LAJMI

Matura 2020, zbardhen datat për plotësimin e formularëve A1/A1Z dhe datat e provimeve

Më datë 3 shkurt maturantët do nisin plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z për “Maturën Shtetërore 2020”. Këtë vit provimet do të zhvillohen brenda dhjetë ditëve, nga data 8 deri më 18 qershor. Detajet e tjera i gjeni në artikullin më poshtë.

Maturantët e këtij viti njoftohen se duke nisur nga data 3 shkurt, mund të aplikojnë me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore 2020. Në urdhrin nr. 5 të datës 27.01.2020 të Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), që ka hyrë në fuqi menjëherë, thuhet “Urdhëroj miratimin e periudhës së aplikimeve me formularët A1/A1Z për MSH 2020, në datat 3 deri në 7 shkurt 2020. Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrat Arsimore Vendore dhe institucionet arsimore”. 


Datat e testit


Nga data 8 deri në 18 qershor të vitit 2020, maturantët do të kenë mundësinë të japin 4 provimet e Maturës Shtetërore duke finalizuar kështu arsimin parauniversitar. Por këtë vit, ata do të kenë vetëm 10 ditë për t’iu nënshtruar testimeve. Lëndët e provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore 2020 për arsimin e mesëm të lartë janë: 

a) Provime të detyruara: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e huaj. 

b) Një provim me zgjedhje. 


"Testi i gjuhës së huaj (D3) hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm të lartë”,-thuhet në udhëzim. 


Në këtë të fundit theksohet se provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet i pari, përkatësisht në 8 qershor 2020; për t’u pasuar nga testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë11 qershor 2020; Matematika tre ditë më pas, pra në 15 qershor 2020. Pas kësaj, në 18 qershor 2020 maturantët do të nënshtrohen provimit të fundit, atij me zgjedhje.


Maturantët kanë të drejtë të përzgjedhin për testin me zgjedhje një nga lëndët si: Kimi;-Fizikë; Biologji; Histori; Gjeografi; Qytetari dhe Psikologji; Filozofi dhe Sociologji; Ekonomi; Histori Arti; Histori Muzike; si dhe Histori Baleti.


Më shumë pikë për të marrë një notë kaluese 


Të gjithë maturantët që do t’i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore 2020, tashmë mund të njihen me ndryshimet e rregullores të pasqyruara në Urdhrin e Ministrisë së Arsimit. Këtë vit, nxënësit që do të testohen duhet të bëjnë kujdes sepse duhet të mbledhin më shumë pikë për të marrë një notë kaluese, krahasuar me vitin e kaluar. Kështu, pragu minimal i pikëve për të mos u konsideruar mbetës, nga 20 për qind, është rritur në 25; çka do të thotë se nuk mjaftojnë vetëm përgjigjet e sakta për pyetjet me alternative për të kaluar, por maturantët duhet t’i përgjigjen saktë edhe disa prej pyetjeve me zhvillim. 


“Provimet e maturës zhvillohen vetëm me shkrim. Struktura, datat dhe kohëzgjatja e provimeve të maturës caktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Maturanti/kandidati konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25% të pikëve të testit”,-theksohet në rregulloren e Maturës Shtetërore 2020. 


Në këtë të fundit bëhet me dije se nëse maturantët nuk arrijnë të marrin provimet me detyrim, Gjuhën e huaj, Gjuhën shqipe e Letërsinë dhe Matematikën si dhe provimin me zgjedhje, nuk do të kenë mundësi të marrin diplomën e shkollës së mesme. Ndërkohë dy kriteret për t’u futur në provimet e maturës janë: kalueshmëria në vitin shkollor dhe plotësimi i formularit A1/A1Z.



(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

2,379 Lexime
4 vjet më parë