MATURA

Nis plotësimi i Formularit A1, datat e afatet për maturantët

Ashtu si vjet, për të shmangur të gjitha gabimet gjatë plotësimit të formularit, aplikimi nis në portalin qeveritar e në një periudhë të dytë në portalin e Maturës Shtetërore

Pas katër ditësh, të gjithë maturantët që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta, duhet të plotësojnë Formularin A1 nëpërmjet portalit qeveritar ealbania.

Në njoftimin e publikuar një ditë më parë, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar datat dhe afatet për plotësimin e Formularit A1, si dhe procedurën që duhet të ndjekin maturantët.

Sipas rregullores së sivjetme të Maturës Shtetërore, ministria duhet të publikojë brenda ditës së sotme formularin me të gjitha lëndët që do të përzgjedhin maturantët. Gjatë kësaj kohe, ata duhet të mendojnë për lëndët që i shpallin fitues në degën që duan.

Aplikimi

Ashtu si vjet, për të shmangur të gjitha gabimet gjatë plotësimit të formularit, aplikimi nis në portalin qeveritar e në një periudhë të dytë në portalin e Maturës Shtetërore. MAS ka përcaktuar datën 15, të martën e javës që vjen deri në fund të muajit për plotësimin e tij online.

Ndërsa hapi i radhës, aplikimi përmes portalit do të kryhet nga data 25 mars-10 prill. Më parë, AKP, pasi të ketë publikuar formularin, do të përcaktojë edhe kalendarin me datat e plotësimit të tij në rrethe me qëllim për të shmangur ndonjë ngarkesë në rrjet. Si çdo vit, parashikohet të ketë edhe ditë shtesë për këdo që për çfarëdo arsyeje humbet aplikimin, e rrjedhimisht edhe të drejtën për të vijuar studimet. Aplikimi edhe këtë vit do të kryhet në rrugë elektronike me ndihmën e një personi përgjegjës.

“Aplikimi online me Formularin A1 bëhet në shkollën ku maturanti vazhdon mësimin. Procesi i plotësimit të Formularit A1 ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet ‘mbikëqyrës’. Formulari A1Z plotësohet online vetëm nga kandidati, i cili është individi që ka mbaruar Maturën Shtetërore përpara vitit 2016 dhe ka detyrim për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore”, sqarohet në udhëzimin e AKP-së.

Edhe maturantët e vjetër duhet të kryejnë plotësimin e tij në shkollën ku kanë përfunduar studimet e mesme. Përpara se të kryejë këtë proces, duhet të paraqesë në shkollë disa dokumente: kërkesë me shkrim për dhënien e provimeve të maturës, kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë ose vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, si dhe vërtetimin e notave të provimeve të maturës shtetërore lëshuar zyrtarisht nga DAR/ZA. Vërtetimi i fundit i bashkëngjitet formularit dhe ruhet në shkollë.

(Besarta Basha, Panorama)

1,632 Lexime
8 vjet më parë