7 Marsi

Mësuesit: “Ne nuk kemi më status.” Ja çfarë thonë specialistët, ekspertët, sociologët dhe psikologët

Në këtë 7 Mars, Portali Shkollor Albas sjell në vëmendje një nga problematikat që hasin profesionalisht mësuesit: mosrespektimi i figurës së tyre nga shoqëria dhe shteti. Nisur nga kjo, ne kemi marrë disa mendime nga ish-drejtues të arsimit, drejtues aktualë, ekspertë arsimi, sociologë, psikologë etj.

Dita e Mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Në këtë 7 Mars, Portali Shkollor Albas sjell në vëmendje një nga problematikat që ju mësues thoni se e hasni në profesionin tuaj: mosrespektimi nga shoqëria dhe shteti. 


Në shumë tema dite që ne kemi publikuar, apo artikuj të ndryshëm, ju jeni shprehur se nuk gëzoni më autoritetin e dikurshëm, nuk respektoheni më njësoj nga nxënësit dhe prindërit, por edhe vetë kolegët, drejtuesit dhe e gjithë shoqëria. Ju keni thënë se ngarkesa e punës nga dokumentet që duhet të plotësoni, ju ka cenuar rolin si një mësues duke ju kthyer në një sekretar ose në një menaxher shkolle dhe gati-gati kjo ju ka shuar pasionin e madh për të qenë misionarë të dijes; nga ana tjetër, shpreheni se nuk paguheni aq sa duhet, dhe se nuk merrni më shpërblime...


Nisur nga këto ne kemi marrë disa mendime nga ish-drejtues të arsimit, drejtues aktualë, ekspertë arsimi, sociologë, përfaqësues sindikatash, psikologë etj., të cilët kanë parashtruar realitetin dhe kanë dhënë sugjerime sesi mund të përmirësohet situata e cilësisë së arsimit në vendin tonë duke respektuar dhe vlerësuar figurën e mësuesve.


Ju ftojmë të lexoni sa më poshtë.


Nora Malaj, ish-ministre e Arsimit: “Shoqëria e sotme ka detyrë t’i japi statusin dhe vlerën e veçantë mësuesit.”



Zj. Malaj eksperienca juaj në fushën e arsimit ka qenë dhe vazhdon të jetë e shumtë, ndaj sot ne do të donim t’ju merrnim një mendim. Mësuesit në Portalin Shkollor ankohen se nuk kanë më autoritetin e dikurshëm. Sa qëndron kjo ankesë dhe cili është statusi i tyre i vërtetë në shoqërinë tonë, këto vitet e fundit? 

Në prag të Festës së Mësuesit e gjithë biseda vërtitet rreth tij dhe figurës së mësuesit, që për secilin prej nesh është pjesë e jetës sonë drejt rrugëtimit të dijes. Sot ky profesion nuk është më thjesht profesion, por është mision. Nëpërmjet të gjithë aktivitetit që kryen mësuesi, ai merr rolin e liderit në edukimin, formimin dhe kulturën e dijen për një fëmijë. 
Sot mësuesi nuk ka një status të veçantë që do ta ndihmonte këtë të fundin, por edhe shoqërinë që të rriste një brez, ku dashuria për edukim dhe arsimin të ishte dhe të jetë prioritet i tyre dhe i gjithë shoqërisë. Një shoqëri që investon te përgatitja e mësuesve, të ardhmen e atyre që këta mësues i edukojnë dhe mësojnë do ta kenë të sigurt dhe me standard. 

Çfarë roli kanë ata për të pasur një arsim cilësor?


Një mësues i mirarsimuar dhe i mirinformuar krijon një brez që dijen e sheh si armën më të rëndësishme për të ndërtuar një shoqëri të suksesshme dhe një demokraci të vërtetë. Ndaj shoqëria e sotme në Shqipëri ka detyrë t’i japë statusin dhe vlerën e veçantë mësuesit, jo vetëm në pagesë, por edhe në shoqëri, në dimensionin e saj human dhe social.

Ekspertja e Arsimit, Dr. Valbona Nathanaili: “Nëse edukimi trajtohet si çdo e mirë tjetër që ofrohet për shitje, humbet statusin.” 


