Studimi

Mësues të fillores, kujdes!

Edukojini nxënësit tuaj me ndjenja humane dhe mësojuni sesi të sillen në situata të caktuara. Kujdes mësues të fillores! Keni në dorë një tabelë të bardhë ku mund të shkruani çfarë të doni.

A ka lidhje mes mësuesit të fillores dhe sjelljes devijante në adoleshencë?


Sipas një studimi të Universitetit të Kembrixhit është arritur në konkluzionin se fëmijët që kanë një marrëdhënie pozitive me mësuesin e tyre të shkollës fillore priren të jenë më pak agresiv si adoleshentë.


Studimi zbuloi se koha kryesore për këtë marrëdhënie ishte rreth moshës 10 deri në 11 vjeç, me një marrëdhënie të mirë nxënës-mësues që ndikon dukshëm në zhvillimin e sjelljeve "pro-sociale", si bashkëpunimi dhe altruizmi, si dhe reduktimin e ndjeshëm të sjelljeve në klasë të problemeve si agresioni dhe sjellja opozitare. 


Mësuesit luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve. Nxënësit që ndihen të mbështetur nga mësuesi i tyre i fillores, priren të jenë më pak agresivë dhe më pro-socialë, dhe kjo është rruga e parë që i mëson mësuesi nxënësit të vet, drejt moshës delikate të adoleshencës. Një mësues i pakujdesshëm që qorton, fyen apo nuk e lejon të flasë e të shpreh lirshëm mendimin, e çon nxënësin drejt skutave të pavetëdijes të cilat në moshën e adoleshencës i bëhen pengesë për çdo hap që ai do të hedhë. 


Në një të ardhme jo shumë të largët ai nxënës shfaq deformime të karakterit duke u bërë pse jo, pre e bullizmit dhe kontigjent i krimit. Prandaj, mësues dhe edukator krijoni marrëdhënie të mira më nxënësit tuaj, mos i ofendoni dhe mos i qortoni për përgjigjet e tyre qofshin këto të fundit edhe të gabuara. Lejojini të jenë vetvetja dhe të mos kenë frikë nga e ardhmja. 


Boll më me ndarjen nxënës i mirë e nxënës i keq, jepuni mundësinë të shfaqin talentin e tyre në cfarëdo fushe që ata shfaqin interes. Trajtojini nxënësit si “shokë” dhe vetëm në këtë mënyrë ata do të ecin drejtë, nuk do të paragjykojnë të tjerët. 


Edukojini nxënësit tuaj me ndjenja humane dhe mësojuni sesi të sillen në situata të caktuara. Kujdes mësues të fillores! Keni në dorë një tabelë të bardhë ku mund të shkruani çfarë të doni. E keni në dorë të përdorni ngjyrat që dëshironi dhe të shkruani ose të vizatoni atë që ju vetë dëshironi. Ndihmojini nxënësit tuaj të zgjedhin rrugën më të mirë dhe ajo çka është më e rëndësishme, BUZËQESHNI gjithmonë para nxënësve tuaj.


(Klodjana Gega, mësuese e ciklit të ulët; Portali Shkollor)

28,470 Lexime
5 vjet më parë