REAGIMI

Ministrja Besa Shahini i heq licencën shkollës që u vetëmbyll për koronavirusin: Përhapi panik!

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini bëri të ditur se shkollës “Udha e Shkronjave”, e cila pezulloi mësimin për dy javë për shkak të frikës nga koronavirusi, do t’i hiqet licenca. Shahini tha se shkollat mbyllen vetëm me urdhër të ministrit.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë Besa Shahini, ka reaguar pas mbylljes së shkollës private “Udha e Shkronjave” në Tiranë. Me këtë rast Shahini tha se kjo ka ndodhur pa leje të institucionit që drejton. Ajo theksoi se kësaj shkolle do t’i hiqet licenca.


“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për dy javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën"- tha Shahini.


E para e Arsimit në Shqipëri shton se nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në një shkollë tjetër.


“Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë"- shtoi ajo.


“Udha e Shkronjave”, është mbyllur dje me urdhër të drejtorit të kësaj shkolle për dy javë, siç ka thënë ai për shkak të situatës së koronavirus.


Ky është njoftimi i shkollës: https://udhaeshkronjave.com/gazeta/f/izolimi-dhe-karantina-p%C3%ABr-parandalimin-e-p%C3%ABrhapjes-s%C3%AB-s%C3%ABmundjeve




(Kaltra Tafani, Portali Shkollor) 

3,266 Lexime
4 vjet më parë