Intervistë

Pengu i mësueses, autonomia e shkollës

"Është profesioni më i mirë në botë, sidomos për femrat. Para së gjithash nënat-mësuese janë femrat më të suksesshme me fëmijët e tyre"

Të gjitha shkollat sot festojnë “7 Marsin”, festën e mësuesit. Por sa i vështirë dhe i dashur është ky profesion? Cilat janë sfidat, çastet e bukura dhe kujtimet? Çfarë iu ka mbetur në mendje mësuesve? Ne kemi biseduar me drejtoreshën e shkollës 9-vjeçare “Misto Mame” Ariana Maci Vorpsi, e cila na tregon se gjatë karrierës së saj 34-vjeçare i vetmi peng që i ka mbetur është autonomia e shkollës.


Sa vite keni që punoni si mësuese?

34 vjet.


Kur vendosët të bëheni mësuese dhe përse?

Në vitin e fundit të gjimnazit mbasi nënën dhe disa të afërm i kisha mësues.


Si e kujtoni ditën e parë të punës?

Disi e privilegjuar edhe pse u emërova larg Tiranës, në kolektivin e shkollës kishte figura të shquara për arsimin.


A ju kujtojnë nxënësit tani?

Po, madje për vitin e ri më kërkoi të pinim një kafe së bashku një ish nxënës që sapo ishte kthyer nga emigrimi.


Cila është dhurata më e bukur që keni marrë në festën e “7 Marsit”?

Mbasi jam larguar nga një shkollë në “7 Marsin” e ardhshëm më kanë ardhur tufa me lule nga ish nxënësit e shkollës nga ku isha larguar.


Cila është marrëdhënia juaj më nxënësit çapkënë?

Historikisht marrëdhënie luajale, në shumicën e rasteve kanë shkaqe objektive brenda sjelljes së tyre.


Cila është shprehja më e bukur që ju ka thënë një nxënës?

Para një jave pasi kisha qenë në një nga studiot televizive, një nxënëse më tha që ishte ndjerë krenare me mua dhe e dyta, kur një nxënës me iniciale A.K pasi filloi të fliste më thirri në emër.


A jeni ndjerë ndonjëherë e fyer për shkak të profesionit që keni? Nëse po, pse?

Kurrë, madje kur shikoj ndonjë sjellje jo korrekte të prindërve të fëmijëve ndjehem mirë që fëmijët e tyre edhe në sajë të punës sonë po bëhen më të mirë se prindërit e tyre.


Nëse do e kthenit pas kohën, a do zgjidhnit sërish të bëheni mësuese?

Padyshim.


Gjatë viteve të punës a ju ka mbetur peng diçka? Çfarë?

Po, autonomia e shkollës.             


Cili është mesazhi juaj për të gjithë nxënësit?

Të gëzojnë çdo ditë e jetës së tyre, por në mënyrë të tillë që çdo sekondë e jetës të jetë e angazhuar me një veprimtari të dobishme.


Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që duan të bëhen mësues?

Është profesioni më i mirë në botë, sidomos për femrat. Para së gjithash nënat-mësuese janë femrat më të suksesshme me fëmijët e tyre.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

5,297 Lexime
8 vjet më parë