Diaspora

Ministri Hasani: 14 mijë libra shkollorë për nxënësit shqiptarë në diasporë

Rreth 14 mijë libra shkollorë janë shpërndarë për nxënësit shqiptarë që ndjekin kurset e gjuhës shqipe në diasporë, ku numërohen rreth 20 mijë nxënës në të gjithë botën. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rëndësinë e këtij programi dhe shprehu falënderimet për mësuesit.

Rreth 14 mijë libra shkollorë janë shpërndarë për nxënësit shqiptarë që ndjekin kurset e gjuhës shqipe në diasporë, ku numërohen rreth 20 mijë nxënës në të gjithë botën. Këta nxënës kanë mundësinë të përdorin tekstet fizike, si dhe ato digjitale, për të përmirësuar njohuritë e tyre.


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi rëndësinë e këtij programi dhe shprehu falënderimet për 719 mësuesit që japin mësim në këto kurse. Në maj të këtij viti, falë angazhimit të Kryeministrit Edi Rama, u hap programi “Mësues për Greqinë,” që synon të zgjerohet edhe në vende të tjera ku jeton diaspora shqiptare.

Hasani shtoi se, me propozimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë duke u ndjekur hapat ligjorë për rregullimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e mësuesve në diasporë, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacionin e vendeve pritëse.


Këtë vit për herë të parë në klasat e mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë është shpërndarë teksti “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” Niveli II. Tekst i cili i korrespondon mësimit të gjuhës shqipe për nxënsit e klasave 4, 5 dhe 6. Ndërsa prej vitit 2021 fëmijët e komuniteteve shqiptare në Diasporë kanë pasur në duar tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe Kultura Shqiptare”, ( i cili i korrespondon mësimit të gjuhës shqipe për nxënësit e klasave 1,2 dhe 3.

Gjatë seminarit ndërkombëtar të mësuesve shqiptarë në Diasporë të mbajtur këtë fund korrik në Prishtinë, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se deri në fund të vitit 2024 pritët të miratohet edhe niveli i tretë tekstit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”.


“Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”  është i pari tekst i unifikuar për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë, tekst i hartuar sipas kurrikulave të përbashkëta Shqipëri Kosovë dhe botuar nga shtëpitë botuese “Albas” (Shqipëri) dhe “Dukagjini” (Kosovë).


I gjithë procesi hartimit dhe shpërndarjes së teksteve është koordinuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën.



Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

282 Lexime
3 javë më parë