Konferencë

Ministri Bajrami në konferencën “Arsim cilësor për të gjithë”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë Konferencën “Arsim cilësorë për të gjithë”, e cila është organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Instituti Pedagogjik i Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë Konferencën “Arsim cilësorë për të gjithë”, e cila ështëorganizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Instituti Pedagogjik i Kosovës, të përkrahur nga UNICEF- i dhe në koordinim me Projektine Binjakëzimit.

Në këtë Konferencë është diskutuar për sistemin e sigurimit të cilësisë së përformancës së shkollës dhe këmbimin e praktikave lidhur me vlerësimin e performancës së shkollës, të pilotuar në 20 shkolla.

Ministri Bajrami, me këtë rast, ka theksuar rëndësinë e kësaj konference në ndërtimin e një konsensusi të përgjithshëm të të gjithë partnerëve në përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë.

“Të gjithë jemi të vendosur që Republikës së Kosovës t’i ndërtojmë një sistem cilësor edukativ, në mënyrë që të sigurojmë një mirëqenie të përgjithshme. Duhet të punojmë që t’u qasemi nxënësve tanë me shumë kujdes, t’iu ofrojmë një edukim pozitiv dhe të shmangim çdo tendencë të politizimit, në mënyrë që të krijojmë një rini, e cila sa më pak do të merret me politikë dhe sa më shumë të edukohet në frymën pozitive”, ka theksuar ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka folur edhe për hartimin e dokumenteve strategjike, të cilat i ka hartuar Instituti Pedagogjik, për të cilat tha se janë një bazë e mirë për të filluar me vlerësimin e sistemit të performancës së shkollës në tërësi, në tridimensione: në aspektin e menaxhimit të shkollave, vlerësimin e brendshëm, i cili bëhet nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në bashkëpunim me shkollat dhe vlerësimin e jashtëm, që është në përgjegjësinë e mekanizmave të Ministrisë së Arsimit.

“Kjo konferencë është e një rëndësie të veçantë dhe pas saj do të miratojmë këto dokumente strategjike dhe ato pastaj do të vendosen  në sistemin shtetëror të vlerësimit të performancës, që përfshijnë shkollën si tërësi, metodologjinë e mësimdhënies dhe secilin mësimdhënës”, ka thënë ministri Bajrami.

Ministri ka folur edhe për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Ngritjen e Cilësisë, ndryshimin e Ligjit për Inspektoratin, fuqizimin e rolit të drejtorëve të shkollave, rishikimin e teksteve shkollore dhe caktimin e standardeve, që duhet të përmbajë secili tekst, si dhe procesin e digjitalizimit të shkollave.

Ndërsa, Laila Omar Gad, drejtore e  UNICEF-it në Kosovë ka thënë se qëndrueshmëria afatgjate e arsimimit të fëmijëve kërkon një sistem të përgjegjshëm dhe të fortë të edukimit dhe institucione funksionale në të gjitha nivelet.

Ndryshe, në këtë konferencë është bërë publik edhe hartimi i Kornizës së sistemit të cilësisë së performancës së shkollës, si dhe dokumentet tjera përcjellëse, të cilat e ndihmojnë vlerësimin e brendshëm dhe vlerësimin e jashtëm të shkollës. Këto, së bashku paraqesin  një sistem tërësor, i cili do t’i kontribuojë përmirësimit të shërbimeve dhe rezultateve të arsimit dhe është mënyrë për rritjen e shanseve dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

1,872 Lexime
8 vjet më parë