Arsimi në Maqedoni

Ministër Pishtar Lutfiu po të thërret Velesi

“Gjuha nuk humbet brenda ditës ose brenda vitit. Unë pjesërisht i kam mësuar lëndët në gjuhën maqedonase në atë fillore, por të afërmit e mi dhe gjeneratat më të vjetra janë ballafaquar edhe me herët me këtë problematikë...”

Qëshqiptarët vazhdojnë të kenë probleme mesjetare të pazgjidhura edhe në këtë shekull, ky nuk është një lajm, por një tragjedi më vete. Këto ditë në Maqedoni u aktualizua çështja e një klase shqiptare në një fshat të Velesit e cila mësimin e ka filluar në gjuhën maqedone dhe mbi to është kryer padrejtësi duke shkelur të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare. Shkolla fillore dhe të mesme historikisht kanë mbajtur mësimin në gjuhën maqedone, derisa shqiptarët bojkotuan mësimin për të bërë përthyerje duke punësuar aty-këtu edhe kuadër shqiptar.

Avni Tahiri ka punuar si profesor i anglishtes në gjimnazin e Velesit “Koco Racin” ku mësimi është zhvilluar në gjuhën maqedone, e pjesërisht në atë shqipe. Në pyetjen sesi erdhi deri te ajo sa të mosdihet përqindja e saktë e asaj se sa janë shqiptarë në këtë vend, ai përgjigjet: 

“Gjuha nuk humbet brenda ditës ose brenda vitit. Unë pjesërisht i kam mësuar lëndët në gjuhën maqedonase në atë fillore, por të afërmit e mi dhe gjeneratat më të vjetra janë ballafaquar edhe më herët me këtë problematikë. Flas për kohën e pionerëve. Pastaj me iniciativë të prindërve u bojkotua mësimi i cili zgjati rreth një vit. Në fshatin Jabollçisht të epërm dhe të poshtëm u sollën mësimdhënës shqiptarë nga Shkupi, Struga, Kumanova etj. Si pasojë e mësimit në maqedonisht ende ekzistojnë fjalë të imponuara ku haptazi tregohet ndikimi i asimilimit, psh: ende nga më të vjetërit përdoret fjala sllave “doma” për shtëpi dhe “uçitel” për mësuesit edhe shumë fjalë të tjera të cilat e kanë vështirë t’i zëvendësojnë me atë shqipe. Ne të rinjtë kemi frikë. U asimilua Manastiri, Prilepi, tani radhën e ka Velesi. Neve na përmend edhe Ismail Kadareja në librin “Pallati i ëndrrave” . Qyprilinjte si shqiptarë autoktonë dhe të pasur. Qyperli quhet Velesi në turqisht.”

Libri me poezi i Avni Tahirit përndryshe ka hyrë në historinë e këtij vendi pasi është libri i parë i botuar shqip, në vitin 2012 edhe atë pa mbështetje institucionale. Ai për në fund thotë:

“Shqiptarët e harruar të Velesit kërkojnë nga Ministria e Arsimit që udhëhiqet nga shqiptarët që sa vite, të mbajnë përgjegjësi për pozitën që mbajnë dhe të mos e mohojnë detyrimin kombëtar dhe njerëzor duke lejuar që t'u merret e drejta e arsimimit në gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë të Velesit.”

(Xhemazije Rizvani, Portali Shkollor)

2,736 Lexime
7 vjet më parë