Përjashtohet nga taksat çdo investim në shkolla

Hyn në fuqi strategjia e zhvillimit të arsimit parauniversitar për periudhën 2014-2020

Hyn në fuqi strategjia e zhvillimit të arsimit parauniversitar për periudhën 2014-2020. Në këtë draft janë parashikuar një sërë ndryshimesh, të cilat prekin të gjithë sistemin arsimor në vend, duke nisur nga kurrikulat e reja, mënyra e financimit, pro-vimet kombëtare, por edhe zhvillimi profesional i mësuesve. Sa i përket financimit, në strategji parashikohet se çdo investim në arsim do përjashtohet nga taksat. Ndërsa për licencimin e mësuesve në strategji parashikohet se veç licencimit të mësuesve të rinj që është detyrim ligjor për profesionet e rregulluara, do të ketë edhe licencime periodike për të gjithë mësuesit që janë në shërbim. Po ashtu, në strategjinë e cila është miratuar në datë 11 janar 2016 me vendim të Këshillit të Ministrave, është caktuar se Matura Shtetërore duke nisur nga 2016-ta do jetë vetëm provim dalës nga gjimnazi dhe jo hyrës për në universitet, si ishte deri vitin e shkuar. Nga të dhënat e strategjisë shqetësim mbeten klasat kolektive, ku të tilla në qytet ka vetëm në 12 shkolla, po në fshat janë 1064. Ndërkohë që numri i nxënësve që zhvillon mësim në klasa kolektive është mjaft i lartë, pasi janë rreth 37 mijë nxënës.

Financimi

Në strategji përcaktohet se nga viti 2016, vendosen dhe zbatohen kriteret dhe rregulloret për financim që ndihmojnë me përparësi gjithëpërfshirjen dhe barazinë në arsim. Sipas këtij drafti, këtë vit pritet të vihet në funksion modeli efektiv i financimit “për nxënës”. Po ashtu, duke nisur nga viti 2016, përjashtohen nga taksat investimet në arsim. Gjë kjo që përfshin si sektorin publik, edhe atë privat. Faktikisht numri i shkollave private që ofrojnë arsim bazë përbën 8.5% të totalit dhe ofrojnë shërbimet e tyre për 7.2% të numrit të përgjithshëm të nxënësve.

Mësuesit & licencimi
Mësuesit duhet të kenë mundësi të përditësojnë rregullisht kompetencat në fushën e risive teknologjike. Ata duhet të njohin praktikat e klasave miqësore për fëmijët dhe të marrin pjesë në programet aftësuese për kuptimin e thellë të dallimeve individuale, të mosdiskriminimit dhe të tolerancës, si mjete për të parandaluar sjelljet e dhunshme në shkolla etj. Në këtë kontekst, në fokus të kësaj përparësie strategjike janë: aftësimi i mësuesve të rinj, hartimi dhe zbatimi i kurrikulave cilësore për zhvillimin profesional, krijimi i mekanizmave për t’i ndihmuar mësuesit të arrijnë standardet profesionale dhe të zbatojnë kurrikulën e re, licencimi i mësuesve të rinj dhe licencimi periodik i të gjithë mësuesve në shërbim. Sa i përket certifikimit dhe licencimit periodikisht të mësuesit, në strategji synohet që të përgatitet baza qendrore e të dhënave për mësuesit e licencuar. Vihen në punë mekanizmat për licencimin e mësuesve, funksionon sistemi për vlerësimin e performancës së mësuesve, licencohen periodikisht mësuesit, ndihmohet zhvillimi në karrierë i mësuesve përmes sistemit të pagave. “Nga viti 2017 ka përfunduar licencimi i të gjithë mësuesve në sistem dhe 5% e tyre zotërojnë më shumë se një licencë”, përcaktohet në strategjinë e arsimit.

Matura shtetërore
Po ashtu, në strategjinë e arsimit parauniversitar përcaktohet se Matura Shtetërore duke nisur nga ky vit, pra nga 2016, do të jetë vetëm provim dalës për përfundimin e arsimit të mesëm. Ndërkohë që Ministria e Arsimit ende nuk ka miratuar udhëzimin për maturën dhe mijëra maturantë nuk kanë asnjë informacion se sa provime do të kenë në këtë maturë dhe se cilat janë kriteret për të garuar në universitet publike.

(Nga Ermelinda Hoxhaj, GSH)

1,560 Lexime
8 vjet më parë