INTERVISTË

Përzgjedhja e mësuesve në të gjithë vendin për hartimin e testeve të MSH, flet drejtoresha e QSHA Rezana Vrapi

Plotë 133 kandidatë mësues kanë plotësuar kriteret për t’u bërë pjesë e grupit të hartuesve të fondit të pyetjeve të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndryshe nga më parë, këtë vit përzgjedhja e tyre është bërë nga i gjithë vendi. Për më tepër lexoni intervistën me kreun QSHA-së, Rezana Vrapi.

Ka përfunduar faza e parë e përzgjedhjes dhe e trajnimit të mësuesve të cilët do t’i bashkohen grupit të punës për të hartuar testet e Maturës Shtetërore. Tani ky proces është në fazën e dytë të tij që ka të bëjë me verifikimin e testeve të këtyre mësuesve dhe me certifikimin e tyre. Ajo çka vlen të përmendet këtë vit është fakti se këtë herë përzgjedhja e mësuesve është bërë nga i gjithë vendi jo vetëm nga Tirana. 

Për detajet e këtij projekti ne kemi intervistuar drejtoreshën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi. 



Zj.Rezana a mund të na flisni diçka më tepër sa i përket nismës së fundit që ju, si QSHA, po ndërmerrni përsa i përket përzgjedhjes së mësuesve për t’u bërë pjesë e hartimit të fondit të pyetjeve, ku konsiston ky projekt?   


Për hartimin e fondit të pyetjeve, që më pas shërben si bazë për ndërtimin e testeve të Maturës Shtetërore, specialistët lëndorë të QSHA kanë bashkëpunuar vazhdimisht me mësues të Arsimit të Mesëm të Përgjithshëm. Bashkëpunimi me mësues është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ky i siguron çdo specialisti lëndor, përgjegjës për hartimin e testeve të MSH, që të jetë në kontakt me procesin e mësimdhënies në shkollë, përputhshmërinë me programin lëndor si dhe sjelljen e nxënësve në raport me natyrën e pyetjeve. Prandaj, përzgjedhja e mësuesve cilësorë dhe me integritet të lartë profesional, është një nga përgjegjësitë tona.

Këtë vit, ne gjykuam, për të sjellë prurje të reja, si bashkëpunëtorë të QSHA. Për këtë u bënë dy njoftime publike, një në faqen zyrtare të institucionit (1 tetor 2020) dhe një njoftim ia drejtuam çdo DRAP (me një afat 1 mujor), me qëllim që njoftimi të shkonte në çdo shkollë. Në përfundim, patëm një numër kërkesash nga shumë mësues të lëndëve të ndryshme, të cilët më pas u trajtuan nga grupet tona të specialistëve për të bërë përzgjedhjen paraprake. 



Pse ky projekt, është hera e parë që zhvillohet apo jo? 


Jo, nuk është hera e parë. Vazhdimisht QSHA ka përzgjedhur mësues, si bashkëpunëtorë për hartimin e fondit të pyetjeve. Për shkak të distancave, në QSHA kemi pasur bashkëpunëtorë vetëm nga Rrethi i Tiranës. Këtë vit, me dëshirën për të pasur bashkëpunëtorë edhe nga rrethe të tjera të vendit, e drejtuam kërkesën tonë edhe në DRAP. Me platformën digjitale që po zhvillojmë, QSHA do të ketë mundësi të ketë bashkëpunëtorë kudo në Shqipëri, pa qenë nevoja që ata të vinë në zyrat tona.



Si u realizua përzgjedhja e kandidatëve për hartimin e fondit të pyetjeve të MSH? Cilat qenë kriteret për mësuesit që dëshironin të merrnin pjesë? 


Përzgjedhja u realizua mbi bazën e kritereve të bëra publike, të tilla si:

Kandidati për hartimin e fondit të pyetjeve është mësuesi që:

a) ushtron profesionin e mësuesit sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi;

b) ka të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune si mësues;

c) ka dhënë lëndën të paktën 1 (një) herë në të gjitha klasat e nivelit arsimor;

d)ka të paktën kategorinë e kualifikimit “mësues i kualifikuar” dhe është vlerësuar në provimin e kualifikimit të mësuesve me të paktën “shumë mirë”, për hartuesit e pyetjeve, dhe me të paktën “mirë”, për vlerësuesit;

e) ka përvojë në hartimin e pyetjeve në provimet/vlerësimet kombëtare;

f) ka aftësi shumë të mira kompjuterike.



Pasi u bë përzgjedhja e përgjithshme kush ishin hapat e tjerë që u ndërmorën? A u trajnuan ata? Nëse po, nga kush?


I gjithë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për hartues kaloi në disa hapa:

1. Dorëzimi i dokumentacionit në QSHA (sipas kritereve të spallura nga institucioni).

2. Përzgjedhja e mësuesve që përmbushin kriteret.

3. Trajnimi i mësuesve nga specialistët lëndorë.

4. Testimi i mësuesve.

5. Përzgjedhja.

Trajnimi i mësuesve u zhvillua në mjediset e QSHA dhe gjimnazi “Ismail Qemali” nga specialistët përkatës (duke respektuar maksimalisht edhe distancimin fizik për shkak të COVID 19). Ai u zhvillua më datë 14 nëntor për gjuhën shqipe dhe letërsinë, nga ora 09:00-13:00 dhe për lëndët e tjera më datë 21 nëntor, po në të njëjtat orare.

Nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se 133 kandidatë plotësuan kriteret e kërkuara, si hartues të fondit të pyetjeve të provimeve të maturës shtetërore. 



Lënda Nr total i kandidatëve për hartues  
Gjuhë e Huaj 25
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 20
Matematikë       28
Fizikë 4
Biologji dhe Kimi                                                            25
Histori dhe Gjeografi      19
Filozofi-Sociologji dhe Qytetari dhe Psikologji     12
Totali       133


Në trajnim u trajtuan çështje si:

1.Parimet e vlerësimit;

2.Struktura e testit (tabela e specifikimeve, nivelet e vështirësisë etj);

3.Formati i pyetjeve;

4.Ndërtimi i pyetjeve objetive/subjektive;

5.Modele pyetjesh;

6.Skema e vlerësimit;

7.Pikëzimi i pyetjeve.

Gjatë trajnimit u punua edhe në grupe, ku mësuesit zhvilluan veprimtari praktike që më pas u diskutuan bashkërisht.



Sa prej tyre do të përzgjidhen në fund? 


Nuk ka një numër të kufizuar. Të gjithë ata mësues që përmbushin kriteret, mund të bëhen bashkëpunëtorët tanë. Sigurisht ne kemi procedura shumë të specifikuara se si mësuesit e përzgjedhur do të punojnë me specialistët lëndorë. 



Po përzgjedhja përfundimtare si do të bëhet?


Çdo mësues ka për detyrë që të dorëzojë në QSHA një model testi, i cili aktualisht po vlerësohet nga ekipi i QSHA, që më pas do të gjykojë nëse do të certifikohet si hartues apo jo. Mësuesit që do të certifikohen do të jenë edhe bashkëpunëtorët tanë, që sigurisht do të kalojnë edhe në nivele të tjera më specifike të trajnimit.

 


Trajnime të tjera?


Shumë shpejt QSHA do të organizojë edhe trajnimin për vlerësuesit dhe ata që do të certifikohen do të jenë pjesë e bashkëpunëtorëve për vlerësimin e përgjigjeve të nxënësve në testet e MSH. 



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,209 Lexime
3 vjet më parë