MASR

Ministrja Shahini jep sqarime për kualifikimin e mësuesve, portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe për praktikantët

Nëpërmjet një video mesazhi Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka sqaruar se provimet për mësuesit nuk mund të zhvillohen para qershorit, por kjo vlen si mundësia e parë e kryerjes së tyre. Mundësia e dytë është që këto provime të kryehen në korrik, pas provimeve të Maturës Shtetërore.

Përmes një video-mesazhi, Ministra Besa Shahini ka adresuar disa prej pyetjeve më të shpeshta të ngritura nga mësuesit kohët e fundit, përfshirë këtu edhe pyetjet se kur do të zhvillohen provimet e kualifikimit dhe kur do të zhvillohet provimet për portalin “Mësues për Shqipërinë:


“Edhe provimet për kualifikimin e mësuesve, edhe provimet për portalin “Mësues për Shqipërinë”, do të zhvillohen në momentin e parë që kemi një dakordësim nga Task-Forca për koronavirusin se mund të mblidhemi nëpër sallat si ato që janë tek Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) ku kryhen këto provime. Nuk e kemi ende një vendim të tillë, po presim deri më 11 maj që të shohim nëse kjo hapja e cila ka ndodhur këto 2 javë ka një efekt negativ në përhapjen e koronavirusit. Nëse jo, atëherë do të shohim të marrim leje për të hapur edhe qendrat e provimeve dhe të vijojmë me provimet në vazhdimësi. Unë mendoj që këto provime nuk mund të zhvillohen para qershorit, por kjo është data e parë e mundshme. Por është e mundshme që të bëhen edhe në korrik pasi të mbyllim të gjitha detyrimet që kemi me Maturën Shtetërore. Sido që të jetë, ju njoftojmë në kohë që të keni mundësi të përgatiteni për të gjitha këto provime dhe të jeni në kohë me të gjitha detyrimet që mund të keni në këtë periudhë”, shprehet Ministrja Shahini.


Ministra Shahini u është përgjigjur edhe pyetjeve për praktikantët. 


“Jam një mësues praktikant. Më paguhen sigurimet shoqërore, por paralelisht me praktikën në shkollë, unë kam edhe një punë në call center. Call Center-i është mbyllur, por nuk mund ta përfitoj pagën e luftës sepse po figuroj si i punësuar për shkak të praktikës që bëj në shkollë”, është një prej çështjeve për të cilën Znj. Shahini nënvizon se praktikantët që kanë një shqetësim të tillë duhet të kalojnë pranë zyrave arsimore për të marrë vërtetimin e sigurimeve shoqërore të cilat iu paguhen, të cilat nuk janë sigurime shoqërore të një të punësuari, por për stazhin që po kryejnë nëpër shkolla. “Me këtë lloj vërtetimi, ju mund të përfitoni edhe pagën e luftës në vendin ku jeni të punësuar në sektorin privat”, sqaron ajo.


Pyetjes se “pse mësuesit nuk marrin bonuse si infermierët dhe mjekët”, Ministrja Shahini duke theksuar se këtë çështje e ka adresuar edhe më parë, shprehet se “Infermierët dhe mjekët janë në linjën e parë në front. Ata janë të rrezikuar, shëndeti i tyre është i rrezikuar sepse po punojnë në vatrat e infeksioneve. Ne të tjerët kemi punuar gjatë gjithë kohës, por kemi qenë të sigurtë nëpër shtëpitë tona. Pra, nuk është rreziku i njëjtë që të konsiderojmë edhe intensitetin e punës ta kemi patur të njëjtë”. 



(N.Allkja Biçaku) 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,038 Lexime
1 muaj më parë