ORË E HAPUR

Nxënësit njihen me Bazilikën në Elbasan

Në mësimin e historisë, klasa e V, me temë ‘’Arkeologu i vogël’’ zhvilluar nga mësuesja Alma Lika po shkëpusim një pjesë nga përjetimet e saj për këtë orë mësimi.

Në mësimin e historisë, klasa e V, me temë ‘’Arkeologu i vogël’’ zhvilluar nga mësuesja Alma Lika po shkëpusim një pjesë nga përjetimet e saj për këtë orë mësimi. 


Vendosa që këtë orë ta zhvilloja ne Mozaikun e Bazilikës Paleokristiane, Elbasan. Sa bukur e pritën fëmijët! Ndjeva se nxënësve, krahas kënaqësisë, iu shtua përgjegjësia, sepse ata kishin detyrë të prezantonin informacione për objekte të ndryshme arkeologjike që kishin studiuar. Sapo arritëm, pamë se atje po punonin një grup i madh arkeologësh shqiptarë dhe francezë. Nuk kishte më mire se kaq. Fëmijët u bënë vëzhgues të një zbulimi arkeologjik. Kureshtja u lexohej në sy arkeologëve të mi të vegjël.

Pasi morëm leje që të qëndronim në rrugicën pranë mozaikut na u afruan specialistët e monumenteve të qytetit tonë Albana Drenogllava dhe Elvira Alushi, të cilat dua t’i falenderoj për prezencën dhe bashkëbisedimin.


Ato na njohën me gërmimet që po bëheshin për nxjerrjen në pah të mozaikut. Mozaiku daton rreth shekullit të VI pas lindjes së Krishtit. Deri më tani janë konstatuar disa figura mjaft interesante, ku veçojmë figurën e një peshkatari, delfini, shpendi si dhe një shumëllojmshmëri peshqish me një larmishmëri ngjyrash mjaft interesante, etj. Kjo bazilikë shquhet për një cilësi mjaft të lartë artistike në lidhje me realizimin e gjithë figurave që ndodhen aty.

Erdhi koha kur arkeologët e vegjël duhej të prezantonin objektin arkeologjik që kishin përzgjedhur, pra duhej të flsinin mbi kohën, vendin dhe përdorimin e objektit historik.


Jam e lumtur që edukojmë fëmijë kaq të mbarë, me përgjegjësi për detyrat që u ngarkohen dhe ndjenjë të lartë atdhedashurie. Çdonjëri prej tyre përsëriste diçka të ngjashme: “Ndihem krenar për atdheun tim, për pasuritë e mëdha arkeologjike që mbart”.

Nxënësit flisnin aq bukur sa nuk mund të mos e vinin re dhe arkeologët francezë, të cilët kishin 6 vite që punonin në Shqipëri dhe kuptonin shumë nga informacionet që prezantonin nxënësit. U afruan dhe filluan të bashkëbisedonin me fëmijët për zbulimet arkeologjike dhe për pershtypjet e tyre në vendin tonë.


Në fund të kësaj ore mësimi u kënaqa kur nxënësit më thanë: “Sot u ndjemë arkeologë të vërtetë”.

(Përgatiti P.Shtini; Portali Shkollor)

1,573 Lexime
4 vjet më parë