Aktualitet

Paketa e sigurisë/ MB: 15 vite burg për shitjen e drogës në shkolla dhe rekrutimit të fëmijëve për pornografi

Ministria e Brendshme ka propozuar disa ndryshime në Kodin Penal ku parashikohet ashpërsim i dënimeve për 10 vepra penale, kur këto krime kryhen brenda ‘Perimetrit të sigurisë’ në shkolla.

Ndryshime në 11 nene të Kodit Penal propozon Ministria e Brendshme si një paketë për rritjen e sigurisë në shkolla.


Rrethana rënduese cilësohet çdo vepër penale ndërkohë që propozohet rritje e ndjeshme të dënimeve me burgim për 10 vepra penale që kryhen në ambientet e shkollave apo rreth tyre që quhet në projektligj  “Perimetër i Sigurisë” në shkolla.


Çdo vepër penale që lidhet me dhunën seksuale, pornografinë, trafikimin e të miturve, mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve të zjarrit, mbajtjen apo shitjen e armëve të ftohta, shitjen e lëndëve narkotive, përshtatjen e lokalit për përdorim droge, hedhja ose braktisjen e shiringave, nxitjen për përdorimin e drogës, drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt nëse do të kryhet në ambientet shkollore do të ketë ashpërsim të dënimeve. Krimi në këto ambiente përbëjnë rrethanë cilësuese pavarësisht nëse destinatorët e veprës apo të dëmtuarit janë persona të mitur.


"Në nenin 283 “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet” thuhet në relacion.


Ligji sjell si risi konceptin e Perimetrit të Sigurisë në shkolla. Nga nenet që propozohen rritje të dënimit veçohet ajo për dhunën seksuale që nëse kryhet në perimetrin e sigurisë së institucionit arsimor të frekuentuar nga i dëmtuari dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.


Edhe krimet në lidhje me nenin 117 të Kodit Penal që lidhen me pornografinë parashikojnë burgim nga tre deri në pesë vjet, ndërkohë që më parë dënoheshin vetëm deri në 2 vite burg.


Në nenin 117 “Pornografia”: Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet”.


Pas paragrafit të tretë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi ose bindja e një të mituri për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, kur kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.


Ministria e Brendshme propozon gjithashtu që çdo person që dënohet për trafikim të të miturve, që deri më tani Kodi Penal parashikon dhjetë deri në njëzet vjet, t’i rritet dënimi me 25% nëse vepra kryhet në ambientet shkollore.


Me disa vite rriten edhe dënimet për krimet që lidhen me drogën në shkolla, që parashikohet në nenet 283, 285a, 285/b dhe 286 të Kodit Penal.


Paketa pritet të konsultohet në Ministrinë e Drejtësisë, e cila prej kohësh ka nisur punën për përgatitjen e Kodit të ri Penal në vend.






Propozimet për ndryshimet në Kodin Penal

Relacionin e pr/ligjit për ndryshimet në Kodin Penal


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,058 Lexime
1 vit më parë