Aktualitet

Një mësueseje i hoqën dy ditë pune për mosplotësimin e SMIP-it, a është ligjore kjo? Përgjigjet eksperti Fiqiri Çifliku

Një ngjarje në një qytet ka ngjallur debate mbi heqjen e ditëve të punës për një mësuese që nuk plotësoi Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP). Juristja Josi Osmani dhe eksperti Fiqiri Çifliku vlerësojnë se heqja e pagës është shkelje ligjore dhe kërkojnë rregullime të qarta.

Një ngjarje e fundit në një qytet ka nxitur debate mbi ligjshmërinë e heqjes së ditëve të punës për një mësuese, pasi ajo nuk kishte plotësuar Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP). 


Drejtuesi i shkollës i ka hequr asaj dy ditë pune, duke u argumentuar se nuk kishte përmbushur detyrat në lidhje me këtë sistem. Kjo ngjarje ka ngritur shqetësimin e juristes Josi Osmani, e cila ka pyetur nëse është e ligjshme të ndodhin masa të tilla, duke marrë parasysh se paga e mësuesve llogaritet në bazë të orëve mësimore dhe jo kohës së plotësimit të SMIP-it, i cili është një sistem administrativ dhe nuk duhet të realizohet gjatë mësimdhënies. 


“Një mësueseje në një qytet, drejtuesi i ka hequr 2 ditë pune! A është e ligjshme që duhet prerë dita punës kur nuk plotëson SMIP, ndërkohë që puna e paguar llogaritet me orë mësimore në klasë? Në një kohë kur SMIP llogaritet si një sistem i integruar që nuk duhet të plotësohet në kohën e mësimdhënies kur mësuesi/mësuesja shpjegon mësimin! A janë të qartë  institucionet për mënyrën sesi administrohet SMIP, bazuar dhe në rregulloren e SMIP?” kështu ka shkruar në profilin e saj në Facebook juristja Josi Osmani. 


Në këtë kontekst, eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku, ka theksuar se punonjësit duhet të paguhen për ditët që paraqiten në punë, në përputhje me ligjin. Sipas tij, heqja e pagës nuk mund të konsiderohet një masë ndëshkimore dhe çdo veprim i tillë është një shkelje ligjore nga ana e drejtorit. Ai ka sqaruar gjithashtu se, në rastet kur një punonjës nuk realizon detyra të caktuara, mund të iniciohen procedura disiplinore, por ato duhet të bazohen në kontratën kolektive, individuale ose aktet nënligjore që rregullojnë administrimin e këtyre detyrave.


Sa i takon SMIP-it, rregullorja e miratuar nga Ministria e Arsimit në 16 tetor 2023 (nr. 589) e ka specifikuar qartë se shkolla ka përgjegjësinë për administrimin e këtij sistemi. Drejtori duhet të ngarkojë një administrator, të cilin mund ta ketë sekretar i shkollës, ose një nëndrejtor ose mësues që jep lëndën e TIK-ut, kur shkolla nuk ka sekretar.


Kjo çështje ka nxitur një diskutim të gjerë mbi mënyrën e administrimit të SMIP-it dhe trajtimin e punonjësve në sektorin e arsimit.


“Punonjësi për ditët që paraqitet në punë duhet të paguhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Në asnjë rast ndalja e pagës nuk mund të jetë masë ndëshkimore ndaj punonjësit. Nëse nga punonjësi nuk realizohen detyra të caktuara, sigurisht mund të fillojnë procedurat disiplinore, sipas hierarkisë së masave të parashikuara në kontratën kolektive, individuale apo në aktin nënligjor që mund të mos jetë zbatuar. Drejtuesi që aplikon masa ndëshkimore të ndaljes së pagës, ka kryer vetë shkelje ligjore. Sa i takon SMIP, rregullorja e miratuar nga MAS me nr. 589, datë 16.10.2023, në nenin 10 të saj, përcakton se: Institucioni arsimor parauniversitar ushtron përgjegjësitë si më poshtë:

I. Drejtori shkollës ngarkon zyrtarisht një administrator të SMIP-it për shkollën, Punonjësi të cilit i ngarkohet kjo detyrë, është sekretari i shkollës. Në shkollat që nuk kanë sekretar, ngarkohet nëndrejtori i shkollës ose një mësues që jep lëndën e TIK/informatikës, kur shkolla nuk ka nëndrejtor. Numri i administratorëve të shkollës përcaktohet në aktet nënligjore në fuqi”, kjo ka qenë përgjigja konkrete e ekspertit. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,823 Lexime
1 muaj më parë