NJOFTIM

Ministrja Kushi: Më 15 gusht rihapet portali e-Albania për regjistrimin online të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njofton se portali “e-Albania” do të rihapet mes datave 15-30 gusht për regjistrimin online të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta. Shkolla duhet të kthejë përgjigje brenda 24 orëve pas kërkesës për regjistrim.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi njofton se portali “e-Albania” do të rihapet mes datave 15-30 gusht për regjistrimin online të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta. 


Duke e cilësuar fillimisht regjistrimin online si një nga risitë më pozitive për vitin e ri shkollor 2021-2022, ku prindërit e plotësojnë formularin në vetëm 1 minutë, pa pasur nevojë të mbledhin dokumentacionin nga institucione të ndryshme, Ministrja Kushi shprehet se janë marrë në konsideratë edhe shqetësimet e përcjella nga institucionet tona arsimore, prindërit dhe nxënësit, lidhur me pamundësinë në disa raste të regjistrimit për arsye teknike, apo tejkalimit të afateve të përcaktuara. 


Për këtë arsye, ajo nënvizon se “po punojmë ngushtësisht me strukturat tona dhe me AKSHI-n për përmbushjen me sukses të procedurave. Konkretisht, në periudhën 15 - 30 gusht do të rihapet portali e-Albania për regjistrimin e nxënësve, duke u dhënë mundësi prindërve të bëjnë kërkesën, si dhe të parashtrojnë arsyen e regjistrimit në shkollën jashtë qendrës së banimit”. 


Ministrja Kushi sqaron gjithashtu se: 

“Në rastet kur shkollat kanë kapacitete të mjaftueshme, mund të regjistrojnë edhe nxënës jashtë zonës së banimit, pas miratimit nga ZVA-të përkatëse mbi bazën e arsyeve të legjitimuara. Shkolla duhet të kthejë përgjigje brenda 24 orëve pas kërkesës për regjistrim. Në rast refuzimi, të interesuarit duhet të vazhdojnë aplikimin brenda afatit në shkollën ku u takon regjistrimi”. 


“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe përshtatjen në një kohë shumë të shpejtë me procedurat e reja. Suksese!” – mbyll publikimin e saj, Ministrja Kushi. 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,737 Lexime
2 vjet më parë