Mirela Kumbaro: Mekanizëm i ri për financimin e kërkimit shkencor, kapitujt e arsimit të parët që mbyllen në negociata
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi miratimin e mekanizmit që përcakton financimin e kërkimit shkencor. Vendimi u jep institucioneve mundësi zhvillimi dhe financimi sipas performancës, ndërsa kapitujt 25 dhe 26 të arsimit pritet të jenë të parët që mbyllen në negociatat me BE.
Kumbaro nga mbledhja e qeverisë: Krijojmë mekanizmin që llogarit financimin e kërkimit shkencor, kapitujt e arsimit dhe shkencës të parët që mbyllen në procesin e negociatave.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi sot vendimin e ri të qeverisë që llogarit financimin e kërkimit shkencor dhe u jep mundësinë institucioneve që merren me kërkim shkencor ta zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme duke u garantuar akses, instrumenta dhe përfshirje.
“Vendimi i dytë ka të bëjë me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ai miraton mënyrën se si llogaritet financimi i kërkimit shkencor nga institucionet të cilat kryejnë kërkim shkencor në Republikën e Shqipërisë. Është një angazhim jo vetëm ligjor në zbatim të detyrimeve që na bën ligji për shkencën i vitit 2024 duke mbyllur një listë aktesh nënligjore, por është edhe një angazhim që ka të bëjë me kapitullin 25 që është kapitulli për kërkimin shkencor në angazhimet me Bashkimin Europian. Kapitujt 25 dhe 26 janë dy kapitujt e Ministrisë së Arsimit dhe të parët në radhë që do të mbyllen në procesin e negociatave duke uruar që do të jenë një ogur i mirë edhe në mbylljen e kapitujve të tjerë. Me vendimin e sotëm i japim mundësi institucioneve jo vetëm të arsimit të lartë, por edhe institucioneve të tjera që merren me kërkim shkencor ta zhvillojnë atë dhe në agjenci publike e institucione të tjera, duke u pajisur me instrumente se si mund të financohen në bazë të performancës apo projekteve ndërkombëtare në mënyrë të qartë, për t’u garantuar qëndrueshmëri në këtë proces”, tha minisitrja e Arsimit.
Ministrja Kumbaro e përfundoi fjalën e saj duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë, që deri në vitin 20230 të arrijë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në kërkimin shkencor, në të gjitha buxhetet e linjës së ministrive të qeverisë shqiptare.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600