Mesazhi i një pedagogeje

Pedagogia-Studentëve: “Mos e harroni kurrë: Ju jeni profesorë!”

Duajini studentët tuaj. Nxirreni jashtë çdo gjë fisnike që ata kyçin përbrenda, edhe kur s’janë të ndërgjegjshëm, nëse ja kanë fshehur qoftë edhe vetes së tyre. Ngrini nivelin e vetëvlerësimit. Mos falni asnjëherë nota

Disa pjesëza të shkëputura nga ligjërata e një pedagogeje të shquar të Universitetit të Beogradit, profesoresha Rajna Dragićević, drejtuar të diplomuarve të këtij viti akademik. Ligjëratë e cila hap shumë debate në Ballkanin e sotëm dhe që unë ia kushtoj kolegëve universitarë dhe gjithë studentëve tanë të përbashkët, të cilët një ditë ndoshta do të ndërmarrin ata vetë aktivitetin akademik.

“Të dashur studentë, të çmuar kolegë, të dashur të diplomuar...

Pyes veten nëse do të ngulmoni në optimizmin që keni edhe pas diplomimit, kur do të përballeni me rroga të ulëta, me respektin e munguar kundrejt zanatit të mësuesit, me studentë të pa interesuar, me prindërit e tyre gjithmonë të gatshëm t’u japin të drejtë bijve (edhe pse kështu i dëmtojnë), me shantazhet nga çdo anë, me përçmimin.

Analfabetë apo gjysmë-analfabetë të vërtetë, që sot thjesht e përcaktojnë veten si: drejtues apo drejtuese emisionesh që, edhe pse injorantë, thonë se janë gazetarë dhe këngëtarë të tipit turbo-folk që vetëpërfytyrohen artistë, pa folur pastaj për: drejtorë arti, konsulentë financiarë, dizenjues, administratorë etj.

Pas emrave të zhurmshëm të këtyre profesioneve, fshihen shpesh mashtrues, të cilët, të pa aftë për t’i qëndruar pas kohës që kërkon formësimi universitar, mendojnë se vlerësimi mund të fitohet me shpejtësi, duke ndërruar zanatet si të ishin çorape të pista.

Duhet të jeni krenarë për profesionin tuaj, i cili vihet në praktikë vetëm nëpërmjet studimit me këmbëngulje dhe zell, me vetëpërmbajtje, duke punuar ditë e natë, duke sakrifikuar shumëçka. Mos lejoni që titullarët e shumtë të: restoranteve, ndërmarrjeve, avionëve privatë, shtëpive luksoze, njerëzve arrogantë, mburravecë dhe vetëpërcaktues t’ju japin, ata juve, leksione mbi suksesin.

Mos ua lejoni sepse ju jeni PROFESORË, ndërsa ata pronarë metrash katrorë.

Përpiqen të zhvlerësojnë punën tuaj. Mos harroni që ju jeni rojtarët e dinjitetit të profesionit tuaj. Titulli i profesorit fitohet me shumë mund dhe duhet të shpenzosh po aq lodhje duke vazhduar të investosh në dijen mbi të cilën ky titull rri këmbëkryq. Jepni llogari për sjelljen tuaj edhe jashtë shkollës, pasqyrojeni në mënyrën se si visheni, si raportoheni me kolegë, studentë dhe prindër.

Nëse ndjeni turp përpara vetë syve tuaj, do të ndjeni përçmim edhe në vështrimin e të tjerëve. Jini krenarë dhe me bindje në rolin tuaj, të vendosur që të studioni përjetë sepse ju jeni PROFESORË.

Duajini studentët tuaj. Nxirreni jashtë çdo gjë fisnike që ata kyçin përbrenda, edhe kur s’janë të ndërgjegjshëm, nëse ja kanë fshehur qoftë edhe vetes së tyre. Ngrini nivelin e vetëvlerësimit. Mos falni asnjëherë nota, por përpiquni që rezultatet e tyre të përmirësohen vazhdimisht. Njihini dhe çmojini përpjekjen etyre. Duhet t’i bëni që ta kuptojnë se mund të kenë sukses nëse studiojnë. Mos e shuani vullnetin e tyre.

Mësojuni studentëve tuaj që ta duan vendin e tyre. Shpesh dëgjohet teksa profesorët u këshillojnë studentëve të tyre më të mirë që të emigrojnë sa më parë. Arritjet e mira në studim quhen lejekalimi i përsosur për të ikur. Por le ta kthejmë për së prapthi këtë pikë vështrimi! Bëjuani të ditur studentëve tuaj më të mirë që pikërisht ata mund ta ndihmojnë sëmundjen e atdheut, në mënyrë që ky i fundit të mund të kthehet në një vend të jetueshëm. Mos lejoni që ata të ikin, as që ta braktisin vendin në duart e njerëzve jo të denjë.

Thuajuni studentëve tuaj që përpjekja kryesore e jetës së tyre është beteja kundër batakut në të cilin po katandisemi. Propozojuni atyre kuptimin e përgjegjësisë civile, në mënyrë që të binden se askush tjetër, veç tyre, s’mund ta pastrojë këtë vend. Nëse zotoheni, do të shihni se ata do t’ju dëgjojnë – JU JENI PROFESORË!

Studentët dinë ta bëjnë dallimin në mënyrë të pagabueshme. Ndaj, mos e përfillni përgatitjen e pakët të disa kolegëve tuaj, faktin që bëjnë hiçmosgjë dhe që paguhen po prapë, mos e përfillni kalbësirën rreth jush dhe mos u dorëzoni. Qoftë leksioni juaj një oaz në shkretëtirë, një pikë dritë në errësirë, një kokrrizë mirëkuptimi mes kësaj marrëzie.

Bash këtu qëndron dallimi mes jush dhe gjithë atyre menaxherëve, konsulentëve, koordinatorëve, administratorëve, pronarëve të pasur të ndërmarrjeve dhe të tjerë shitës mjegullash. Në duart e tyre janë projektet, ndërmarrjet, avionë e kamionë, në tuajat është e ardhmja e vendit. Mos e harroni kurrë – JU JENI PROFESORË!”

(Përktheu: Edon Qesari)

1,884 Lexime
7 vjet më parë