Risitë

Matura Shtetërore 2021, Ministrja Kushi bashkëbisedim me maturantët për procesin e organizimit

“Vështirësitë gjatë pandemisë do të reflektohen në Maturën Shtetërore 2021”, kështu ka deklaruar Ministrja e MASR, Evis Kushi gjatë një bashkëbisedimi me maturantë dhe mësues nga kryeqyteti rreth procesit të organizimit të sivjetshëm të MSH. Për risitë e tjera ndiqni videon bashkëngjitur këtij artikulli.

Gjatë kësaj jave Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka zhvilluar në ambientet e MASR një bashkëbisedim me maturantë dhe mësues nga kryeqyteti rreth procesit të organizimit të sivjetshëm të Maturës Shtetërore.


“Në bashkëbisedimin e zhvilluar me maturantë të ndryshëm nga kryeqyteti diskutuam rreth procesit të organizimit të Maturës Shtetërore 2021 dhe vështirësive që ka sjellë pandemia e COVID-19, mësimi 'online' dhe më pas ai i alternuar”, shprehet Ministrja Kushi në publikimin e saj.


Në lidhje me vështirësitë e shkaktuara gjatë pandemisë COVID-19, Kushi ka nënvizuar gjithë ndjeshmërinë që MASR ka ndaj këtij shqetësimi, duke cilësuar se do të reflektohet edhe në procesin e hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve të Maturës Shtetërore 2021.

Ndërsa në programin orientues të testeve të MSH përfshihen edhe tema, të cilat janë zhvilluar në kushtet e mësimit “online”, Ministrja Kushi nënvizon faktin se “Qendra e Shërbimeve Arsimore ka treguar shumë kujdes në vlerësimin e atyre aftësive që lidhen me njohuri dhe koncepte që nxënësit i kanë marrë në mënyrë të vijueshme ndër vite, duke shmangur temat që janë prekur për herë të parë gjatë momenteve kritike të pandemisë”, ndërsa në fund i uron shumë suksese të gjithë maturantëve në vend.

Për më tepër ndiqni videon e mëposhtme e cila ju njeh me bashkëbisedimin e plotë të zhvilluar me maturantët në MASR.  

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,387 Lexime
2 vjet më parë