Nis viti i ri shkollor, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës
Të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor. Janë rreth 350 mijë nxënës të cilët nisin këtë vit shkollor, ndërsa 28 mijë prej tyre ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin sot vitin e ri shkollor 2024-2025 në 1725 shkolla në të gjithë vendin. 28 mijë nxënës nga 350 mijë do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa rreth 27 mijë janë të regjistruar në klasat e 10-ta.
25 shkolla të reja hapin dyert për herë të parë për të pritur nxënësit e fëmijët në vitin e ri shkollor, si dhe 216 laborator të rinjtë. Prej 9 Shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të shtojë edhe numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë, duke bërë që numri i tyre të shkojë në 850, 50 më shumë se në vitin e kaluar shkollor. Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023. Mbi 230 mijë nxënës përfituan këtë vit librat falas. Ky vit nis edhe me rritjen e pagës për 31 mijë mësues në vlerën 950 euro.
Masat policore
Ditën e djeshme policia ndodhej në përgatitjet dhe koordinimin e detajeve të fundit nga forcat e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Policia Bashkiake e kryeqytetit, ndërsa sot ka kaluar në terren, në mirëmenaxhimin e lëvizjes në zonat me më shumë trafik. ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha duke iu uruar nxënësve, mësuesve prindërve fillim të mbarë e suksese në këtë vit shkollor, i garantoi ata se Policia e Shtetit dhe strukturat e saj kanë marrë çdo masë për sigurinë e tyre.
“Për të garantuar sigurinë rrugore dhe një qarkullim sa më të lehtë, ftojmë qytetarët të respektojnë disa këshilla të vogla”, – u shpreh Hoxha duke renditur disa prej tyre.
Kështu, Policia apelon prindërit që banojnë afër shkollave, të shmangin përdorimin e mjeteve për të shoqëruar fëmijët, duke ndihmuar në reduktimin e trafikut. Po ashtu, furgonat e mjetet transportuese të shkollave, ta kryejnë shërbimin në mënyrë të shpejtë, duke mos krijuar pengesa e bllokime të trafikut. Qytetarëve iu kërkohet të shmangin përdorimin e mjeteve personale dhe të përdorin transportin publik, nëse nuk e kanë domosdoshmëri. “Policia e Rendit, 'Shqiponjat', Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake në çdo bashki do të jenë të pranishme për të mbështetur dhe garantuar sigurinë nga dita e parë e vitit të ri shkollor”, – njoftoi Hoxha.
Policia e Shtetit, në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, ka hartuar një plan të detajuar masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e angazhuara të saj. Qëllimi i këtij plani është garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë. Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar ndihmës specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale. Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar plane masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore.
Në kuadër të masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, janë caktuar detyra të detajuara për punonjësit e policisë që shërbejnë pranë shkollave. Prezenca e shtuar e policisë në këto ambiente synon të mbledhë dhe të trajtojë informacionet në kohë reale, duke vepruar shpejt për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në shkolla apo pranë tyre. Në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Udhëzimi për vitin shkollor 2024-2025 në sistemin arsimor parauniversitar
Marrëdhëniet e mësuesit me nxënësit
Projektligji i ri i shkencës, Manastirliu: Nxitje dhe zhvillim për shkencën e hapur, financim i qëndrueshëm për kërkimin shkencor dhe inovacionin