Aktualitet

Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e Kampusit të Evropës nga Ministrja e MAS, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.Ky është kampusi i tretë i Kolegjit të Evropës dhe i pari që do të jetë jashtë Bashkimit Evropian.

 “Lajm historik për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe për afrimin drejt Bashkimit Evropian” – e konsideroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu nënshkrimin e marrëveshjes për hapjen e Kolegjit të Evropës në Shqipëri.


Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë u firmos sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Evropës Federica Mogherini dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në praninë e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.


“Finalizojmë një prej atyre endrrave që lindën kur ne kërkuam që të jemi si gjithë Evropa dhe në fakt nëse ka një emërues të përbashkët që na lidh së bashku dhe që na çon edhe më shpejt në Evropë është arsimi. Kolegji i Evropës, kampusi i Tiranës është një moment historik, në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe të përafrrimit me Bashkimin Evropian”, tha Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit.


Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin z. Oliver Varhelyi u shpreh:

“Kolegji i Evropës është kthyer në simbolin e zgjerimit. Nuk ka një shenjë më të mirë dhe më të qartë se Shqipëria po bëhet pjesë e Bashkimit Evropian sesa sjellja e Kolegjit të Evropës në Tiranë”.


 “Është një moment historik, më në fund ne e sjellim Kolegjin e Evropës jashtë Bashkimit Evropian”, tha Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini.


 “Jam vërtet mirënjohjes që keni zgjedhur Tiranën për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës”, tha Erion Veliaj.



Hapja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë është inicuar një vit më parë nga Kryeministri Edi Rama në Samitin e Bashkimit Evropian të vendeve të Ballkanit në Tiranë. Ky është kampusi i tretë i Kolegjit të Evropës dhe i pari që do të jetë jashtë Bashkimit Evropian.



Kaltra Tafani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

584 Lexime
6 muaj më parë