Aktualitet

Në një dekadë janë mbyllur 22% e shkollave 9-vjeçare publike në rang vendi/ MAS e INSTAT: Nga 1346 shkolla në 2013, 1051 në 2022

Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve ka ndikuar në mbylljen e një së katërtës së shkollave 9-vjeçare në rang vendi, referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë nga INSTAT referohet se nga 2011 më 2023 numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%.

Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve ka ndikuar në mbylljen e një së katërtës së shkollave 9-vjeçare në rang vendi, referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit.


Nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre Në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.


Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%.


Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm. Mirëpo mbyllja e shkollave në zonat rurale të vendit është bërë shkak për emigrimin e mëtejshëm e atyre pak familjeve me fëmijë të vegjël.


Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.


Arsimi Bazë përfshin: Arsimin Fillor (klasat 1-5) dhe Arsimin e Mesëm të Ulët (klasat 6 -9). Arsimi Fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa I deri në klasën V. Ndërsa Arsimi i Mesëm i Ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa VI deri në klasën IX. Mosha e nxënësve është 12-15 vjeç.


Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë.


Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.


Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm dhe tani po përballet me një tkurrje të fortë që nuk po ndikon në rritjen e cilësisë së nxënësve të mbetur. Vendi ynë shënoi rënien më të madhe globale në rezultatet e Testit global PISA 2022.


Mësuesit pohojnë se reformat e në arsim më vitet e fundit kanë rritur barrën rregullatore dhe ngarkesën e mësuesve që nuk ka lidhje në mënyrë të drejtpërdrejtë me mësimdhënien.


Ndryshimi i kurrikulës, përdorimi i gabuar i teknologjisë, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të mësuesve, notat fiktive anë disa nga shkaktarët e rezultateve të dobëta.


Teksa niveli i mësuesve të rinj është më i dobët. Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim.



Raporti për problemet e arsimit: Numri i nxënësve u reduktua, kualifikimi i mësuesve në nivel mesatar, digjitalizimi i sistemit i cunguar

 

Raporti më i fundit i publikuar nga Agjencia e Cilësisë së arsimit parauniversitar tregon se performanca e sistemit arsimor ka marr 4 pikë nga 5, teksa ka pasur përparim në vitin 2023, evidentohen mangësi.


 Vlerësimi më i ulët është për mospërmbushjen plotësisht të aksesit gjithëpërfshirës në arsim, sidomos për sigurimit të cilësisë për nxënësit nga grupe vurnerabël. Më tej ndiqet nga kualifikimi mesatar i mësuesve si dhe digjitalizimi i sistemit në mënyrë të cunguar; ndërsa rezultate më të mira ka në objektivin e garantimit të një mjedisi të sigurt dhe mbështetës në shkolla. Rritja e frekuentimit të nxënësve sidomos në parashkollor dhe në gjimnaze mbetet sfidë e Ministrisë së Arsimit. Lidhur me pjesëmarrjen e fëmijëve në klasën përgatitore, gjatë vitit shkollor 2022-2023 janë të regjistruar 23,008 fëmijë. Në vitin shkollor 2023-2024 kemi të regjistruar 21 709 fëmijë. Rënia relative e numrit të fëmijëve të regjistruar ka ardhur si pasojë e rënies së numrit absolut të fëmijëve në Shqipëri për arsyet që dihen. 


Një grup pune është ngritur për parandalimin e braktisjes shkollore, por problematika në raport theksohet kryesisht në zonat e thella rurale ku shkollat janë në distancë të largët dhe ka mungesë transporti. Të dhënat tregojnë se numri më i madh I nxënësve braktisës shënohet në arsimin e mesëm, krahasuar me arsimin bazë të detyrueshëm. Në gjimnaz në 2023 numri i fëmijëve jashtë shkolle është 2505, gati dyfishin e fëmijëve braktisës në shkollat 9-vjeçare, ku numërohen rreth 1600 nxënës. Në raport rekomandohet me përparësi edhe përmirësimi i infrastrukturës digjitale në shkolla, ku rekomandohet që të mundësohet shërbim wirelessi në funksion të plotë në të gjitha institucionet arsimore si dhe të vijojë trajnimi i mësuesve për zbatimin e kompetencës digjitale dhe mësimdhënien e kombinuar.




Marrë nga Revista Monitor dhe Top channel 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,564 Lexime
3 muaj më parë