Udhëzimi i ri

Ndryshon udhëzimi/ Mësuesit e rinj, jo vetëm garë në portal, por edhe 3 muaj provë për t’u punësuar

Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të jetë sita e vetme përzgjedhëse për mësuesit që do t’u shtohen shkollave, pasi MAS në një udhëzim të ri parashikon një periudhë 3 mujore prove për mësuesin fitues në portal e më pas lidhjen e kontratës së punës provizore apo përfundimtare, në bazë të vakancave.

Një udhëzim i Ministrisë së Arsimit, që daton në 3 gusht, përcakton se ndonëse mësuesi fiton vendin e punës nga portali, për t’u emëruar, qoftë me kontratë provizore apo definitive, duhet të kalojë një periudhë prove 3-mujore.


NDRYSHIMI


“Kandidati fitues punësohet nga drejtori i institucionit arsimor parauniversitar me kontratë pune individuale, me ose pa afat, sipas kërkesave të vendit të lirë të punës, pas kalimit me sukses të periudhës tremujore të provës dhe të vlerësimit pozitiv nga komisioni për vlerësimin psiko-social të punonjësve arsimorë dhe punonjësve të tjerë në institucionet arsimore parauniversitare”, citohet në pikën 8 të kreut 8 të udhëzimit nr.12, datë 10.06.2021, të ndryshuar. Udhëzimi i parë nuk fliste për periudhë prove.

Kandidati fitues punësohej nga drejtori i shkollës dhe lidh kontratën menjëherë pasi dorëzon dosjen personale, pa kurrfarë prove.


PROCEDURA E PUNËSIMIT


U bënë vite tashmë që asnjë mësues nuk punësohet më direkt nga drejtoritë arsimore, por nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Me krijimin e një vendi të lirë, lajmërohet i pari në listë (ai që ka grumbulluar më tepër pikë) përmes postës elektronike.

Ky i fundit ka të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës dhe duhet të konfirmojë brenda 24 orësh përgjigjen. Në rast se nuk e bën, pozicioni i punës i ofrohet të dytit në listë e kështu me radhë.

Por nëse përgjigjja është pozitive, kandidati paraqitet në shkollë ku i dorëzon drejtorit dokumentin e printuar nga sistemi i aplikimit online të portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Përmes këtij mekanizimi bëhen punësimet në institucionet e arsimit parauniversitar që prej tetë vitesh, ndërsa portali është bërë pjesë e ligjit për arsimin e lartë vetëm tre vitet e fundit dhe ka pësuar ndryshime herë pas here.

Sistemi synon vënien e kandidatëve në kushte të barabartë përballë vendeve të punës që hapen gjatë vitit shkollor, por nuk garanton punësim. Qëllimi është që më të mirët të kenë mundësi zgjedhjeje dhe të rekrutohen të parët në sistem.


Aktualisht, mbi dhjetë mijë mësues janë futur dhe po zhvillojnë testimet, të cilat përfundojnë në fillim të muajit shtator. Fill pas tyre do të hartohet lista për çdo profil dhe zonë arsimore duke renditur kandidatët për punë nga ata që kanë grumbulluar më tepër pikë deri tek ai që ka më pak. Kuptohet, shanset më të mëdha janë për ata në krye të listës.


Me ndryshimin që i është bërë së fundmi udhëzimit për rekrutimet veçse shtohet më tej lista e filtrave që duhet të kalojë një mësues, fillimisht për të zënë një vend pune e më pas për ta mbajtur atë.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,617 Lexime
1 vit më parë