Në Kuvend për dhunën në shkolla, Kumbaro prezanton planin e masave dhe apelon për përgjegjësi të përbashkët
Ministrja e Arsimit prezantoi në Kuvend planin e masave për sigurinë në shkolla, mbështetjen psikologjike dhe këshillimin e karrierës për mbi 355 mijë nxënës, duke theksuar se dhuna është sfidë globale që kërkon bashkim forcash nga familja, shkolla dhe institucionet.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro gjatë interpelancës së sotme në Kuvend të kërkuar mbi dhunën në shkolla, prezantoi planin e masave institucionale për të garantuar sigurinë në shkolla, mbështetjen psikologjike dhe këshillimin e karrierës për mbi 355 mijë nxënësit e sistemit parauniversitar duke theksuar rëndësinë e të trajtuarit të sfidave duke marrë pjesë të gjithë aktorët e shoqërisë, nga familja tek institucionet.
“Po flasim për një sfidë globale që, në forma të ndryshme, po përjetohet nga të gjitha shoqëritë, dhe që lidhet drejtpërdrejt me dinamikat që shoqërojnë ndryshimin e botës ku rriten fëmijët tanë: E kam fjalën për hapjen pa limit te botes virtuale qe thyen gjithë kodet e komunikimit dhe zhbën konvencionet etike të shoqërive mbi të cilat ngrihen dhe rregullat e sjelljes në shoqëri. Dhe patjetër është një sfidë globale. Por është një sfide që, në Republikën e Shqipërisë, do të duhet ta trajtojmë të gjithë ne bashkë aktorët socialë, politike, ekonomike, mediatike, nga familja e deri te shteti- si një kauze për bashkim forcash, dhe jo si sebepin e radhës për politiken e çastit.
Kemi 355 mijë e 510 fëmijë në sistemin tonë parauniversitar nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Janë mbi 30 mijë mësues që punojnë sot me përkushtim në të 1498 shkollat e sistemit parauniversitar. Janë po ashtu 2670 mësues ndihmës që japin sot kontributin e tyre ne te gjithë këtë rrjet per te siguruar gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi te veçanta brenda të njëjtit sistem, ku numri i fëmijëve me aftësi ndryshe për vitin 2025-2026 është rritur me 6,8% për një total prej 6073 fëmijë, përkundër rritjes së numrit të mësuesve ndihmës me 8%.
Mbi 686 koordinatorë cilësie dhe koordinatore te karrierës te trajnuar profesionalisht si te tille, punojnë ne shkollat tona për te rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të shoqëruar nxënësit ne Arsimin baze dhe ne atë të mesëm ne zgjedhjet dhe vendimmarrjet e tyre për jetën. 329 oficerë sigurie janë të pranishëm çdo ditë në shkollat me numër të madh nxënësish, dhe vijon procesi i trajnimit te kandidateve te tjerë pranë Akademisë së Sigurisë, ndërkohë qe është 392 numri i miratuar për oficerë sigurie dhe i garantuar me fond page, për çka vijojnë thirrjet periodike ne mënyrë te rregullt. 1183 psikologë dhe punonjës sociale janë aktivë në shkollat publike dhe jo publike te Republikës së Shqipërisë.
I solla në vëmendjen tuaj këto të dhëna, sepse e gjej cinike dhe dritëshkurtër, që të mohosh, me lehtësinë e padurueshme të kohës së papërfillshme televizive që zë kjo lloj politike, punën që bëhet çdo ditë nga mijëra e mijëra punonjës të arsimit, për të çuar përpara dhe për të përmirësuar po ashtu ditë pas ditë cilësinë e arsimit kombëtar, rolin e shkollës, dhe krijimin e modeleve te mira, përkundër fenomeneve negative bashkëshoqëruese qe janë po aq te lashta sa njerëzimi dhe po aq moderne e te komplikuara sa koha qe po jetojmë. Dhe është gjithaq e shëmtuar të stigmatizosh një kategori të tërë punonjësish të përkushtuar – mësuesit, dinjitetin e të cilëve duhet ta mbrojmë të gjithë si pasuri kombëtare”, tha ndër të tjera Ministrja Mirela Kumbaro.
Plani kombëtar i veprimit për parandalimin e dhunës dhe bullizimit në shkolla
Gjatë interpelancës së sotme në Kuvend, ministrja e Arsimit Kumbaro prezantoi gjithashtu Planin Kombëtar të Veprimit për Fuqizimin e Mekanizmave të Parandalimit të çdo Forme Dhune dhe Bullizmi për Sigurinë në Institucionet Arsimore Parauniversitare, i cili është miratuar dhe prezanton një kornizë veprimi që përfshin një bashkëveprim të gjerë mes institucioneve, punonjësve të arsimit dhe komunitetit.
