Viti shkollor 2021-2022

Nisi sot zyrtarisht viti i ri shkollor nën masa anti-covid, prindërit peticion kundër mësimit me turne

Teksa sot ka filluar zyrtarisht viti i ri shkollor 2021-2022 nën masa anti-kovid, një peticion online ka nisur të firmoset nga prindërit për të kundërshtuar mësimin me turne. Sipas tyre, fëmijët dhe adoleshentët janë më pak të rriskuar nga pandemia dhe kërkojnë kthimin në normalitet.


Mësuesit duhet të kenë certifikatë vaksinimi ose test Covid, nxënësit me maska


500 mijë nxënës janë ulur sot në bankat e shkollave për të nisur vitin e ri shkollor. Edhe këtë vit mësimi nuk do të zhvillohet në kushte normale. Në disa shkolla do të ketë orë 25-minutëshe, ndërsa të tjera do të funksionojnë me dy turne me orë 30 minuta. 


Mësuesit duhet të kenë certifikatë vaksinimi ose test të përjavshëm ndaj COVID-19. Po ashtu, në klasa është e detyrueshme maska, distanca si dhe mësimi zhvillohet me orë fikse.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, uroi të gjithë nxënësit që të hënën do të rikthehen në bankat e shkollës.


Nëpërmjet një videomesazhi, ministrja Kushi shprehet se në të gjitha shkollat janë marrë masat për mbarëvajtjen e vitit shkollor. Ajo gjithashtu ftoi nxënësit të respektojnë masat anti-Covid pasi shëndeti është elementi më i rëndësishëm në këto kohë pandemie.



Jo mësimit me turne, prindërit nisin peticionin


Një peticion online ka nisur të firmoset nga prindërit për të kundërshtuar mësimin me turne. Në nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka vendosur që të rikthejë mësimet me turne për shkak të pandemisë, por ky vendim ka nxitur reagimin e disa prindërve.

Sipas tyre, fëmijët dhe adoleshentët janë më pak të riskuar nga pandemia dhe kërkojnë kthimin në normalitet.

Deri tani, mbi 3400 prindër kanë firmosur online për kthimin e fëmijëve në shkolla me orë të plota dhe pa turne. Në vendin tonë, janë mbi 300 shkolla që do ta zhvillojnë mësimin me turne.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,005 Lexime
1 muaj më parë