Aktualitet

Nxënësit në Shqipëri zhvillojnë 150 orë më pak në vit se fëmijët në BE

Sipas një raporti të Bankës Botërore, një nxënës në vend merr mesatarisht 150 orë mësimi më pak në vit se nxënësit e BE-së, ndërsa pandemia Covid-19 vështirësoi edhe më shumë procesin e të nxënit. Por a çon kjo për rrjedhojë në marrjen e më pak dijeve?

Nxënësit në arsimin e detyrueshëm në Shqipëri zhvillojë më pak orë mësimore se fëmijët në vendet e Bashkimit Europian. Sipas një raporti të Bankës Botërore, një nxënës në vend merr mesatarisht 150 orë mësimi më pak në vit se nxënësit e BE-së, ndërsa pandemia Covid-19 vështirësoi edhe më shumë procesin e të nxënit. 


Por a çon kjo për rrjedhojë në marrjen e më pak dijeve?


 “Për të qenë më konkret faktikisht efektiviteti i nxënësve që mbarojnë shkollën arsimin parauniversitar dhe shkollën e mesme në Shqipëri është 62%, që do të thotë e përkthyer në vite shkollimi, nga 13 vite shkollimi (besoj Banka Botërore ka llogaritur këtu edhe arsimin parashkollor), rreth 4 vite shkollimi shkojnë dëm”, kështu ka pohuar ekspertja e arsimit Valbona Nathanaili.


Sipas “Bankës”, mungesa e kohës së nevojshme mësimore pengon nxënësit për të zhvilluar dijet në lëndë kritike, si matematika dhe leximi.


Një tjetër problem i evidentuar është investimi në shkollat kryesisht në zonat urbane dhe lënia në harresë e institucioneve arsimore në periferi.


“Në një total ka një pabarazi në cilësinë e vet shkollës dhe nisur nga kjo kemi pabarazi edhe në cilësinë e arritjeve dhe të aftësive që këta nxënës përfitojnë në përfundim të arsimit parauniversitar”, ka thënë Valbona Nathanaili.


Banka Botërore, në raportin e publikuar parashikon se niveli i të mësuarit në vend vitet e fundit mund të ketë rënë me 9 pikë në rezultate e PISA, dije që sipas përllogaritjeve kërkojnë 3 muaj mësim që të rekuperohen.



Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,581 Lexime
2 vjet më parë