NJOFTIM

Ministrja Kushi jep lajmin e rëndësishëm: Nga e hëna e javës së ardhshme do të zhvillohet mësim normal në të gjitha shkollat e vendit, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore

Kushi: Duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88% të vaksinuar, na u dha mundësia që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, përmes një video-mesazhi i është drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve duke dhënë lajmin e rëndësishëm se nga dita e hënë e javës së ardhshme, në të gjitha shkollat e vendit, do të zhvillohet mësim normal, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore. "Nisur nga shqetësimet tuaja të drejta, por sidomos nga përgjegjësia jonë për të garantuar cilësinë në sistemin arsimor, gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me MSHMS, Komitetin e Ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik për të rivlerësuar edhe njëherë së bashku të gjitha protokollet anti-COVID që zbatohen aktualisht në shkolla, e në mënyrë të veçantë me ruajtjen e distancës mes nxënësve, çka na ka detyruar që të aplikojmë mësimin me turne në disa shkolla të qyteteve më të mëdha të vendit”, tha Ministrja 


Kushi në video-mesazh, ndërsa shpreh mirënjohjen ndaj ekspertëve: “U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88% të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”.

Duke falënderuar veçanërisht prindërit dhe mësuesit për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe për çdo shqetësim të ngritur në lidhje me cilësinë e zhvillimit të procesit mësimor, Ministrja Kushi nënvizon edhe përgjegjësinë e përbashkët për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: “Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës - në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne. Faleminderit të gjithëve dhe suksese!


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,548 Lexime
3 javë më parë