Aktualitet

Për herë të parë kredi studentore/ Kushi: Mbështesim studentët për tarifat e studimit dhe kostot e jetesës

Nga ky vit i ri akademik, të gjithë studentët do të kenë mundësi që të marrin kredi studentore për të përballuar shpenzimet e studimeve. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dha lajmin e mirë të miratimit të skemës së kredisë studentore që i mundëson studentit mbulimin e tarifave të studimit dhe kostove të jetesës gjatë studimeve të larta.


Në mbledhjen e sotme të qeverisë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dha lajmin e mirë të miratimit të skemës së kredisë studentore që i mundëson studentit mbulimin e tarifave të studimit dhe kostove të jetesës gjatë studimeve të larta.


Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) negocion me bankat e nivelit të dytë për kushtet e mëposhtme.


• kredia studentore jepet pa kolateral fizik;

• kredia studentore jepet për mbulimin e kostove vetëm për ndjekjen e një programi studimi; 

• financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit, pas konfirmimit nga IAL që studenti ka shlyer tarifën e vitit dhe ka frekuentuar procesin mësimor; 

• shlyerja e kredisë nis jo më herët se 3 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për studimet e ciklit të parë, jo më herët se 2 vite pas nënshkrimit të kontratës së kredisë për programe studimi cikli i dytë dhe e treta jo më herët se 5 vjet pas nënshkrimit të kontratës së kredisë, për rastet e kredisë së marrë për program studimi të integruar të ciklit të dytë; 

• norma e interesit të kredisë të jetë e pandryshueshme, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë. 


Studentët që përfitojnë kredi studentore, nuk duhet të jenë përfitues nga politikat e mëparshme, si bursë apo përjashtim nga tarifat, me qëllim që të zgjerohet sa më shumë numri i përfituesve.


Studentët përfitues do të përzgjidhen bazuar në disa prioritete, si:

1. vlera e kredisë,

2. ndjekja e studimeve në programet prioritare,

3. rezultatet e mëparshme gjatë studimeve, etj.


Efektet e këtij vendimi nisin menjëherë, gjatë vitit akademik 2023 -2024.



Fjala e ministres Evis Kushi pas mbledhjes së Qeverisë


"Mirëdita të gjithëve!

Sot në Këshillin e Ministrave miratuam një vendim që përbën një lajm shumë të mirë për të gjithë studentët. Si ata që janë aktualisht në sistem, po edhe për të gjithë maturantët që kanë vendosur të aplikojnë për të vazhduar studimet e larta. 

Është fjala për skemën e kreditimit studentor, e cila do të jetë një mbështetje për të gjithë studentët për të financuar koston e studimeve të tyre dhe që natyrisht do të rrisë aksesin e të rinjve dhe të rejave ve në arsimin e lartë.

Këtu sigurisht do të përfshijmë edhe mbështetjen e bankave të nivelit të dytë. 

Dua t’ju sqaroj që në fillim që vizioni i MAS është një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, ku në qendër vendoset studenti dhe përmirësimi i statusit të tij social dhe ekonomik. Pikërisht për të përmbushur këtë vizion ne ndër vite kemi ndërmarrë shumë vendime, shumë politika siç ishte 'Pakti për Universitetin' por edhe siç ishte vendimi i vitit të kaluar për programet prioritare dhe mbështetjen studentore me bursa sa paga minimale. 

Por po kështu në investimet në infrastrukturë, në konvikte, dhe sot vijmë me kredinë studentore. Atëherë si do të funksionojë. Si është përcaktuar kjo skemë.

Disa detaje teknike për informacion për të gjithë studentët e interesuar.

Çdo student që ka shtetësi dhe vendbanim në Shqipëri dhe që ndjek studimet në një universitet apo IAL, ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore për të financuar studimet e tij. 

Kur themi kosto e studimeve, këtu ne nënkuptojmë edhe tarifat e studimit, por edhe kostot e jetesës. Dhe për kostot e jetesës do të përllogaritet kufiri i pagës minimale, siç është vendosur me VKM. 

Në fakt do të financohet vetëm një program studimi. Në mënyrë që të zgjerojmë sa më shumë numrin e përfituesve. Pra çdo student mund të aplikojë ose për Bachelorin, ose për Masterin. Ndërkohë që institucioni që do të jetë përgjegjës edhe për të negociuar me bankat e nivelit të dytë por edhe për të menaxhuar të gjithë procesin me studentët.