Në fjalën e saj Kumbaro tha:
Ministria e Arsimit ka zgjedhur të mos reagojë në mënyrë fragmentare apo vetëm pas rasteve të veçanta, por të ndërtojë një qasje të qëndrueshme, të koordinuar dhe afatgjatë. Është miratuar tashmë Plani Kombëtar i Veprimit për Fuqizimin e Mekanizmave të Parandalimit të çdo Forme Dhune dhe Bullizmi për Sigurinë në Institucionet Arsimore Parauniversitare. Ky plan nuk është thjesht një dokument politikash, por një kornizë veprimi e përditshme që e sheh sigurinë në shkollë si një proces të përditshëm, ku bashkëpunojnë institucione shtetërore, mësues, prindër, nxënës dhe komuniteti. Po ndërtojmë një bashkëpunim shumë solid me një prej institucioneve më të mira që ka vendi në këtë fushë, siç është Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, qoftë për të krijuar mjedise më të sigurta digjitale, ashtu edhe për të krijuar linja të dedikuara komunikimi për të rinjtë që kanë nevojë të denoncojnë apo të tregojnë problemet që hasin! Përfitoj nga ky komunikim, që të them se AKSK ka një linjë direkte komunikimi, 24 orë në 7 ditë të javës, për problemet e sigurisë kibernetike apo të bullizmit online! Po ashtu, edhe me Autoritetin e Mediave Audiovizive, kemi hyrë në një fazë të re bashkëpunimi, për të monitoruar jo vetëm hapësirën tradicionale mediatike, por edhe atë digjitale me fokus sigurinë e fëmijëve. Prania e oficerëve të sigurisë është forcuar ndjeshëm dhe po shoqërohet me standarde të reja pune dhe etike profesionale.
Këta oficerë nuk janë më thjesht figura kontrolli, por pjesë e mekanizmit të parandalimit dhe ndërhyrjes së hershme ne bashkëpunim te ngushte me mësues, psikologe e punonjës sociale. Megjithëse shkolla shqipe ka një traditë të gjatë, Oficeri i Sigurisë është figure e re, nuk ka qenë tradicionalisht një figurë e shkollave tona. Ashtu sikundër edhe punonjësit psiko-socialë! Dhe pikërisht tre javë më parë, shpallëm 62 vende të lira pune për Oficerë Sigurie pranë shkollave tona. Paralelisht, është ndërtuar një strukturë e qartë koordinimi mes drejtorive arsimore dhe Policisë së Shtetit, për të garantuar reagim në kohë reale dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni.
“Paketa e Sigurisë” si një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit ka institucionalizuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, falë të cilit është shtuar prezenca e punonjësve të policisë gjatë orarit të fillimit të mësimit, gjatë pushimit të gjatë dhe pas mbarimit të mësimit në perimetrin e shkollës.
Fillon brenda këtij viti projekti i Ministrisë së Punëve të Brendshme “Qyteti inteligjent” pjese e te cilit është edhe pajisja e shkollave – fillimisht atyre me te mëdha në numër nxënësish – me kamera te posaçme për të parandaluar ne kohe dhe ne bashkëpunim me Policinë e Shtetit çdo incident apo konflikt
Po ashtu, në fillim të këtij viti shkollor, me një urdhër të posaçëm është ndaluar celulari në ambientet mësimore, një masë që rezulton e zbatuar plotësisht dhe që jemi duke e ndjekur hap pas hapi me rikujtesë dhe sensibilizim të përditshëm, ku prindërit i kemi krah dhe jo përballë!
Vendimi për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në ambientet shkollore nuk duhet parë si masë ndëshkuese, por si një ndërhyrje edukative dhe mbrojtëse. Një tjetër shtyllë themelore e planit ka qenë fuqizimi i shërbimit psiko-social në shkolla. Po ashtu është investuar në ndërtimin e rrjeteve të mbështetjes digjitale dhe mekanizmave të komunikimit të shpejtë.
Platforma SMIP – ku prindërit hyjnë në çdo kohë dhe kontrollojnë në kohë reale ecurinë e fëmijëve të tyre në shkollë - si edhe Fletorja e Komunikimit Online kanë krijuar një urë të drejtpërdrejtë mes shkollës dhe familjes, duke e bërë më të lehtë identifikimin e problematikave dhe adresimin e tyre në kohë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600