Zj. Nathanaili mendimi juaj si pedagoge dhe si eksperte për politikat dhe legjislacionin në arsim, patjetër që ka vlerë, e sidomos sot kur dita 7 Mars u kushtohet mësuesve dhe punës së tyre. Sipas jush, cili është statusi dhe roli i mësuesit në vendin tonë? 


Në vendin tonë, mësuesia është profesion i rregulluar. Në rrjedhojë, ushtrimi rregullohet me ligj ose me akte nënligjore, ndërkohë që kushtëzohet nga një nivel i caktuar shkollimi, si dhe pajisja me certifikatën e të drejtës së ushtrimit të profesionit, njësoj si një mjek apo një jurist. Pritshmëritë ishin që me përfshirjen në listën e profesioneve të rregulluara, gjërat të ndryshonin për mirë: mësuesia do të bëhej profesion i lakmuar. Por ndodhi e kundërta! Gjithnjë e më shumë kërkojnë ta braktisin profesionin dhe gjithnjë e më pak kandidatë për studentë (dhe jo ata me notë mesatare maksimale) e kanë programin e mësuesisë kërkesë të parë për studime të larta. Sigurisht, kjo nuk ka lidhje me faktin se papritmas kuptuam që mësuesia është e vështirë dhe e lodhshme – sepse gjithmonë ka qenë, sikundër edhe shumë profesione të tjera – por sepse ndryshe nga profesionet e tjera, për të njëjtën lodhje paguhet më pak. Dhe jo vetëm kaq! Profesioni i mësuesit ka natyrë të veçantë e delikatë dhe që nuk merret në konsideratë: ndryshe nga profesionet e tjera, paraqet një mori problemesh të vështira për t’u menaxhuar kur përpiqemi të zbatojmë koncepte të huazuara nga logjika e tregut. Me ose pa dashje, nëse edukimi trajtohet si çdo e mirë tjetër që ofrohet për shitje në varësi të ofertë-kërkesës, pra humbet statusin e së drejtës dhe shndërrohet në nevojë që mund të blihet në treg, edhe mësuesia humbet një pjesë të mirë të statusit të saj – respektin e veçantë nga prindërit dhe shoqëria. 

Çfarë duhet të ndryshojë në këtë drejtim? 


Duhet të punohet për të “rishpikur” edhe një herë profesionin e mësuesit, për të gjetur sa më shumë fije që e lidhin me statusin “e vjetër” – kur nuk ishte profesion, kur punohej më shumë për rritjen profesionale dhe më pak për atë menaxheriale, kur gëzonte autonomi profesionale, kur testet dhe standardet nuk ishin kryefjala e çdo kontrolli apo ore mësimi, kur një mësues respektohej më shumë se një mjek a një inxhinier. Mësuesve po u kërkojmë gjithnjë e më shpesh të kryejnë detyra që nuk kanë lidhje me mësimdhënien. Vlerësoj se duhet të këmbëngulim, shumë e shumë, në vlerat e profesionit, duke pasur në qendër gjithnjë të mirën publike. 

Pse në këtë 7 Mars mësuesit duhet të protestojnë dhe pse, nga ana tjetër, duhet të festojnë? 


Të dyja rastet kanë arsyet e duhura dhe të justifikuara. Nëse zgjedhin të protestojnë, do të veçoja kërkesën për paga më të larta dhe mbështetje profesionale! Duhet të mos harrojmë, që një shkollë të mirë e bëjnë mësues të mirë! Nëse zgjedhin të festojnë – gjasat janë që të ndodhë pikërisht kjo – të paktën të festojnë bashkë me nxënësit e prindërit, për të kujtuar se fatkeqësi si tërmeti dhe të papritura dramatike si pandemia kalohen më lehtë së bashku! 

Zv.presidenti i SPASH-it, Isa Halilaj: “Rritja e figurës së mësuesit ndodh në momentin që politika e vendos në prioritet arsimin.”



Z. Halilaj, ju keni detyrën dhe përgjegjësinë, si zv.presidenti i SPASH-it, që të jeni pranë mësuesve dhe problemeve që ata hasin në punën e tyre. Nga takimet dhe ato se çfarë ju thonë mësuesit, si mendoni a ka rënë autoriteti i mësuesit? 


