MAS

Ministrja Nikolla viziton shkollat në Shkodër

Në ndihmë të mësuesve që punojnë në klasat kolektive, ministrja Nikolla, falë donacioneve të partnerëve, dhuroi aparate audiovizive dhe platformën digjitale të mësimdhënies.

Në ditën e parë të rifillimit të shkollës ministrja e Arsimit shoqëron mësuesit që udhëtojnë nga qyteti i Shkodrës për në Postribë. Buxheti i arsimit mbulon transportin e 1624 mësuesve të Shkodrës dhe 3298 fëmijëve. Në shkollën e mesme të bashkuar të Postribës u zhvillua një takim me mësuesit dhe më tej me maturantët e kësaj shkolle. Në takimin me mësuesit e shkollës "Adem Haxhija" ministrja theksoi se mbështetja për mësuesit ka qenë dhe do mbetet prioritet i punës së qeverisë. Sepse ata janë faktor kryesor i rezultateve në arsim.

Gjatë bashkëbisedimit me maturanten ministrja vuri theksin tek shpallja e kritereve nga universitetet dhe gjithë mënyrat e komunikimit dhe informimit të maturantëve nga ana e institucioneve të arsimit të lartë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit mbi këtë proces. Për shkak të vetëdijes së plotë që në infrastrukturën arsimore ka ende shkolla të cilat kanë nevojë për investime, ministrja Nikolla ndaloi dhe vizitoi një shkollë të tillë me probleme infrastrukturore.

Shkolla “Ura e Shtrenjtë” e cila është shkollë vartëse e shkollës tashmë të rindërtuar me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shkolla 9-vjeçare e Prekalit. Në shkollën “Ura e Shtrenjtë” Nikolla u ndal për të takuar mësues, prindër dhe përfaqësues të pushtetit vendor duke u angazhuar në realizimin e një ndërhyrjeje infrastrukturore sa më të shpejtë edhe në këtë shkollë.

Në ndihmë të mësuesve që punojnë në klasat kolektive, ministrja Nikolla, falë donacioneve të partnerëve, dhuroi aparate audiovizive dhe platformën digjitale të mësimdhënies. Ministrja Nikolla vijoi vizitën në shkollën 9-vjeçare “Prekal”. Shkollë në të cilën, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, janë krijuar kushtet e duhura, që nxënësit dhe mësuesit të zhvillojnë mësimin në kushte mjaft të mira, pavarësisht vështirësive të zonës. Gjatë takimit me stafin e shkollës ministrja bashkëbisedoi dhe me mësuesen Blerina Çanga, një mësuese e re, e punësuar nga portali “Mësues për Shqipërinë”, e cila me shumë përkushtim bën çdo ditë 32 km rrugë për të qenë pranë nxënësve të saj. Emocionues ishte takimi i ministres me mësues Dash Hasi, i cili prej 36 vitesh ushtron gjithë pasion profesionin e tij në të njëjtën shkollë, me vogëlushët e ciklit të ulët.

Ministrja Nikolla në përfundim të vizitës së saj në Qarkun e Shkodrës, mori pjesë në analizën e punës së Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër.

1,977 Lexime
7 vjet më parë