Qytetari dhe dialog

Mësimi në distancë, program i ri britanik për mësuesit dhe nxënësit

"The Ultimate Dialogue Adventure", është programi më i ri mbi qytetarinë dhe dialogun në përgjigje të krizës së krijuar në arsim nga COVID-19 që ofron mundësi për mësim të pavarur online, kryesisht për të rinjtë, por edhe për mësuesit. Këtë program e ofron Instituti Tony Blair në Londër.

Instituti Tony Blair për Ndryshime Globale ka krijuar një program të ri për dialogun dhe qytetarinë globale, që synon të ndihmojë të rinjtë e grupmoshës 13-17 vjeçare dhe mësuesit në kohën kur mësimi në distancë mbetet nga mënyrat e vetme, derisa pandemia vazhdon. 


Programi "The Ultimate Dialogue Adventure" synon të pajisë të rinjtë me dijet, shkathtësinë dhe qasjen e nevojshme për tu bërë qytetarë të përgjegjshëm e mendjehapur në shkallë vendi dhe në nivel global. Ky program është ndërtuar mbi suksesin e programit aktual të arsimit të Institutit, Generation Global, që për mbi 10 vjet ka mbështetur mbi 13 mijë mësues dhe mbi 520 mijë studentë në 30 vende të botës. 


Programi “The Ultimate Dialogue Adventure” është falas për grupmoshën 13-17 vjeçare dhe i mundëson atyre: 

  • të jenë pjesë e një komuniteti global, që lidh në mënyrë të sigurtë të rinjtë nga vende të ndryshme të botës; 
  • të përvetësojnë shkathtësitë e dialogut përfshi të menduarin kritik, të dëgjuarin aktiv, komunikimin global, të pyeturit dhe reflektimin; 
  • të përmirësojnë aftësitë komunikuese në gjuhën angleze në mënyre që t’iu mundësojë dialogun për një morri çështjesh të rëndësishme për ta dhe shoqëritë ku jetojnë; 
  • të ndajnë mendimet dhe përvojat për një morri problemesh siç është rëndësia e edukimit, çfarë lloj arsimimi kemi nevojë, të drejtat e njeriut, ndryshimet klimatike, si të përdorim mediat dhe të dallojme lajmet e rreme, traditat dhe kulturën e vendit të tyre. 


Lucy Hayter, Drejtorja e programit Generation Global në Institut deklaroi: “Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 krijoi një krizë globale në arsim, ku mbyllja e shollave la miliona të rinj jashtë bangave të shkollës. Për shumë nga ne kjo krizë shënon fillimin e një normaliteti të ri, ndërkohë që qeveritë, mësuesit dhe nxënësit përballen me nevojën e gjetjes së mjeteve të reja për mësimdhënie. Si përgjigje ndaj krizës ne po vëmë në dispozicion të nxënësve, mësuesve e prindërve platformën e re ‘The Ultimate Dialogue Adventure’. Ne besojmë se kjo platformë është një mundësi unike për të rinjtë në Shqipëri, ku ata mund të mësojnë dhe krijojnë lidhje me botën në një hapësirë të sigurtë dhe gjithëpërfshirëse. Duke kultivuar shkathtësitë e të menduarit kritik e komunikimin global nxënësit do të rrisin gjasat për të qenë më të përgatitur për tu përfshirë në tregun global si qytetarë të barabartë.” 


Elementet kryesore të programit "The Ultimate Dialogue Adventure": 


Thjeshtësia – Platforma online është e thjeshtë për tu përdorur, i pajisë nxënësit me aftësi dialoguese dhe iu mundëson atyre të rrisin shkallën e dijeve edhe gjatë periudhës që nuk janë në shkollë. 

Falas – Qasja në program është falas për nxënësit dhe familjet e tyre. 

Lehtësi në përdorim – Qasja në platformën online “The Ultimate Dialogue Adventure” mund të bëhet nga çdo lloj kompjuteri, telefoni apo tablete, madje edhe nëse lidhja e internetit nuk është e fuqishme. 

Gjithëpërfshirës  Platforma përmbush të gjitha kriteret për tu përdorur nga të rinjtë me nevoja të posaçme dhe pavarësisht përkatësisë socio-ekonomike të të rinjve. 

Përvoja e përdoruesit – të rinjtë mësojnë përmes lojërave dhe aktiviteteve që e bëjnë të mësuarit të këndshëm. Nxënësit mund të pajisen me certifikata dhe të fitojnë pikë në rrugën e tyre për tu bërë “Master të Dialogut”.

 

Instituti Tony Blair për Ndryshime Globale është themeluar dhe drejtohet nga ish kryeministri britanik Tony Blair. Instituti ndihmon krerët e qeverive dhe shteteve në përballjen me sfidat globale. Momentalisht një ekip prej 200 vetash po ndihmon qeveritë në vende të ndryshme të përballen me krizën e shkaktuar nga COVID-19.


© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,585 Lexime
3 vjet më parë