bëhet sipas profilit të shkollës së mesme që maturanti ka kryer. Për shkollat profesionale, Teoria profesionale është e zbërthyer në profile sipas indeksit të shkollave. Maturanti i shkollave profesionale zgjedhjen e lëndës me zgjedhje (që për ta do të konsiderohet provim i detyruar) duhet ta bëjë detyrimisht nga lëndët e listuara në grupin e tretë të specifikuar “Për shkollat e mesme profesionale”.


Plotësimi i formularit A1Z

Tre janë kategoritë e maturantëve që kanë të drejtë të aplikojnë online në formularin A1Z. Konkretisht, bëhet e ditur se formulari A1Z mund të plotësohet nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2019 dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të Maturës Shtetërore. Të drejtën e plotësimin të këtij formulari e gëzojnë edhe kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit dhe që kanë kryer njehsimin e diplomës në komisionin përkatës në QSHA, dhe që rezultojnë se kanë detyrim për të dhëne një, ose disa provime të Maturës Shtetërore. Formularin e plotësojnë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit, që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2019, por që dëshirojnë të vazhdojë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë. Për të plotësuar formularin A1Z secili kandidat duhet të paraqesë tek mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga shkolla, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi, veç  gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: “Provimet e detyruara dhe vlerësimet e shkallëzuara të secilit provim, nëse ato rezultojnë të fituara nga kandidati, si dhe provimin me zgjedhje që dëshiron të mbartë dhe vlerësimin e shkallëzuar të tij”. Vërtetimi pas përfundimit të aplikimit i bashkëngjitet kopjes së formularit A1Z, që mban shkolla dhe dorëzohet në QSHA, 5 ditë pas përfundimit të aplikimeve.


Lëndët e detyruara që mbarten

Kandidatët e viteve të shkuara që rikthehen në garë për studimet e larta nuk janë të detyruar që të japin provime të detyruara në rastin kur gjatë viteve të shkuara kanë rezultuar kalues në to. Kjo gjë konfirmohet gjatë plotësimit të formularit A1Z ku shënohen edhe tre lëndët e detyruara, përbri të cilave plotësohet nota e përshkallëzuar që kandidati ka fituar, ose që i njihet, apo i është konvertuar nga komisionet përkatëse, si lëndë D1, D2, apo D3. Sa i takon provimit të detyruara të gjuhës së huaj në udhëzuesin e plotësimit të formularit A1Z bëhet e ditur se kandidatët e maturave të para 2014 nuk kanë detyrim për të dhënë provimin D3. Gjatë plotësimit të formularit ky kandidat i maturës para 2014, zgjedh emërtimin “Nuk zgjedh” në fund të listës së lëndëve të gjuhëve të huaja. Kandidatët e Maturës Shtetërore 2014-2018, nuk lejohen të zgjedhin opsionin “Nuk Zgjedh “. Ata duhet të zgjedhin detyrimisht lëndën e gjuhës së huaj që do të japin provim, ose të deklarojnë lëndën e gjuhës së huaj dhe notën e shkallëzuar të saj, në rast se e kanë shlyer këtë provim.


Mbartja e lëndës me zgjedhje

Kandidati zgjedh nga lista lëndën me zgjedhje që do të mbartë dhe shënon vitin kur e ka dhënë dhe notën e shkallëzuar që e ka fituar, që i njihet, apo i është konvertuar nga komisionet përkatëse, për këtë lëndë. Kandidati që në maturat shtetërore 2012-2018 ka dhenë 2 lënde me zgjedhje dhe është shpallur kalues në njërën prej tyre do ta mbartë atë. Kandidati që në maturën shtetërore 2012 ka dhëne 3 lëndë me zgjedhje dhe është shpallur kalues në dy prej tyre mund të mbartë vetëm njërën lëndë përzgjedhja e të cilës bëhet sipas dëshirës. Ndërsa kur ka qenë kalues vetëm në njërën nga lëndët me zgjedhje të kësaj mature, nuk mund ta mbartë atë. Në këto raste kandidati duhet që të rijapë një lëndë me zgjedhje, nga lista e lendeve të miratuara për maturën e këtij viti.


Mbartja e lëndëve për shkollat profesionale

Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme profesionale duhet të mbartë lëndën e Teorisë Profesionale të integruar, nëse e ka dhënë dhe ka rezultuar kaluese. Nëse nuk e ka dhënë, ose ka rezultuar jo kalues duhet të rijapë një lëndë të Teorisë Profesionale të integruar, nga lista e lëndëve të miratuara për këtë vit. Nëse lënda me zgjedhje e mbartur është dhënë disa herë provim, do të mbartet nota e marrë në vitin e fundit.


Rregullat për provimet

Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën e këtij viti është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Institucionet arsimore vendore që janë përgjegjëse për arsimin parauniversitar do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor dhe brenda datës 5 qershor duhet që t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik “matura online”, sipas udhëzimit përkatës. Më pas drejtoritë e shkollave duhet të informojnë mbetësit që të mos paraqiten në ditët e përcaktuara për zhvillimin e provimeve. Gjithashtu, është vendosur edhe për grafikun e konsultimeve që mësuesit e secilës lëndë duhet të zhvillojuni me nxënësit e tyre.


Masat ndëshkimore

Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi kur: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”. Po sipas rregullores maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.


Rregullat për maturantët e viteve të shkuara, 4 kushtet për lëndën me zgjedhje

• Kandidati që mbart nga maturat e viteve 2006-2018 një lëndë me zgjedhje, nuk do të japë provim me zgjedhje.

• Kandidati që ka marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011, dhe dëshiron të aplikojë për studime në Institucionet e Arsimit të Lartë ,por nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje, nga maturat e viteve 2006-2018, nuk janë të detyruar të japin lëndë me zgjedhje. Ata kanë të drejtë që të japin një provim me zgjedhje, kur e kanë të nevojshme për të plotësuar kriteret e pranimit të përcaktuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë.

• Kandidati që nuk ka mbartur lëndë me zgjedhje nga maturat e viteve 2012-2018, duhet të zgjedhë për të dhënë provim 1 lëndë me zgjedhje, nga lista e lendeve me zgjedhje, në përputhje me Udhëzimin Nr. 3, date 14.02.2018, “Për organizmin dhe zhvillimin e provimeve kombëtare të MSH 2019”, i ndryshuar dhe Udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë se Arsimit, Sportit dhe Rinisë, “Për organizimin dhe zhvillimin e provimeve kombëtare të MSH Profesionale 2019”.

• Kandidati i arsimit profesional, që nuk ka mbartur lëndë të Teorisë Profesionale të Integruar, duhet të zgjedhë nga lista e grupit të tretë “Teori Profesionale të Integruar” lëndën që i përket indeksit të profilit/degës që ka kryer në shkollën e mesme.


Provimet e Maturës 2019 do zhvillohen në këto data:

• Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet më 7 qershor.

• Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 12 qershor.

• Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 17 qershor.

• Testet e i provimit me zgjedhje do të zhvillohet me 24 qershor.



(Portali Shkollor)

2,021 Lexime
5 vjet më parë