Aktualitet

Ndryshim kryesor në arsim, Kushi: Kthimi i shkollave speciale në qendra burimore për nxënësit me aftësi ndryshe

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në konsultimet publike të radhës për Ligjin e Arsimit Parauniversitar e ka vënë theksin më së shumti tek kthimi i shkollave speciale në qendra burimore për nxënësit me aftësi ndryshe.

Konsultimet Publike për Ligjin e Arsimit Parauniversitar kanë vijuar këtë herë me një dëgjesë me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët janë mbështetës dhe bashkëpunues të përhershëm të politikave arsimore.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi është fokusuar më së shumti tek kthimi i shkollave speciale në qendra burimore për nxënësit me aftësi ndryshe. Hapja e këtyre qendrave është një nga pikat kryesore që inicioni ndryshimin e ligjit.

Gjatë fjalës së saj ministrja theksoi se për nxënësit me aftësi ndryshe qëllimi kryesor është që ata të integrohen në shkolla normale. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve janë në shkolla dhe klasa normale me mbështetjen e mësuesve ndihmës.


Por sipas ministres Kushi, kjo nuk e përjashton ngritjen dhe funksionimin e shkollave speciale, pasi ka raste të caktuara që këta fëmijë duhet të marrin shërbim më të specializuar arsimor dhe mbështetës. Aktualisht në Shqipëri ndodhen 7 shkolla speciale dhe dy institute për nxënësit që nuk dëgjojnë dhe ata që nuk shikojnë.


Ministrja tha se kuadri ligjor dhe nënligjor aktualisht nuk i lejon këto shkolla të japin maksimumin e tyre në shërbim të këtyre nxënësve, ndaj dhe këto shkolla duhet të kthehen në qendra burimore.


“Eksperiencat më të mira sot në Bashkimin Evropian, por edhe në rajon flasin për qendrat burimore. Këto shkolla duhet të kthehen në qendra burimore ku të ofrojnë edhe shumë më tepër shërbime se sa vetëm arsim,”- u shpreh ministrja. 



Krahas çështjes së kthimit të shkollave speciale në qendra burimore për nxënësit me aftësi ndryshe, diskutimi gjatë kësaj dëgjese u fokusua edhe tek tema e minimizimit të braktisjes shkollore për arsimin e mesëm të lartë për shtresat vulnerabël, si dhe mirëfunksionimi i institucioneve arsimore plotësuese.

Ministrja Kushi ka kërkuar që në vijim çdo sugjerim është i mirëpritur, deri në hartimin e draftit përfundimtar të projektligjit.




Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,690 Lexime
1 vit më parë