Aplikimet e më pas renditjen e tyre, dhe shpalljen e fituesve do të jetë AKFAL.

Cilat do të jenë kushtet e kredisë. E rëndësishme është që kredia studentore do të jetë pa kolateral fizik. Do të jepet me dy këste, që do të thotë, pasi të kemi marrë konfirmimin nga universiteti, e para për shlyerjen e tarifës vjetore dhe e dyta, pasi konfirmimi nga IAL-të që studenti frekuenton rregullisht procesin mësimor.

Për sa i takon shlyerjes së kredisë afatet do të jenë të përcaktuara qartë për çdo nivel. Që do të thotë, për studentët e Bachelor, detyrimi për të shlyer kredinë fillon 3 vite pas nënshkrimit të kontratës së përfitimit të kredisë. Për studentët e Masterit detyrimi për të shlyer fillon dy vite pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa për të gjithë ata studentë që ndjekin studimet e integruara të nivelit të dytë, do të fillojë pas 5 vitesh. Pra ata që ndjekin program 5-vjeçar detyrimi për shlyerjen e kredisë fillon pas 5 vitesh.

Gjithashtu kemi vendosur që studentët përfitues të jenë ata që nuk kanë përfituar më parë bursa apo përjashtim nga tarifat. Gjithmonë qëllimi është që të përfitojnë sa më shumë. Dikush përfiton bursa, dikush përfiton përjashtim nga tarifat, dikush tjetër përfiton nga kredia studentore.

Për sa i takon kritereve të renditjes, pra si do të shpallen fituesit. Natyrisht do të ketë disa kritere që vlerësohen si më prioritare. Për shembull, e para do të jetë shuma e kërkuar. Sa më e vogël të jetë shuma, aq më e sigurt është që të mund të jesh përfitues, po kështu. Një kriter tjetër mund të jetë edhe programi i studimit që ndjek. Sepse ato programe që ne i kemi shpallur në listën e programeve prioritare, përsëri do të jetë një avantazh më shumë për studentët për të marrë kredi.

Ka edhe kritere të tjera që mund të përcaktohen. Për shembull për rezultatet e studentëve. Nëse do të jetë aplikant nga viti i parë, që sapo fillon studimet, rezultatet do të jenë sa më të larta, aq më shumë do të jetë avantazh. 

Nëse studenti aplikon kur është në vitin e dytë apo të tretë, sepse në çdo moment studenti mund të aplikojë. Sigurisht rezultatet e viteve paraardhëse do të jenë kriter për renditjen dhe për pikëzimin e tyre. 

Nëse aplikon për studimet në Master, kuptohet, rezultatet e Bachelorit do të jenë.  

Kështu që kemi vënë një sërë kriteresh me të cilat studentët do të njihen më përpara në mënyrë që të ketë sa më shumë meritokraci, por edhe transparencë në renditjen dhe shpalljen e listave studentëve përfitues. 

Në fund fare do të thoja që MAS çdo vit do të parashikojë një buxhet, një fond të dedikuar pikërisht për këtë program. Dhe në varësi të fondit që vë në dispozicion do të përcaktohet edhe numri i studentëve që do të jenë përfitues. 

Efektet e këtij vendimi do të fillojnë menjëherë këtë vit, pra në vitin akademik 2023 – 2024. Prandaj dhe ne kemi punuar shumë gjatë, shumë intensivit, por morëm masat që ky vendim të dalë menjëherë, përpara se maturantët e këtij viti të aplikojnë. Sepse mund të ketë shumë nga ata që kanë rezultatet të mira,  por për shkak të kushteve të vështira ekonomike mund ta mendojnë dy herë nëse do të vazhdojnë studimet e larta apo jo. 

Ky është një vendim që ne duam t’i themi të gjithëve ta mendojnë mirë, sepse disa mund të përfitojnë bursa, disa përjashtim nga tarifa dhe së fundmi kemi këtë mundësi që studentët e kanë kërkuar shumë prej vitesh, ka qenë dhe detyrim, i ligjit për arsimin e lartë dhe më fund u bë realitet.

Ju uroj shumë suksese të gjithë studentëve që janë në proces, por edhe maturantëve që do të aplikojnë dhe do të regjistrohen për studimet e larta. 

Faleminderit!"


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,076 Lexime
9 muaj më parë