Mësuesit që janë në punë duhet të marrin licencë

Mësuesit e “vjetër” për t’u punësuar duhet të kishin diplomën e shkollës së lartë dhe licensimi që kryhet sot nga Agjencia Kombëtare e Provimeve nuk realizohej

Jo vetëm mësuesit e rinj duhet të marrin licencën por edhe arsimtarët që sot janë në punë ose jo. Strategjia e Ministrisë së Arsimit, e miratuar tashmë nga qeveria, parashikon licensimin e të gjithë mësuesve që aktualisht janë në shërbim. Mësuesit e “vjetër” për t’u punësuar duhet të kishin diplomën e shkollës së lartë dhe licensimi që kryhet sot nga Agjencia Kombëtare e Provimeve nuk realizohej.

Në këtë proces pritet të përfshihen më shumë se 10 mijë mësues, në mënyrë periodike. “Aftësimi i mësuesve të rinj. Hartimi dhe zbatimi i kurrikulave cilësore për ZhP-në. Krijimi i mekanizmave për t’i ndihmuar mësuesit të arrijnë standardet profesionale dhe të zbatojnë kurrikulën e re. Licencimi i mësuesve të rinj dhe licencimi periodik i të gjithë mësuesve në shërbim”, - thuhet në strategjinë e arsimit parauniversitar 2014-2020. Mësuesit do të licensohen brenda vitit 2017. “Nga viti 2017, do ketë përfunduar licencimi i të gjithë mësuesve në sistem dhe 5% e tyre do zotërojnë më shumë se një licencë”, - përcaktohet në strategjinë e qeverisë. Licensimi nuk do të behët vetëm për mësuesit të cilët janë në prag pensioni.

Dobësitë

Sipas draftit të Ministrisë së Arsimit ka një sërë problemesh për sa i përket licensimit të mësuesve, por edhe zhvillimit profesional të tyre. “Sot konstatohen probleme të shumta në fushën e nxënies dhe të ZhP-së së mësuesve dhe të drejtuesve. Në shkolla ka shumë mësues që nuk janë përfshirë në trajnime apo në seanca për Zhvillimit Profesional. Mungon baza e nevojshme e të dhënave në këtë fushë dhe nuk janë plotësisht funksionale rregulloret për akreditimin e programeve dhe të organizatave që ofrojnë trajnime për mësuesit. Ka vonesa ose dobësi në licencimin e mësuesve”, - janë disa nga problemet e gjetura nga ekspertët në arsimin parauniversitar.

Punësimi

Për mësuesit nuk do të ndryshojnë hapat për të futur në tregun e punës. Provimi i shtetit do të jetë kusht për marrjen e licencës. “Për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit, çdo kandidat duhet të ketë përfunduar studimet e ciklit të dytë në fushën e mësuesisë, të ketë kryer praktikën profesionale dhe të rezultojë fitues në Provimin e Shtetit”, - thuhet në strategjinë e MAS. Strategjia e re për arsimin parauniversitar parashikon edhe ndryshimin e pagave, të cilat do të jenë me kategori. Pagat nuk do të rriten për të gjithë mësuesit, por sipas disa kritereve duke filluar nga vendi i punës, vendi ku punojnë përvoja që kanë etj.

Problemet

“Mësuesit ngarkojnë me punë tepër mentorin”

Edhe praktika që kryejnë kandidatët e rinj, përpara se të punësohet sipas Ministrisë së Arsimit ka probleme. Në draft është theksuar se i ngarkohet shumë punë praktikantit, ndërkohë që ai duhet të motivohet për të realizuar. “Rregullorja për zhvillimin e praktikave të profesionit të rregulluar të mësuesisë nuk rregullon si duhet marrëdhëniet mes mentorëve dhe praktikantëve. Ajo ngarkon me punë më të madhe mentorin, në vend që ta motivojë atë për të realizuar detyrën”, - përcaktohet në strategji. Në draft është propozuar që të ketë ndryshime ligjore për praktikën që kryejnë sot kandidatët, për të marrë eksperiencën e duhur.

“Nga viti 2017, kdo ketë përfunduar licencimi i të gjithë mësuesve në sistem dhe 5% e tyre do zotërojnë më shumë se një licencë”

Licensimi i mësuesve

Përgatitet baza qendrore e të dhënave për mësuesit e licencuar

Vihen në punë mekanizmat për licencimin e mësuesve

Funksionon sistemi për vlerësimin e performancës së mësuesve

Licencohen periodikisht mësuesit

Licencimi i mësuesve të rinj dhe licencimi periodik i të gjithë mësuesve në shërbim.

Nga viti 2017, ka përfunduar licencimi i të gjithë mësuesve

(Nga Ndricim Caka, Shqiptarja.com)

8,059 Lexime
8 vjet më parë