Tiranë

Nis zgjerimi me 17 klasa të reja i shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini”

Në prag të vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë përmirësimit të infrastrukturës në zonat në periferi të qytetit.

E amortizuar ndër vite, si pasojë e mungesës së investimeve, shkolla 9-vjeçare “Isa Boletini” në Kodër Kamëz i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë, ndërsa do t’i shtohen edhe 17 klasa të reja për t’i dhënë fund mësimit me dy turne.  


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Rakip Suli, theksoi se investimi është afatgjatë dhe planifikon rritje të numrit të nxënësve në këtë shkollë për vitet e ardhshme. “Më në fund shkolla “Isa Boletini” do të çlirohet nga makthi i klasave me dy turne sepse zona është transformuar. Fatmirësisht është ruajtur integriteti i pronës së shkollës, një territor i cili ka qenë ndër vite i lakmuar. Ka ndërtime informale gjithandej rreth e rrotull, por tani që kemi ruajtur integritetin e shkollës do të shfrytëzojmë hapësirat brenda saj për të shtuar klasat. Praktikisht po ndërtojmë një shkollë të dytë sepse shtesa është me 17 klasa, ndërkohë që 15 klasa bëjnë turnin e dytë. Kështu, jo vetëm që kemi hapësira për ata që e bëjnë mësimin turnin e dytë, por kemi edhe për të ardhmen, me shtesat që mund të vijnë nga rritja e popullsisë së zonës dhe nxënësve që do të regjistrohen në këtë shkollë”, tha ai. 


Veliaj vlerësoi se krahas cilësisë në mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të ndihmojë edhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për të zhvilluar mësimin. “Shkolla ka një reputacion shumë të mirë. Kemi pasur plot nxënës me dhjeta, do të thotë që nuk ka rëndësi nëse e ke shtëpinë në Bllok apo në Kodër Kamëz, kush mëson, kush është i aftë, kush përpiqet, kush ka talent, ka një të ardhme në Tiranë. Ndaj besoj se ka ardhur koha që edhe cilësia e infrastrukturës ku dalin nxënësit me dhjeta të jetë e njëjtë si talenti i nxënësve të mrekullueshëm që kemi në këtë shkollë”, nënvizoi Veliaj.


Investimi për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” parashikon ndërhyrje në godinën ekzistuese, si dhe ndërtimin e një objekti 3 kat (shtesë anësore), duke shtuar 17 klasa të reja. Gjithashtu, është planifikuar vendosja e shkallëve të emergjencës, nyje të reja higjieno-sanitare, si dhe krijimi i hapësirave sportive. Godina do të ketë sistem ngrohje me pelet dhe do të bëhet sistemimi i ambienteve të jashtme të shkollës.

3,043 Lexime
6 vjet më parë