Arsimi është i shenjtë për shqiptarët. Nuk mund të themi që ka rënë autoriteti për mësuesin, sepse në shoqëri mësuesi vazhdon të respektohet. Prioriteti që ka shoqëria për arsimimin e fëmijëve (shqiptarët shpenzojnë më shumë se çdo europian për shkollimin e fëmijëve të tyre në raport me të ardhurat... sipas Bankës Botërore) nuk është e pasqyruar në prioritet e qeverisjes. Lënia pas dore e arsimit nga qeverisja ka lënë në hije edhe figurën e mësuesit. 

A ka zgjidhje për përmirësimin e statusit të vlerësimit të rolit të tyre në shoqërinë tonë të së ardhmes?


Rritja e figurës së mësuesit dhe përmirësimi i rolit të mësuesit në shoqëri është e lidhur me përmirësimin e cilësisë së arsimit. Kjo është shumë e mundur në momentin që politika e vendos në prioritet arsimin. Kjo arrihet me rritje urgjente të mbështetjes së arsimit me buxhet. Sot në Shqipëri buxheti për arsimin është nën 3% e GDP-së, kurse vendet e BE-së e kanë mbi 5% të GDP-së, ndërsa vendet Skandinave mbi 7,5% të GDP-së. Sot profesioni i mësuesit nuk është i lakmueshëm për të rinjtë, d.m.th nuk vazhdojnë universitetin në degët e mësuesisë. Kjo vjen për shkak të rrogave të ulëta, kushteve të vështira të punës dhe pasiguria për të pasur një punë të përhershme si mësues, për shkak të rënies së numrit të fëmijëve. 

Pra, më konkretisht, cilat janë zgjidhjet imediate për këto kushte për të cilat ju shpreheni?


Arsimi shqiptar ka nevojë për dy gjëra themelore: 
1. Rritje e buxhetit... pra, mbështetje financiare;
 2. Reformë të thellë kurrikulare duke u bazuar në përvojën tonë dhe me karakter kombëtar e frymë europiane. Rritje e buxhetit, d.m.th rroga dinjitoze që u siguron jetë dinjitoze mësuesve, investime në infrastrukturën shkollore, trajnim të vazhdueshëm real e jo fiktiv të tyre. Kjo do të thotë se profesioni i mësuesit të jetë i pëlqyer për të rinjtë, d.m.th nxënësit më cilësorë të ndjekin degët e mësuesisë. Automatikisht do të kemi rritje të cilësisë së arsimit dhe njëkohësisht rritje të figurës së mësuesit. Pra, arsimi ka nevojë për financim... financim dhe reforma të sakta dhe jo eksperimente.

Sociologu Gëzim Tushi: “Kjo shoqëri kërkon shumë nga shkolla dhe mësuesit.” 



Pse ka një dobësim të statusit pedagogjik dhe social të mësuesit në shkollë dhe jashtë saj? 


Liberalizimi dhe demokratizimi i shkollës po sjell, për fat të keq dhe paradoksalisht, cenimin e autoritetit dhe “pushtetit edukativ” të mësuesit. Shkolla, që është një nga tri institucionet thelbësore të “autoritetit” dhe edukimit, së bashku me familjen ka pësuar ruptura në tërë trekëndëshin e vet të lidhjeve dhe marrëdhënieve ekzistenciale: Shkolla, mësuesi, nxënësi. Kjo shoqëri kërkon shumë nga shkolla dhe mësuesit. Shumë kërkon dhe tejet pretendues me ta janë edhe familja dhe prindërit. Shpesh, pa pyetur për hallet, statusin e tyre, konfliktet dhe kontradiktat e shtuara në shkollë në marrëdhëniet mësues, prind, nxënës. Pa llogaritur këtu edhe mbingarkesat racionale e sidomos ato burokratike që rëndojnë mbi të. 

Drejtori i DPAP-it, Selman Hodaj: “Reformat në arsim po ndërtojnë një model tjetër të figurës së mësuesit.” 


Z. Hodaj, pak ditë më parë ne në Portalin Shkollor kemi publikuar këtë temë dite, ku mësuesit kanë pasur mundësinë të komentojnë dhe të japin mendimin e tyre sa i përket statusit të tyre në shoqërinë tonë në këtë prag 7 Marsi. Cili është komenti juaj në lidhje me shqetësimet e tyre? 


