Aktualitet

Nga muaji janar, nis Shërbimi për Këshillimin e Karrierës në të gjitha klasat e 9-ta

Duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm MAS do të ofrojë Shërbimin për Këshillimin e Karrierës që në klasën e 9-të. Qëllimi i këtij hapi të ministrisë është orientimi i nxënësve që të marrin vendimet e duhura kur zgjedhin mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional.

Duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ofrojë Shërbimin për Këshillimin e Karrierës që në klasën e 9-të në të gjitha shkollat e vendit. 


Qëllimi i këtij hapi të ministrisë është orientimi i nxënësve që të marrin vendimet e duhura kur zgjedhin mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional, bazuar në përgatitjen e tyre, preferencat dhe kërkesat e tregut të punës.


Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në një postim në rrjete sociale.


Kushi shton se ky shërbim do të mbështetet edhe në edukimin për karrierën, që tashmë është pjesë e kurrikulës së bazuar në kompetenca për të gjithë sistemin arsimor dhe që i ndihmon nxënësit për t'u orientuar drejt prirjeve dhe aftësive profesionale për menaxhimin e karrierës së tyre në të ardhmen.


Nga muaji janar 2023 do të organizohen edhe panaire promovuese ku nxënës të klasave të 9-ta dhe prindërit e tyre të shohin dhe mësojnë nga afër rreth profesioneve që kanë shkollat profesionale.


Gjithashtu, shkollave 9-vjeçare do tu jepet mundësia që të vizitojnë dhe bëjnë takime me shkolla profesionale për të folur rreth programeve profesionale.


Gjithashtu, do të realizohet edhe trajnimi i mësuesve për të bërë të mundur një shërbim sa më cilësor nga një staf i kualifikuar.



Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,520 Lexime
1 vit më parë