Ministrja Nikolla uron 7 Marsin nga shkolla “28 Nëntori”, Shkodër

“Kolektivi i kësaj shkolle është renditur i pari për nga niveli i dijes dhe performimit të mësuesve. Mesa duket gjërat janë tregues që shihen dhe të lidhur zinxhir me njëra-tjetrën sepse ishte dhe shkolla që në maturën e sivjetshme u rendit e para.”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla sot, në Ditën e Mësuesit, shoqëroi Kryeministrin Edi Rama në gjimnazin “28 nëntori”, në Shkodër, për të përcjellë nga aty, urimet për të gjithë mësuesit shqiptarë, që kontribuojnë në institucionet arsimore të vendit, por edhe ata mësues që në vite kanë përmbushur me sukses misionin e tyre fisnik.

Ministrja Nikolla, vlerësoi punën e bërë në vazhdimësi nga stafi mësimdhënës, ndërsa dha për ta lajmin e mirë se ata janë renditur të parët për nga niveli i dijes dhe performimit të mësuesve.

“Kolektivi i kësaj shkolle është renditur i pari për nga niveli i dijes dhe performimit të mësuesve. Mesa duket gjërat janë tregues që shihen dhe të lidhur zinxhir me njëra-tjetrën sepse ishte dhe shkolla që në maturën e sivjetshme u rendit e para.”

E njohur si një institucion model në përçimin e dijes tek brezat e rinj, gjimnazi “28 nëntori” me 750 nxënës dhe një staf prej 43 mësuesish është vlerësuar  nga  Ministria e Arsimit, për vitin shkollor (2014-2015), si i  shkolla  e  parë  në  Republikë  për  rezultatet  më  të  larta.

Fitues të shpeshtë të olimpiadave kombëtare, nxënësit e kësaj shkolle kanë spikatur me njohuritë e tyre të thella në lëndë të ndryshme. Shumë personalitete të njohura të jetës politike dhe akademike të vendit, ndër vite, kanë qenë ish nxënës të kësaj shkolle.

Ministrja Nikolla premtoi se rezultatet e larta të shkollës janë favorizuese në ndihmën që qeveria do të ofrojë përmes projekteve të ndryshme. “Shkolla është futur ne projektin me IADSA. Momenti i parë janë 50 mijë euro, për bibliotekën, mjediset sportive dhe digjitalizimin. Sigurisht për shkak të rezultateve tuaja ndihma në projekte do të jetë edhe me e madhe”, tha Nikolla.

Nga ana e saj drejtoresha e shkollës falënderoi në emër të stafit për vlerësimin që qeveria i ka bërë punës së tyre plot përkushtim, si dhe për inkurajimin që i ka dhënë nxënësve të shkëlqyer të kësaj shkolle.

“Unë ju falënderoj në emër të gjithë stafit për mirëseardhjen dhe për zgjedhjen e gjimnazit “28 nëntori” në ditën e 7 marsit. Sot unë nuk do tu flas për rezultatet sepse tashmë ju jeni bërë pjesë e rezultateve tona.  Do t’u falënderoj në emër të stafit që për dy vjet rresht keni dhënë shpërblime për të gjithë stafin tonë  dhe një nxënëse të shkollës sonë maturante të vjetshme Ida Gjergji, i keni dhënë bursë për në Turqi. Një nxënëse e thjesht e cila ato 4 dhjeta në maturën shtetërore i kishte rezultat të punës së saj.”, u shpreh ajo.

Duke premtuar mbështetje për çdo nxënës të shkëlqyer, Kryeministri Edi Rama uroi për suksese të mëtejshme në punën e tyre. “Edhe ajo vajza që shkoi në Turqi ka dalë shkëlqyeshëm atje bashkë me tre të tjera. Kur ne ishim atje, takuam rektorin bashkë me pedagogët dhe na thanë se në qoftë se janë kështu nxënësit me dhjeta në Shqipëri, na bini edhe të tjerë. Kështu që këtë vit me siguri ne do të gjejmë mundësinë për një nxënës apo nxënëse tjetër që të marri prapë bursë. Unë ju falënderoj edhe njëherë. Për çdo gjë, ne jemi pranë shkollës dhe unë personalisht e kam për nder që më çfarëdo të jetë e mundur tu mbështesim. Ato projekte nuk diskutohen por edhe për çdo gjë tjetër ne jemi në dispozicion. Kështu që shumë faleminderit për atë që bëni. Shumë suksese në mbyllje të këtij viti. Fat i madh për nxënëset dhe nxënësit që ju kanë juve”, u shpreh Kryeministri.

2,863 Lexime
8 vjet më parë