Pa dyshim që mësuesi mbetet një nga vlerat më të çmuara të një shoqërie, pavarësisht vitit që marrim për referencë. Krahasimet nuk vlejnë e aq më tepër kur opinionet bazohen mbi gjykime të ndikuara prej politikës. Tranzicioni ka shoqëruar problematika të panumërta, e kjo nuk do të thotë aspak që figura e mësuesit është e nëpërkëmbur. Reformat në arsim po ndërtojnë një model tjetër të kësaj figure.
Mbyllja e universiteteve që prodhonin diploma, futja e profesionit të mësuesit në profesionet e rregulluara, mesatarja e pranimit në universitet, sistemi i punësimit bazuar me meritë preferencë dhe transparencë; ulja e normave mësimore apo e numrit të nxënësve për klasë; ndërtimi i godinave të reja vetëm bazuar në standarde; pajisja me laboratorë; përmirësimi i transportit për mësuesit dhe nxënësit; rritja e sigurisë; shërbimi psiko-social edhe për mësuesit; zgjedhja e drejtueseve të shkollave të certifikuar nga Shkolla e Drejtorëve... të gjitha këto janë realitete të fituara me meritë nga mësuesit dhe pa dyshim janë reforma që i japin fuqi dhe lartësojnë figurën e tij.
Nuk ka sistem perfekt. Edhe ne kemi problemet tona, që çdo ditë vijojmë t’i përmirësojmë nëpërmjet angazhimeve serioze. As në komunizëm, as në tranzicion dhe as sot shoqëria nuk ka mundur dot ta sfidojë figurën e mësuesit duke sajuar apo krijuar dikë që vlen më shumë se një mësues. Mësuesi mbetet përjetësisht modeli i dashur, i mençur, i ndriçuar dhe i emancipuar. 7 Marsi është dita simbol, është festa jonë. E meritojmë këtë vëmendje. Jemi pjesë e çdo familjeje, çdo fshati e qyteti. Jemi kujtimi më i bukur për çdo individ, jemi zemra e një shoqërie. Jemi kryefjala e çdo fjalie të bukur. Duhet të jemi krenarë për çfarë jemi dhe çfarë bëjmë. Secili prej nesh ka nderin të kujtohet me dashuri në çdo tregim ku njerëzit shkëmbejnë kujtime mes tyre.

Psikologia Denata Toçe: “Mësuesit kanë frikë të flasin, se mos humbas vendin e punës.” 



Zj. Toçe, sa më lart natyrshëm lind pyetja që duhet të marrë përgjigjen nga një psikolog. A ndihen psikologjikisht të kërcënuar mësuesit për problemet që ata hasin në ushtrimin e profesionit të tyre? 

Teksa vëren mësuesit të festojnë së bashku, më vjen të mendoj, sikur të bashkoheshin po kaq me entuziazëm bashkërisht për të kërkuar më shumë mbi të drejtat e tyre, kushteve të punës, motivimin financiar dhe mbi të gjitha atë profesional. Ata thjesht janë mësuar të kënaqen me shumë pak. Madje, çfarë është trishtuese, është fakti që mësuesit kënaqen me atë që u jepet dhe jo me atë që u nevojitet. E nëse u afrohesh t’i pyesësh çiltër: “Pse nuk kërkoni atë për të cilën keni nevojë?”, përmbajtja e përgjigjes duket se është e njëjta prej të gjithëve: “Kam frikë se mos humbas vendin e punës. Ç’më duhet!”.
Me mësuesit, në fakt, u bë një kohë e gjatë që kemi dështuar. Ne mjaftohemi të mendojmë se rritja e pagës do të ishte një nga faktorët që mund t’i kënaqte ata. Por, në fakt, do t’ju zhgënjej t’ju them se mjaftohen vetëm nëse iu rrisim pagën. Dështojmë kur mendojmë se 7 Marsi është dita simbol i personalitetit edukues të shkollave dhe universiteteve. Mendoj se kjo ditë e ka humbur qëllimin e vërtetë të saj. Sot do të duhej që mësuesit të mbanin kokën lart prej respektit dhe kujdesit ministror, administrativ dhe social. Këta të tre qëndrojnë ngushtë të lidhur me njëri-tjetrin, zinxhir. Mësuesi duhet të ndihet se ka vlerë të pashoq në përmbajtjen e tij, dhe kur them vlerë, kam parasysh atë që ka “ngjyra” të vërteta dhe peshë në qenien e njeriut. Në asnjë rast nuk mund të pajtohem me figura mësuesish artificialisht të ngritur, pa asnjë meritë dhe kontribut, të cilët zënë radhët e kolegëve të tyre dhe krijojnë precedencë për sistemin e vlerave, që është kaq i brishtë në këto kohëra. Mësuesi duhet të ndihet kompetent, dinjitoz, i vetëpërmbushur profesionalisht dhe ekonomikisht dhe, mbi të gjitha, i motivuar në pasionin e tij për të dhënë atë që di dhe për të udhëhequr në frymëzim nxënësit, studentët drejt së ardhmes.

