“STATUJA E GJALLË”

“Nëse guxon, mund të humbasësh, nëse nuk guxon i humbur je gjithsesi”

Sonja Blushi i surprizoi të gjithë, madje edhe familjen e saj me një poemë të titulluar “Statuja e gjallë”. Është libri i saj i parë, dhe që në parathënie, trondit me thirrjen e saj për kuptimin e jetës, moralin, të vërtetën dhe ekzistencën e Zotit.

Ajo është vetëm 18 vjeç, dhe studion në gjimnazin “Skënderbeu” në Krujë. Pak ditë më parë, mësuesit dhe shokët e saj u befasuan kur ajo vendosi përpara një libër që mbante autorësinë e saj. Sonja Blushi i surprizoi të gjithë, madje edhe familjen e saj me një poemë të titulluar “Statuja e gjallë”. Është libri i saj i parë, dhe që në parathënie, trondit me thirrjen e saj për kuptimin e jetës, moralin, të vërtetën dhe ekzistencën e Zotit. Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ajo jep detajet e frymëzimit të saj dhe të konceptit për jetën, që nuk është fort i zakonshëm për bashkëmoshatarët e saj.


Sonja, si e krijoi një vajzë 18-vjeçare sa ti “Statujën e gjallë”?

"Statuja e gjallë" ishte një ndërthurje e kapacitetit tim mendor dhe atij shpirtëror. Është e vërtetë që kapaciteti mendor formohet në bazë të moshës, eksperiencave apo përvojave jetësore, por them me bindje të plotë që kapaciteti shpirtëror s’njeh kufij. Ky i fundit u ndërthur bukur me dhuntinë që Zoti më dha dhe rezultoi në këtë libër.


Libri yt është një poemë që rrotullohet rreth Zotit dhe mëkon moral ndaj ti. Cila është marrëdhënia jote me Zotin?

Unë me Zotin kam një marrëdhënie shumë të ngushtë. Marrëdhënie që nuk e krahasoj me asgjë tjetër. "Dua të qëndroj vetëm"-është vetëm një frazë që e përdorim për t’u larguar nga njerëzit, sepse e di me siguri që asnjëherë s’mund të qëndroj vetëm, pasi Zoti është aty në çdo frymëmarrje që ne marrim. Kjo frymëmarrje s’merret dot pa Atë. Është marrëdhënie shumë e pakuptushme. "Njeriu arrin ta dojë Zotin aq sa ai mund ta konceptojë Atë në përmasat e ndërgjegjes dhe të dashurisë". Marrëdhënia ime si njeri me Atë qëndron brenda kornizave të dashurisë dhe ndërgjegjes sime megjithëse do dëshiroja t’i thyente këto kufij.


Qysh në parathënie ndjehet doza e lartë filozofike e poemës. Një dilemë mes vetëvlerësimit dhe zhgënjimit. Çfarë të bën të jesh kaq e thelluar në kuptimin e jetës kaq e re?

Siç përmenda në fillim nëse kapaciteti mendor njeh kufij, ai shpirtëror kurrsesi që s’mund të njohë të tillë. Edhe të qënit e thelluar është lidhur ngushtë me faktin e të përjetuarit të shpirtit. Jeta më ka mësuar që çdo stil edukate dhe kulture i ka rrënjët në dashuri për Zotin. Sepse çdo veprim i yni ndaj dikujt apo diçkaje, është një reagim i yni ndaj dhuratës që na vjen nga Ai.

Ashtu sikurse çdo njeri zotëron shenja të ndryshme gishtërinjsh, ashtu mentaliteti dhe aftësia e të konceptuarit të gjithkujt ndryshon. Nëse dikush do ju shpëtonte jetën, nëse do ju shpëtonte fëmijën, nëse dikush do ju jepte lirinë, nëse dikush do ju ndërgjegjësonte deri në një pikë të tillë sa ta shikonit jetën vetëm me optimizëm, ta përballonit atë me durim dhe ta sfidonit me burrëri, nëse dikush do t’ju zgjaste dorën gjatë gjithë jetës, cilido qoftë ai, nuk e di cili do ishte qëndrimi juaj ndaj Atij.


