Argumente

Përse zgjodha të bëhem mësuese?

Mësuesi qëndron në krye të ҫdo gjëje. Kudo ku ka dije, kudo ku ka arritje është një mësues që qëndron pas, sepse vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë...Ja disa arsye pse zgjodha të bëhem mësuese.

Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri

Gjithmonë na është mësuar se mësimdhënia është art dhe shkencë.


- A duhet të jetë mësuesi artist meqë mësimdhënia është art?

-  A duhet të aktrojë mësuesi gjatë orës mësimore?


Çdo mësues i kushton jetën dhe karrierën nxënësve të vet. Gjatë gjithë karrierës së tij\saj, mësuesi punon, lodhet, gëzohet, mërzitet, përjeton stres dhe ajo ҫka është më e rëndësishmja është pranë nxënësit në momentet me delikate dhe kritike të moshës. Të shohësh një lule të rritet e  të lulëzojë është  ndjesia më e bukur e një mësuesi e sidomos kur këtë lule të veccantë e ujit dhe e drejton kah dritës së diellit. Por arsyet për t’u bërë një mësues janë më të thella se kjo  e fundit, është dëshira e madhe për t’u përfshirë në jetën dhe në edukimit e njerëzve të tjerë. 


Ndërsa vendi ynë ka bërë një rrugë të gjatë në reformën e arsimit, ne ende kemi një rrugë të gjatë për të shkuar. Një rrugë që shpesh na ҫon nëpër kthesa të panjohura e shpesh të pasigurta, por ja që mësuesi ja del përsëri. Me kokën lart e një barrë të rëndë mbi supe ulet me dëshirë në bankën e tij dhe  ndjek me kujdes nxënësit e vet. Shumë herë është përfolur e shumë herë është “goditur” figura e tij por përsëri mbledh forcat e vazhdon rrugën e drejtë të mësimdhënies. Sa shumë sfida dhe sa shumë peripeci përjeton, sa shumë trishtim e sa shumë gëzim fiton, por përsëri ja del.


Mësuesi qëndron në krye të ҫdo gjëje. Kudo ku ka dije, kudo ku ka arritje është një mësues që qëndron pas, sepse vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.. . 


Ja disa arsye pse zgjodha të bëhem mësuese


1- Të punosh më fëmijët është e mrekullueshme.

Është ndjesia më e bukur që përjetoj ҫdo ditë në klasën time. Më pëlqen kur më shohin dhe dëgjojnë plot kureshtje, dhe të bindur kryejnë detyrat që ju jap.


2- Më pëlqen të ndikoj në personalitetin e tyre dhe t’i ndihmoj të kuptojnë se ҫfarë duan në jetë.

Kur lokomotiva ecwn mbi shina, vagonët e ndjekin pas të sigurt. Fëmijët nuk lindin me dëshira dhe pasione. Ata i fitojnë dhe i mësojnë gjatë jetës. Mësuesi zbulon talentet dhe i drejton drejt  rrugës më të mirë.


3- Nuk mërzitem asnjëherë në klasën time.

Momente të bukura e gazmore na përcjellin gjatë gjithë ditës. Momenti më i bukur është kur në mes të shpjegimit një nxënës ngre dorën dhe kërkon të tregojë një ëndërr që ka shikuar mbrëmjen e kaluar (ëndërrimtari i klasës), dhe e gjithë klasa shpërthen në të qeshura.


4- Fëmijët janë e ardhmja.

E them dhe e përsëris gjithmonë në klasën time thënien: “Peshon më lehtë një laps sesa një tullë”. Në klasën time secili e ka zgjedhur profesionin e tij\saj, nga president, doktor, inxhinier deri tek mësues, asnjëri nuk ka mbetur pa e zgjedhur profesionin, tani na mbetet vetëm t’i përvishemi punës.


5- Më pëlqen t’i ndihmoj të ngrihen lart, kur morali i tyre është shumë poshtë.

Një mësues i mirë është edhe një psikolog i mirë. I kuptoj nga vështrimi i tyre kur ata nuk janë gati për mësim, kur nuk duan të mësojnë. Më pëlqen kur më dëgjojnë teksa i lexoj përrallat e moҫme dhe në fund secili nxjerr moralin e pjesë. I kuptoj fytyrat e tyre kur mundohem të shpjegoj mësimin dhe sytë i kanë tek topi në fund të bankave.


6- Më pëlqen t’i dëgjoj idetë e tyre dhe të shoh se si funksionojnë mendjet e tyre.

Mendja e tyre është brilante, plot fantazi e plot botë. Shpesh më sfidojnë me idetë e tyre dhe me plot argumente arrijnë atë që duan. Ata janë fëmijë e askush nuk mund t’ia heq dëshirat dhe fantazitë e tyre.


Kjo jam unë, mësuese e ciklit të ulët, që me plot dëshirë futem në klasën time, ku nuk  arrij të kuptoj se sa shpejt më kalon dita, ku e di dhe jam shumë e bindur që ҫdo fjalë e imja fiksohet mirë në mendjen e tyre.


Iku edhe një vit shkollor. . .


Në shtator ju pres më të rritur, por përsëri me entuziazmin e fëmijës së vogël.


(Klodjana Gega, Portali Shkollor)

34,069 Lexime
5 vjet më parë