Sigurisht në këtë ditë speciale për mësuesit të intervistuarit tanë kanë bërë apele, por edhe kanë dhënë mesazhe me plotë kuptim...


Nora Malaj: Apeli im në ditën e 7 Marsit i drejtohet të gjithë shoqërisë. T’i duam mësuesit, t’i mbështesim ata, t’i vendosim në piedestalin e shoqërisë, si pjesa më pararojë e edukimit, shkollimit dhe vlerësimit të fëmijëve shqiptarë kudo që ndodhen, në të gjitha trevat shqipfolëse. Shoqëria bëhet më demokratike dhe më e ditur, kur në krye të saj ka mësues avangardë!


Selman Hodaj: Disa vite më parë Papa Francesku na kujtoi se kufoma, kur ikën nga kjo botë, nuk ka xhepa. Ai nuk e tha këtë shprehje për mësuesit, por për lakmitarët. Mësuesit nuk kanë xhepa e as pasuri, por kanë atë fuqi që Papa do t’ia bekonte me zemër çdo njeriu. Ndaj i përulur me një dashuri e respekt pa kufi, dua të uroj çdo koleg timin, në jug e veri, lindje e perëndim. Çdo mësues në pension, çdo vajzë apo djalë që aspiron, prindërit dhe nxënësit. Gëzuar 7 Marsin! Suksese, fat dhe shëndet!


Valbona Nathanaili: E para dhe më e rëndësishmja, mësuesit duhet ta duan vetë profesionin e tyre. Nëse do ta duan, do të gjejnë edhe forcën e fjalët për ta mbrojtur e kërkuar më shumë. Sa e hidhur është të dëgjosh një mësues t’u drejtohet nxënësve të tij maturantë: “Këta nuk duan dhe nuk duhet të bëhen mësues!”. E dyta, uroj që mësuesit të rifitojnë besimin e prindërve. Prindërit nuk mund ta kryejnë detyrën e shkollës dhe të mësuesve dhe për këtë jemi të gjithë të ndërgjegjshëm. Nga ana tjetër, ekziston një mungesë besimi ndaj punës dhe përpjekjeve të tyre. Pa ndërtuar partneritetin e duhur me prindërit, do ta kenë të vështirë, në mos të pamundur, të bëjnë hapa përpara në rifitimin e statusit social.


Gëzim Tushi: Mjafton dëshira, vullneti politik dhe një “konsensus kombëtar”, për ta vendosur mësuesin në vendin që meriton në skakierën e merituar të “shtresës së mesme” të shoqërisë. Jo thjesht me fjalë. Këtë e presin dhe e meritojnë mësuesit, jo thjesht si shpërblim material, por si njohje publike e meritës së punës së tyre. Të paktën, ta bëjmë këtë në çdo 7 Mars!


Denata Toçe: Mbajtja e mësuesve tanë të motivuar mund të jetë një sfidë. Por është një pjesë thelbësore e suksesit të përgjithshëm të nxënësve, të studentëve. Mësuesit e mëdhenj janë ata që janë të motivuar të shkëlqejnë dhe të krenohen me suksesin e nxënësve të tyre brenda dhe jashtë klasës. Merrni kohë për të eksperimentuar me disa nga këto këshilla për të gjetur atë që funksionon më mirë në shkollën tuaj, të dashur drejtues! Keni për të parë, se 7 Marsi do të marrë një tjetër pamje. Dhe më pas, mësuesit do të kenë se për çfarë të festojnë.





Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,616 Lexime
2 vjet më parë