Mësues-prind

Mësues, ja si mund të bashkëpunoni me prindërit

Meqenëse jemi në fillim të vitit shkollor, në periudhën kur kemi planifikuar plane mësimore vjetore e plane edukative, dua të tërheq vëmendjen në një planifikim tjetër, në atë të komunikimit mësues – prind.

Për një bashkëpunim të suksesshëm mësues - prindër


Janë ditët e para të shkollës dhe prindër e nxënës vërshojnë nëpër shkolla. Ajo që gjithmonë më bie në sy është interesimi i madh i shoqëruar me një lloj shqetësimi që duket hapur në sytë e prindërve, i cili duket sikur humbet gjatë vitit dhe zërat e mësueseve se prindërit nuk interesohen për fëmijët e tyre, sikur vijnë e shtohen. 


Meqenëse jemi në fillim të vitit shkollor, në periudhën kur kemi planifikuar plane mësimore vjetore e plane edukative, dua të tërheq vëmendjen në një planifikim tjetër, në atë të komunikimit mësues – prind. 


Siç e dimë të gjithë, mbajtja e kontaktit me prindërit është shumë e rëndësishme. 

Por a jemi përpjekur ne mësuesit, për të ftuar prindërit në shkollë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që ata të jenë aktivë në edukimin e fëmijëve të tyre? 

I planifikojmë takimet vetëm sipas planit që ka shkolla, apo i takojmë çdo ditë tek porta e shkollës?

Po çfarë duhet të bëjmë që takimet me prindërit të jenë sa më të efektshme?


Si fillim, rekomandohet të dërgohet një letër ku ftohen  për takimin si dhe të hartohet një pyetësor për të dhënë informacion rreth fëmijës së tyre, nevojave, dëshirave, mjeteve shkollore, gjithashtu u bëhet e qartë që nuk kanë detyrim, përfshirja e tyre është vullnetare, secili të përfshihet sipas mundësive. 


Realizimi i takimit

Është mirë që takimi të bëhet në klasën ku zhvillohet mësimi, në të cilën mund të vendosni foto të fëmijëve nga viti i kaluar mësimor. Kjo i ndihmon prindërit të krijojnë një ide për eksperiencat që fëmijët do të kenë në vitin që vijon. 


Filloni duke prezantuar veten. Mund të përdorni programin Poëer point me anë të cilit jepni informacion për veten tuaj,  informacion rreth  programit shkollor si dhe strategjive mësimore që do të përdorni. Gjithashtu gjatë prezantimit mund të drejtohen edhe pyetje. Qëllimi është që të krijoni afrimitet dhe ata ta kuptojnë sa më mirë, se kush jeni ju dhe si do të jetë klasa që ju do të mësoni. 


Përcaktoni një rregullore të hapur ku t’i njihni me rregullat tuaja. Oraret e takimit. Shpesh prindërve u duhet shpjeguar, se ata nuk mund të vijnë në çdo orar dhe nuk mund të hyjnë në mes të orës së mësimit. Në qoftë se ndonjë prind vjen herë pas here pa lenë takim më parë, jini e prerë dhe kërkoni që të respektojë oraret që keni planifikuar më parë. Sidoqoftë jini të hapur nëse prindërit duan të ndihmojnë vullnetarisht.


Gjithmonë ka prindër që nuk marrin pjesë dhe duhet ta kuptojmë këtë. Është mirë që pas mbledhjes t’u shpërndani të gjithë nxënësve një përmbledhje të materialeve që u diskutuan si dhe një letër, me qëllim që edhe prindërit që nuk morën dot pjesë të informohen.


Gjatë vitit shkollor 

Në shkollat publike takimet bëhen sipas planifikimit që bën shkolla. Në fund të çdo tre mujori ju do t’i njihni prindërit me anë të letrave informuese me rezultatet e nxënësve. Gjithashtu në takim duhet t’i njihni me punimet që kanë nxënësit në portofolat e tyre në mënyrë që të shohin ecurinë e fëmijës.


Në fillim të çdo semestri duhet që t’i informoni për objektivat që keni për këtë periudhe kohore dhe gjatë gjithë kohës duhet t’i mbani të informuar me qëllim që të dinë se çfarë ndodh në klasë si dhe të kenë mundësi të ndihmojnë në qoftë se kanë diçka interesante për të ndarë me ju. 


Sot shtrohet me të madhe që shkolla duhet të jetë e hapur për komunitetin. Këtë gjë, ju duhet ta shfrytëzoni duke bashkëpunuar ngushtë me prindërit. Gjithmonë përpiquni të zbuloni disa nga talentet e prindërve, sepse nuk e keni idenë se çfarë surprizash mund të keni dhe çfarë ndihme mund të keni.


Kur disa nga prindërit kanë mundësi të ndihmojnë në klasë përpiquni të koordinoni oraret. 

Në veçanti kur keni një problem me një nga nxënësit kërkoni takim urgjent me prindin. Nëse kontakti me prindin nuk është i mundur, kërkoni ndihmë nga drejtoria e shkollës që të kontaktohet prindi menjëherë. 


Përfundimisht bashkëpunimi  i suksesshëm përmblidhet në tre pika: 

1) Mbani kontakt të rregullt me prindërit.

2) Në qoftë se gjendeni përpara një situate të vështirë, gjithmonë fillimisht dëgjojini me vëmendje dhe pastaj përpiquni të zgjidhni problemin. Përpiquni të jeni të ndjeshëm dhe jo të justifikoheni. 

3) Në qoftë se asnjë nga këto nuk ka sukses kërkoni ndihmën e drejtuesve të shkollës.


(Nga Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

21,074 Lexime
6 vjet më parë