Do e injoronit? Do e poshtëronit? Do e mohoni? Apo do ta doni deri në një pikë të tillë saqë mund të jepni edhe jetën për të? Nëse ky dikush mund të ishte nëna ose babai juaj, jam e sigurt që do të preferonit opsionin e fundit. Atëherë kur këtë njeri me status prind ta jep dikush që për mua është Zoti, si unë mund të mos e dua atë dhe me çfarë guximi unë mund ta mohoj atë që të ka dhënë gjithçka? Nëse dikush kësaj dëshmie apo deklarate timen do i vinte emrin moral, unë do kaloja përtej tij e do thoja thjesht ‘e vërtetë’.


Cilat janë mesazhet e tua në këtë libër?

Populli ynë thotë që "Kambanat bien për ato që kanë veshë". Qëllimi i librit tim është që të ndërgjegjësohen ata që kanë ndërgjegje dhe të përmirësohen ata që  mirësinë e kanë rrënjosur thellë në shpirt, sepse ashtu sikurse e keqja, edhe e mira nuk ka fund. Kështu që hapat tanë duhet të jenë të sigurt dhe të rregullt. Është vepra jonë ajo që na personalizon që do të thotë: Njeriu është çfarë bën e jo çfarë thotë.


Kush është “Statuja” e jetës tënde reale?

"Statuja" e jetës sime reale është secili person në jetën tonë që refuzon të shikojë çfarë është tepër e dukshme, refuzon të dëgjojë atë që koha e ka rrëfyer që në fillimet e saj, refuzon të kuptojë atë është mëse e kuptueshme, refuzon të ndjejë atë që i përshkon shpirtin dhe mbi të gjitha refuzon të besojë atë që fshihet pas gjithçkaje e pas Tij nuk fshihet asgjë.


Cili është frymëzimi yt?

Frymëzimi im për të hedhur këto vargje, në thelb ishte familja ime, që me këshillat e saj gdhendi karakterin tim dhe formoi personalitetin tim. Megjithatë, shkëndija që më bëri të nis këtë vepër ishte një ëndërr që përjetova dhe që askujt s’ia rrëfeva, pasi dua ta mbaj si diçka timen që të jetë vetëm kujtimi im dhe vetëm sekreti im. I gjithë trillimi im bazohet në parimet që unë i shikoj parësore në jetë dhe këto parime janë formësuar nga familja ime që mbi to ka ngritur idealin e Zotit.


Sa kohë t’u desh për ta përfunduar poemën?

Duke qenë se ishte vepra ime e parë  momenti që unë i tregova tim eti për këtë dëshirë dhe pashë që ai ishte tepër i ngazëllyer e s’po duronte dot të shikonte rezultatin, më bëri t’i premtoja atij që do e përfundoja në fund të dhjetorit të vitit që shkoi. Duke qenë se vargjet e para i kisha nisur dhe këtë premtim e bëra në fillim të dhjetorit, rezulton që pjesa më e madhe e këtij libri është shkruar brenda një muaji.


Nuk ishte e vështirë ta mbaroja, madje mund të them që nuk më lodh aspak. Pas një dite të lodhshme ishte diçka relaksuese për mua. Nëse nuk do kisha preukupime të tjera, mund ta mbaroja edhe më shpejt.


Ti vetë pranon se ke guxuar shumë me këtë libër. Do të guxosh përsëri?

Thonë që "Nëse guxon, mund të humbasësh, nëse nuk guxon i humbur je gjithsesi". Kur fillova të shkruaj e bëra thjesht sepse e ndjeja dhe se atë çka ndjeja doja ta shprehja, por kur e bëra diçka të tillë asnjëherë nuk e mendova fundin se si do ishte. Nuk kisha frikë se mund të kritikohej për keq ashtu sikurse nuk prisja që do kritikohej për mirë, megjithëse deri tani kritikat kanë qenë shumë të mira dhe nuk i prisja aspak. Çdo gjë më ka ardhur spontanisht. Çdo gjë spontane është e bukur sepse është fryt i natyrshmërisë dhe jo i sforcimit mendor. Kështu që: Po, mendoj të guxoj përsëri, për sa kohë jam “bijë” e natyrshmërisë.


(Nga Esiona Konomi, Shqiptarja.com; Portali Shkollor)

2,331 Lexime
8 vjet më parë